Volejboll

Vajzat e volejbollit në Krutje, tradita mban gjallë pasionin

Reportazh/ Në Krutje me kapitenen e ekipit të Volejbollit, Emirjeta Xhyliun dhe 17 lojtaret. Godina ku stërviten është ndërtuar në kohën e komunizmit, por që prej asaj kohe nuk ka pasur më ndërhyrje për mirëmbajtjen e saj

Ora shënon 15:00! Së bashku me Emirjeta Xhyliun, kapitenen e ekipit të volejbollit për femra në Krutje, nisemi me makinë drejt palestrës për stërvitjen e radhës. Vapa e madhe e verës sapo ka filluar dhe do vazhdoj të jetë shoqëruesja e përditshme e kapitenes. Emirjeta bën çdo ditë 3.8 kilometër rrugë për të shkuar nga fshati i Ngurrzës në palestrën e Krutjes. 


Gjatë rrugës ajo më rrëfen për pengesat e përditshme që bën për sportin e volejbollit: “Stërvitemi çdo ditë nga 4 orë, ose dhe më shumë kur kemi ndeshje. Ndryshe nga vajzat e tjera të ekipit unë përshkruaj përditë këtë rrugë, pasi jam martuar larg Krutjes. Është disi e mundimshme pjesa e largësisë sidomos gjatë stinës së verës, por bashkëshorti im ma ka lehtësuar  këtë pjesë. Më ka blerë një makinë timen kjo ma bën më të lehtë pjesën e udhëtimit. Veç këtyre unë jam 32-vjeçe dhe jam nënë e dy djemve. Angazhimet familjare kam arritur t’i menaxhoj mirë, sepse përkrahja dhe mirëkuptimi i familjarëve më motivojnë ta vazhdoj ende pasionin tim për këtë sport, që e kam nisur qysh në moshën 14-vjeçare”. Pas 20 minutash ecje mbërrijmë në Krutje. Sapo zbresim nga makina shohim në hyrje të palestrës vajzat e ekipit së bashku me trajneren e skuadrës. Që së largu nga parkimi shihen udhëzimet me gjestikulacione që ajo u jep vajzave të ekipit.


Afrohemi me hapa të ngadaltë pranë tyre, përshëndetemi me të 17-ta lojtaret. Të gjitha duken të qeshura dhe të ofrojnë ngrohtësi edhe pse hera e parë që takohemi. Që nga jashtë ambientet e palestrës duken disi të zymta. Godina është ndërtuar në kohën e komunizmit posaçërisht në shërbim të ekipit. Mesa më tregojnë vajzat që prej asaj kohe nuk ka pasur më investime dhe mirëmbajtje të godinës. Hapim derën dhe hyjmë. Tani çdo gjë tjetër lihet jashtë dhe kryefjala e bisedave të tyre është taktika e lojës. Brenda palestrës era e mykut dhe lagështisë të çan fillin e hundës. Rreth e qark ka karrige, topa e rrjeta të hedhur rrëmujshëm në të katër cepat e palestrës. Muret dhe dritaret e vogla me hekura i ka mbytur myku dhe pluhuri që vjen prej rrugës. Në anën e majtë të murit janë rreshtuar kartonët me numrat e vajzave. Shkojmë në dhomat e ndërrimit. Aty mbizotëronte errësira, mungonte ndriçimi dhe drita natyrale ishte e pakët. Akoma më i rëndë ajri këtu.


Lojtaret ndërrohen dhe vijnë me energji në fushën e dyluftimit. Trajnerja fillon nxehjen paraprake me vrap të lehtë dhe ushtrime më specifike për muskulaturën. Ka kaluar gjysmë ore dhe secila pozicionohet në vendin përkatës para rrjetës. Leonora, lojtarja më e re e ekipit sjell topat. Ajo ka vetëm 6 muaj që është pjesë e ekipit. Loja fillon. Pesë prej lojtareve qëndrojnë ulur pasi presin të zëvendësojnë në vijim. Nën kërcitjet e fuqishme të topave pyes me kureshtje për opinionin e familjes dhe komunitetit përreth 18-vjeçaren Lorena. Me një buzëqeshje disi fëmijnore ajo më tregon ëmbëlsisht; “Unë e adhuroj këtë sport prandaj i mora parasysh të gjitha edhe pse këtë vit jam maturante dhe duhet t’i përkushtohem më shumë mësimeve. I kam premtuar prindërve se do arrij t’i kënaqë dhe ata, por do arrij të realizoj dhe dëshirën time për t’u bërë pjesë e ekipit.


Fillimisht patëm pak debat në familje për këtë pjesë, pasi ende ka paragjykime te tipit; “o por je vajzë, si mund të ikësh vetëm e të kthehesh vonë në shtëpi, por e rëndësishmja është që unë ia arrita të bind prindërit e mi dhe të jem mes kampioneve”. Situata dhe sforcimet në fushë janë  nxehur sidomos për skuadrën që është duke humbur. Seti i parë përfundon 25 me 17. Tanimë fytyrat e lojtareve janë skuqur. Teksa afrohen të bëjnë pushimin era e djersës ka filluar t’i përshkoj trupin. Rilda ulet pranë meje dhe nuk hezitoj ta pyes dhe pse ajo është akoma duke normalizuar frymëmarrjen. 


E gjitha kjo sfilitje juaja duhet të shpërblehet mirë apo jo? Nxjerr një shfrymë ironike dhe thotë: “Eh, mundimi dhe sakrificat tona vetëm me 200 mijë lekë të vjetra shpërblehet. Një shumë qesharake. Sikur të mos isha edhe mësuese fizkulture me këtë rrogë këtu s’mund të mbyllet muaji. Ndër vite trajnerët Llazar Llupo, Perikli Daka e Josif Davidhi kanë kontribuar në zhvillimin e talentit të të rejave të ekipit. Falë këtij bashkëpunimi Ekipi i Krutjes është  shpallur 4 herë kampion vendi, 4 herë fitues të Kupës së Republikës në 1994, 1996, 1997 dhe 1998, 3 herë fitues të Kupës së Federatës së Volejbollit, 1 herë fitues të Superkupës, 2 herë fituese të Kupës së Rinisë si edhe 3 herë kampione me të rejat. Gjithë këto kupa e fitore nuk kanë marr asnjëherë vëmendjen e duhur as nga ish Komuna e Krutjes dhe as nga Bashkia e Lushnjës, që ka marrë së fundmi në menaxhim ekipin”.  Sapo të rejat bëhen gati për rikthimin në fushë dëgjohet një e trokitur e rëndë në derën prej hekuri. Brenda hyn një burrë i moshuar i veshur me kostum dhe mban disa letra në dorë. Vajzat e presin me dashamirësi dhe buzëqeshje.


Rexhina më pëshpërit me zë të ulët “Ky është trajneri i cili ka themeluar ekipin që bëri me histori jo  vetëm fshatin e Krutjes, por edhe i dha emër në arenën ndërkombëtare Shqipërisë”. Ish- trajneri ulet në karrige dhe ndjek me lumturi setin e dytë. Bam, bum, bum kërcet topi sa në njërën anë të fushës në anën tjetër. Ulërimat e vajzave janë po aq të fuqishme sa kërcitjet e topit teksa i bërtasin njëra- tjetrës “Më lart, më lart, pasoo, ecc ecc Jola vrapo pranë rrjetës”. Aq me shpirt flisnin saqë dhe damarët në qafë fillonin t’i fryheshin. Zoti Llazar me mirësinë që përcjellë në fytyrë nuk nguron t’u japë këshilla lojtareve dhe trajneres. "Ehh moj çupani ndjej krenari dhe kënaqësi të vij t’ju shoh çdo pasdite teksa stërviteni me orë të tëra, djersiteni, lodheni dhe vlerësoni kaq shumë këtë ekip. Besoj nuk më zemëroheni që akoma vazhdoj t’u këshilloj”. Fjalët e tua nuk janë mërzitje profesor, por veçse na japin kurajë akoma dhe më shumë- ia kthen trajnerja.

Përfundon edhe seti i dytë me 3 pikë diferencë mes skuadrave. Në këtë pushim të dytë më shumë sesa çlodhja vihen re kritikat e kapitenes ndaj ekipit humbës në të dy setet. 


“Ç’është ky ritëm dhe kjo performancë e dobët. Vajza duhet punë dhe stërvitje e madhe për të qëndruar në Kategorinë e Parë ku jemi”, vazhdon kapitenia me tone të larta zëri. Pushimi mbaroi dhe rikthehet loja sërish aty ku u la. Lojtarja më e re ka një qëndrim disi të ndrojtur në fushë, duket që përvoja e saj akoma nuk është e duhura. Aktivizimi i të tjerave duket në nivel të mirë edhe pse lodhja ka nisur t’i kaploj pak e nga pak.  Seti i fundit është në barazim pikësh për të dyja skuadrat.


“Kini kujdes përqendrohuni është pika vendimtare për në”, thotë njëra nga lojtaret e skuadrës humbëse. Topi që erdhi drejt skuadrës humbëse duket se preku dyshemenë, papritur Alesia që dukej disi e hutuar u shtri drejt dyshemesë dhe e ngriti sërish në ajër topin. Kjo lëvizje e saj i dha fitoren e setit të tretë skuadrës që për dy sete me radhë humbi. Të lumtura e qull në djersë përqafohen së bashku dhe shkojnë të ndërrohen. Më çantat ndër duar afrohen pranë profesorit dhe dalin duke komentuar dhe kritikuar lëvizjet e bëra gjatë lojës. Mbyllim derën dhe  përshëndetemi. Tanimë gjithsecila kthehet në familje dhe gjërat që kanë lënë përgjysmë, në një botë krejt tjetër nga ajo ç’ka ishte brenda atyre mureve…


(Jonilda Xhyliu)

3,558 Lexime
7 vjet më parë