RRËFIM

“Unë dhe dita ime!”…shkëputur nga ditari i një mësueseje

Në kohën e COVID 19 jetesa e të gjithëve ne ka ndryshuar. Këtë herë kemi shkëputur një ditë nga ditari i mësueses Etleva Qorri, teksa aty tregohen të pazakontat e një dite tashmë të zakontë në karantinë…



E pazakonta, e ditës time të zakonshme, në këtë periudhë karantinimi është se nuk e them më atë “Mirëmëngjesi”, që më buronte nga thellësia e shpirtit. 


Por e them si puna e Sandrit, te pallati 176 “gjes, gjes", thua e kam marrë borxh! Një fjalë e urtë popullore thotë: “Dielli, duket që në mëngjes". Në këto ditë karantine, mëngjesi fillon i trishtë, i zymtë, pa motiv. Me filxhanin e kafesë në dorë, ndizet televizori, PC, Smartphone në dorë, fillon dita…


Ora 10:00 ose pak më herët “beep" sinjali i telefonit… mesazh te grupi shkollës, linku i mësimit në televizion. Ups, kujtohem, nuk është e diel, por ditë jave, starton dita me përgatitjen ditore, sepse lepurushat presin me padurim dhe kështu, truri nis të përpunojë informacionin, i cili do të shkojë te lepurushat e mi. Mësimi online, po na s'provon, na lodh psikologjikisht, por gjithashtu na bëri të zbulojmë disa aftësi, që i kishim të fshehura në skutat e errëta të trurit tonë. Mirë, jo keq! Si thoni? Të punosh me fëmijët (lepurushat), është art, përgjegjësi maksimale, dashuri, sepse vetë misioni ynë është të përçojmë dashuri dhe dije. Hyjnore, por e pashpërblyer!


Pasi fëmijët kanë marrë temat mësimore ditore, fillojnë punën, kurse unë, kontrollin e njohurive të dhëna një ditë më parë. Pas 60 minutash ose diçka më shumë, buçet telefoni nga sms e nxënësve në WhatsApp. Fillon dorëzimi i detyrave të dhëna më parë. Sigurisht, ka mësime që bëhen me video call, por jo të shpeshta, të jemi të sinqertë…


Dhe unë filloj kontrollin e tyre një për një, për të parë sa e kanë kuptuar temën e dhënë. Të kuptohemi, kontrolli bëhet nga ekrani Smartphone. Domethënë, do të hapësh mirë sytë, do të zmadhosh ekranin smartphone që të shohësh qartë detyrat. Unë kam pak nxënës, po një mësues/e që ka 40, 38 ....? Nuk mund t’a imagjinoj! Kjo proçedurë, vazhdon disa orë, kur papritur sheh që dita po largohet dhe vendin po ja zë nata. Fërkoj sytë, i freskoj me ujë të freskët dhe mundohem t'i mbaj të mbyllur për disa sekonda. 


Mos të harrojmë, që kemi edhe detyrime familjare si, pastrimi i shtëpisë, gatimi, larja e enëve, rrobat që duan kujdesin e tyre, larje, hekurosje...

Po do bësh edhe ndonjë pazar të vogël te dyqanet e lagjes, se të duhet energji. Dhe kështu papritur, me gjithë këtë ngarkesë ditore, ti sheh që nata ka zbritur në qiellin e pafund...


(Etleva Qorri, mësuese e shkollës “Murat Toptani” në Tiranë)



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,587 Lexime
4 vjet më parë