UILLIAM GILBERT

Uilliam Gilbert, fizikani i parë i kohëve moderne.

Uilliam Gilberti njihet si shkencëtari i parë më i madh anglez dhe ndoshta si fizikani i parë i kohëve moderne. Fusha kryesore e studimeve të tij ka qenë magnetizmi, ku ka arritur deri në zbulime epokale.


Kronologji

• Në vitin 1569 u diplomua në Universitetin e Kembrixhit.

• Në vitin 1600 boton veprën Mbi magnetin, trupat magnetikë dhe

magnetin e madh, Tokën, vepra e parë madhore shkencore në Angli.

• Nga viti 1600 deri në vitin 1603 shërben si mjek në oborrin e mbretëreshës Elizabeta I.


Uilliam Gilberti njihet si shkencëtari i parë më i madh anglez dhe ndoshta si fizikani i parë i kohëve moderne. Fusha kryesore e studimeve të tij ka qenë magnetizmi, ku ka arritur deri në zbulime epokale. Por, edhe pse këto zbulime e bënë atë të njohur, jo më të parëndësishme, për të mos thënë edhe më të çmuara, ishin metodat e tij të kërkimit.


KOHËRA TË RREZIKSHME

Ka qenë bashkëkohës i Shekspirit dhe i Elizabetës I, në oborrin e së cilës ka qenë mjek që nga viti 1600 deri në vitin 1603. Ka jetuar në kohën kur Anglia ende ishte e përfshirë nga paragjykimi dhe fanatizmi fetar. Qasja racionale ndaj shkencës edhe këtu ka qenë një dukuri shumë e rrallë, përveç disa prirjeve më të hershme europiane, si, për shembull, vëzhgimet e Leonardo da Vinçit, për të cilat Gilberti nuk ka pasur dijeni. Por ai ka njohur veprën e Kopernikut, të cilën e ka mbështetur fort, gjë e rrezikshme për kohën, kur në vende të tjera të Europës, njerëz si Xhordano Bruno dhe më pas Galileo Galilei, për shkak qëndrimeve të ngjashme, janë përndjekur ose ekzekutuar. Vepra e parë e Gilbertit “Mbi magnetin” konsiderohet si një nga tekstet e para shkencore në histori.


METODAT E REJA

Kur kemi këto fakte në mendje, atëherë qasja shkencore e Gilbertit është akoma më e pabesueshme. Në mënyrë të pakrahasueshme, ai refuzoi të gjitha njohuritë në lidhje me lëndën që kishte studiuar në të kaluarën, përfshirë edhe ato të autoriteteve “antike”, dhe vendosi të bazohej vetëm në prova bindëse. Edhe pse për lexuesit bashkëkohorë një qasje e tillë dukej shumë e natyrshme, nga feja dhe paragjykimet ishte ndaluar tërësisht mënyra racionale e të studiuarit. Vepra e Gilbertit i hapi rrugë revolucionit shkencor. Për këtë arsye, vepra e tij kryesore Mbi magnetin, trupat magnetikë dhe magnetin e madh, Tokën, e vitit 1600, konsiderohet si një nga tekstet e para të vërteta shkencore. Kjo vepër ishte rezultat i vëzhgimeve dhe i eksperimentimeve të vështira, të kryera për vite të tëra, të cilat Gilberti i ndërmori për të mësuar sa më shumë mbi magnetizmin dhe elektricitetin (term i përdorur prej tij), si dhe për të zhvlerësuar besëtytni të deriatëhershme. Për shembull, Gilberti u përpoq të zhvlerësonte paragjykimin se hudhra mund të prishte saktësinë e busullës me gjilpërë magnetike, si dhe shumë të tjera.


NGA EKSPERIMENTI TE PËRFUNDIMI

Me eksperimentet e veta Gilberti provoi se magneti sferik ndikon në gjilpërën e vogël magnetike, duke e rrotulluar atë në drejtim të Polit të Veriut ose Polit të Jugut, varësisht se në cilin vend afër sferës gjendet gjilpëra, dhe se gjilpëra magnetike anohet ndaj sipërfaqes së sferës. Me këtë, në të vërtetë, ai sqaroi sjelljen e busullës normale në kushte të zakonshme në të gjithë botën. Nga këtopërfundime ai arriti deri në konstatimin se Toka, në të vërtetë, është një magnet i madh dhe sillet sikur mes për mes i kalon një shufër magnetike (shkak i animit të gjilpërës magnetike), në skajet e së cilës janë Polet e Veriut dhe të Jugut. Edhe pse këto fakte janë vërtetuar pas disa qindra vjetësh, ato kanë pasur domethënie epokale shkencore, ku zë fill kuptimi i vërtetë i fizikës së Tokës dhe i fizikës së hapësirës të gjera të universit.


FORCAT E PADUKSHME

Në vazhdim të studimeve të veta, Gilberti hodhi mendimin se magnetizmi kishte rol edhe në vendosjen e planetëve në orbitat e tyre. Kështu, për herë të parë u shfaq koncepti i forcave të padukshme, që sqaronte sjelljen e trupave qiellorë, gjë që më vonë i erdhi në ndihmë Galileit dhe Njutonit. Gilberti gjithashtu gjykoi saktë se atmosfera e Tokës nuk ka ndonjë thellësi të madhe dhe se pjesa më e madhe e hapësirës mes planetëve është e zbrazët. Duke eksperimentuar me qelibarin, për të cilin dihej se mund të shkaktonte elektricitet statik, ai sugjeroi se mund të ekzistonte një lidhje ndërmjet elektricitetit dhe magnetizmit, kështu paraqiti edhe një teori, e cila u vërtetua fuqishëm pas disa qindra vjetësh


Arritje te tjera

Përveçse ka këmbëngulur në metodat bashkëkohore të kërkimeve shkencore, Gilberti futi në përdorim edhe terma të rinj, si: poli magnetik, forca elektrike dhe tërheqja elektrike. Prej tij mori emrin edhe njësia e forcës magnetiko-motore. Gjithashtu ishte i pari që popullarizoi termin “elektricitet”. arritje të tjera Gilberti ndihmoi për tronditjen e shumë besimeve popullore mbi magnetizmin, si ai që diamanti mund të magnetizojë hekurin. Një kontribut tjetër i madh në shkencën për magnetet dhe magnetizmin ishte zbulimi se Toka sillet si shufër magnetike, në skajet e së cilës janë polet magnetike.



Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai

(Portali Shkollor)

2,900 Lexime
6 vjet më parë