Udhëzues metodik për paketën “Një hap drejt shkollës”
Paketa shoqërohet me udhëzuesin metodik (librat e mësuesit) dhe janë hartuar në bazë të programit të MAS-it dhe realizojnë objektivat e tij. Udhëzuesi ndihmon mësuesin dhe prindin dhe të punojnë me fëmijën. Aty zbërthehen objektivat e temave.
Zbërthimi i temës. Në çdo faqe të tekstit të fëmijës janë paraqitur, me anë të situatave dhe materialit figurativ dhe ilustrativ, njohuritë bazë gjuhësore, shkencore, sociale, artistike që duhet të fitojë fëmija. Në librat e mësuesit ofrohen metoda e teknika të larmishme, si dhe sugjerohet baza materiale që i nevojitet mësueses/prindit për zbërthimin e saktë të informacionit të dhënë në tekstin e fëmijës. Me anë të shembujve, ideve dhe sugjerimeve nxitet mësuesja/prindi për realizimin e tij, duke trajtuar veprimtari që zhvillohen si në orët e parashikuara në program, por edhe për mbulimin në mënyrë efikase të të gjithë kohës që fëmija qëndron në kopsht. Kjo ndërthurje është bërë me synimin që të krijohen modele të arrira të mësimdhënies, duke gërshetuar nxënien dhe edukimin, procese këto të pandara dhe njësoj të rëndësishme.
Përvetësimi i njohurive. Pyetjet e rubrikës së bashkëbisedimit e nxitin fëmijën të flasë për njohuritë që ka, por e bëjnë të reflektojë dhe të rrëfejë përvojat vetjake, duke bërë lidhjen e asaj që mëson me jetën e përditshme. Ato janë ndërtuar me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme dhe e nxitin fëmijën të vëzhgojë me kujdes botën përreth dhe të zbulojë të panjohurën e të mësojë për të. Duke u nisur nga vetvetja dhe duke përvetësuar bashkë me të tjerët njohuri të reja, fëmija bëhet i sigurtë, shmang ankthin dhe i shpreh lirshëm mendimet dhe emocionet e tij.
Veprimtaria e pavarur e fëmijës. Një nga etapat më të rëndësishme të të nxënit është nxjerrja e një produkti ng vetë fëmija. Puna krijuese, si: vizatimet, ngjyrosjet, aplikacionet, mbjellja e luleve, kujdesi për to e veprimtari të tjera, si dhe plotësimi i detyrave/kërkesave të tekstit bhen hap pas hapi dhe vazhdimisht të shoqëruara me bashkëbisedim dhe shpjegim, në mënyrë që asnjë fëmijë tëmos mbetet prapa, edhe në rast kur nuk e kupton. Këto veprimtari i rritin fëmijës vetëbesimin, i nxitin shpirtin krijues dhe i ngulitin më mirë njohuritë e fituara.
(Portali Shkollor)
Arsimi parashkollor në fokusin e reformave të plota arsimore
Çfarë kërkojnë fëmijët nga babysitter-i tyre?
Përgatitja e fëmijës për të shkuar në çerdhe dhe kopsht, disa mënyra praktike