Orë model me fëmijët e çerdhes 24
Nën kujdesin e drejtoreshës së Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, znj. Zhaneta Beqiri, sot çerdhet e Tiranës kanë një standard të ri për realizimin e programit të edukimit.
Sot zgjodhëm të sjellim për ju një orë model nga çerdhja nr. 24, me temë: Profesionet.
Në fillim të orës edukatorja u paraqiti fëmijëve disa foto dhe i pyet ata se ku kanë parë policë. Më pas ajo u tregon se policët ndihmojnë njerëzit të luftojnë keqbërësit, të parandalojnë veprime që u shkaktojnë dëme dhe dhimbje të tjerëve etj. Në këtë çast, në klasë hyjnë tre përfaqësues të policisë. Ata u treguan fëmijëve për profesionin e bukur dhe të vështirë të tyre. Fëmijët dëgjonin me kureshtje të madhe teta policen dhe dy policët e tjerë, kur flisnin për punën e tyre, si ndihmonin fëmijët dhe qytetarët.
Xhaxhi Emiljano, kryepolici i zonës ku ndodhet çerdhja, u tregoi uniformën e tij, karakteristikat e paletave, kur janë me yje dhe kur me stemë. Ai u tregoi fëmijëve se detyra e tij ishte të kujdesej për të gjithë lagjen dhe banorët e saj, sidomos për çerdhet, kopshtet dhe shkollat e kësaj zone, që fëmijët të jenë të sigurt.
Xhaxhi Redi nga policia bashkiake, u tregoi pse uniforma e tij ishte ndryshe nga ajo e xhaxhi Emilianos. Detyra e tij ishte të rregullonte qarkullimin rrugor. Ai u tregoi bilbilin, tabelën dhe radiomarrësen, si mjetet e tij të punës. U foli fëmijëve për tabelat rrugore dhe vijat e bardha dhe se ata duhet të kishin shumë kujdes kur ecnin në rrugë.
Kurse teta policja u tregoi fëmijëve se edhe vajzat mund të bëhen police mjaft të zonja. Ajo u tregoi uniformën e saj, me kapelë dhe kravatë, puna e saj ishte në zyrë, ku merrte ankesat nga njerëz të ndryshëm dhe u zgjidhte problemet atyre. Gjithashtu, u tregoi se puna me turne në polici ishte mjaft e vështirë, por dhe shumë e bukur, sepse ndihmonte njerëzit.
Në fund edukatorja i pyeti nxënësit se a u pëlqente të bëhen policë, a i kanë xhan policët dhe a kishin frikë prej tyre. Përgjigjet e fëmijëve ishin nga më të ndryshmet dhe mbresëlënëse. Ora u mbyll me duartrokitje dhe foto të fëmijëve me punonjësit e policisë.
Këto aktivitete për njohjen e profesioneve nga afër, po shtrihen në çdo çerdhe të Tiranës, falë standardit të ri të drejtoreshës së QEZHEF-së.
Është për t’u përgëzuar iniciativa dhe përkushtimi i drejtoreshës së çerdhes 24, znj. Mirela Terova, e cila punon seriozisht për programin e kësaj grupmoshe dhe në bashkëpunim me stafin realizon gjithmonë orë model.
(Përgatiti për Portalin Shkollor: Sevi Lami Agolli)
Udhëzues metodik për librin “9 miqtë e mi”
“Dua të bëhem mjek”
Udhëzues metodik për paketën “Një hap drejt shkollës”