Reflektim

Udhëkryqet e nxënësve dhe mësuesve organizatorë nën atmosferën festive të nëntorit

Nëntori sjell atmosferë festive e reflektuese për nxënësit dhe mësuesit, duke nxjerrë në pah identitetin kombëtar. Përgatitja e aktiviteteve kërkon angazhim të madh, duke sfiduar ruajtjen e balancës mes detyrimeve akademike dhe përfshirjes aktive në eventet e shkollës. Shkrim reflektues nga Evans Drishti.

Shkroi Evans Drishti 


Nëntori i artë sjell atmosfera të larmishme festive dhe përjetuese, të cilat jo vetëm na dërgojnë në retrospektivë, por na ripërtërijnë dhe gjallërojnë mendjet dhe shpirtrat tanë për të kuptuar më së miri vlerën identitare të të qenurit shqiptarë. 

Por, 

sa ç’është me peshë kjo, po aq me peshë e rëndësi mbetet edhe përgatitja rigoroze e nxënësve dhe angazhimi serioz i mësuesve në realizimin sa më madhështor të këtyre atmosferave festive, 

Kjo sepse, të tilla atmosfera shënojnë historikun e brezave të tërë. 

Një pyetje e thjeshtë lind natyrshëm: 


Sa dhe si e gjejnë mundësinë nxënësit dhe mësuesit orientues dhe organizatorë për realizimin me profesionalizëm të këtyre ngjarjeve? 

Sa i mbështet kurrikula dhe struktura shkollore këto nisma të domosdoshme? 


Mjafton t’u hedhim një sy të thjeshtë vetëm disa prej këtyre përgatitjeve: 

  • Organizimi i fjalës artistike 2024 
  • Përgatitja për zhvillimin e olimpiadave kombëtare 
  • Përkujtimet e përvjetorëve të personaliteteve historikë të kombit 
  • Përkujtimi i 80 vjetorit të çlirimit të vendit 
  • Përjetimi dhe festimi i Pavarësisë së Shqipërisë 
  • Panairi i 27-të i librit 
  • Të ndryshme... 


Teksa në pikënisje të fillimit të këtij viti shkollor u bë mjaft viral diskutimi, me shumë të drejtë padiskutim, për çështjen e rënies së numrit të nxënësve në institucionet tona arsimore, vijmë në një tjetër rrethanë, tashmë të njohur, të një numri të paktë edhe të vetë nxënësve organizues të këtyre ngjarjeve. 


Mësuesit organizatorë të këtyre ngjarjeve, dhe jo vetëm, punojnë me shumë përkushtim dhe profesionalizëm në: 


  • evidentimin e nxënësve të talentuar në interpretim, 
  • përcaktimin e aftësive përkatëse, 
  • afrimitetin e nxënësit me librin, 
  • përzgjedhjen e materialeve të duhura, në tekste poetike, në dramë, në prozë, në tragjedi apo satire, 
  • përzgjedhjen e teksteve të duhura historike, letrare, jo letrare, përshkruese, rrëfyese, argumentuese, informuese, 
  • përputhshmërinë e materialit letrar me natyrën dhe aftësitë që përcjell nxënësi pjesëmarrës, 
  • zbërthimin e kontekstit të fragmentit të përzgjedhur për të ardhur sa më i qartë dhe i pranueshëm tek nxënësi interpretues, 
  • evidentimin e fjalëve kyçe dhe figuracionit për ta bërë tekstin sa më të përjetueshëm dhe për të nxjerrë vlerat stilistikore të tij, 
  • përcaktimin e fjalëve që duhen theksuar për t’u dhënë peshën dhe vlerën e duhur momenteve të rëndësishme të fragmentit, 
  • orientimin e saktë për intonacionin ngritës dhe zbritës, si një mënyrë për të përcjellë emocionet, 
  • respektimin e peshës që mbartin shenjat e pikësimit, si një lehtësim për interpretuesin dhe reflektim të dëgjuesit, 
  • nxjerrjen në pah të pikave kulmore të fragmentit, për të ardhur sa më i qartë tek dëgjuesit, 
  • orientimin e drejtë dhe të saktë në përputhshmërinë e interpretimit me gjuhën e trupit, si një mënyrë efikase për të komunikuar me dëgjuesit, 
  • zhvillimin tek nxënësi të aftësisë për një shqiptim të drejtë dhe të plotë të fjalëve në gjuhën shqipe, 
  • përcaktimin dhe ndarjen e fragmenteve si për një nxënës ashtu edhe për nxënësit në grup për t’ua lehtësuar ngarkesën nxënësve interpretues dhe për të ardhur sa më e çlirët tek të pranishmit, 
  • përputhshmërinë dhe përshtatjen e fragmentit të përzgjedhur me kontekstin e ngjarjes, pra përcaktimin e teksteve të ndryshme në kontekstin e festimeve që zhvillohen, 
  • koordinimin që duhet të mundësojë interpretimi i nxënësit apo i grupit të nxënësve me sfondin muzikor me qëllim krijimin e një atmosfere sa më reflektuese dhe përfshirëse, 
  • lidhjen dhe përshtatjen e fragmenteve me nxënësit e cikleve AMU dhe AML, në mënyrë që çdo fëmijë ta gjeje veten sa më komod dhe ta shijojë atë që interpreton. 


Me zbardhjen e këtyre nxënësve të përshtatshëm për realizimin e këtyre ngjarjeve, mësuesit organizatorë detyrohen të përballen me një tjetër “sfidë”, me atë të “bindjes së nxënësit” për të marrë pjesë në të tilla ngjarje. 


I vënë përballë realiteteve të tilla, nxënësit në shumë raste shfaqen të tërhequr, pasi me plot të drejtë vënë në balancë dy elemente mjaft të rëndësishme: 


  1. Koha e duhur për t’u përgatitur për mësimet e përditshme me synimin e mirëfilltë në arritjen e rezultateve të suksesshme 
  2. Koha e duhur për të përgatitur materialin e ofruar nga mësuesi organizator për një pjesëmarrje sa më dinjitoze dhe të suksesshme në eventet në fjalë. 


Prandaj, në raste të tilla mbetet i domosdoshëm “koordinimi institucional” dhe ai “ndërinstitucional”. 


Që do të thotë: 


Nxënësit dhe mësuesit organizatorë janë të detyruar të shfrytëzojnë hapësira të ndryshme gjatë procesit mësimor të ditës si: 


- Duke marrë kohë nga orë të caktuara mësimore;

- Duke u organizuar në kohë të pushimeve të shkurtra apo pushim të madh; 

- Duke u organizuar para nisjes së mësimeve në orët e para të mëngjesit; 

- Duke u organizuar pas procesit mësimor (në varësi të hapësirave të mundshme);

- Duke u organizuar në fundjava.


Në secilën prej rasteve nxënësi detyrimisht merr kohë dhe shkëputet nga përgatitja e zakonshme e procesit mësimor, ndaj kërkohet bashkëpunimi institucional, ku mësuesit e lëndëve përkatëse janë të detyruar të angazhohen veçmas me nxënësit organizatorë për plotësimin e boshllëqeve të krijuara në mungesë të procesit mësimor. 


Vetë drejtoria e institucionit të shkollës është e detyruar të angazhohet maksimalisht në ofrimin e një hapësire dhe kohe të duhur si për përgatitjet e projekteve kurrikulare dhe ekstrakurrikulare ashtu edhe për realizimin e konsultimeve për nxënësit aktivistë. 


Nga ana tjetër, vetë mësuesit organizatorë të ngjarjeve duhen lehtësuar ndjeshëm nga ngarkesa e madhe e programit mësimor. Dihet që në platformën e sistemit parauniversitar, një mësues që merret me organizimin e aktiviteteve sociale dhe kulturore në shkollë ngarkohet me 3 (tre) orë mësimore javore për realizimin e këtyre proceseve përgatitore. 


Lind pyetja: 

A janë të mjaftueshme këto orë për të tilla realizime profesionale? 


Natyrshëm që jo! 

Nuk përbën asnjë sens fakti që mësuesi koordinator i organizimeve kulturore të zhvillojë njëherazi edhe orët mësimore edhe organizimin e projekteve kulturore duke patur parasysh se s’mund të sjellë produktivitetin e kërkuar në të gjitha aspektet. 


Gjithashtu mësuesit organizatorë dhe nxënësit aktivistë duhen mbështetur patjetër si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në atë material. Mos të harrojmë se nxitja psikologjike dhe shpirtërore tek nxënësit nga ana e profesionistëve mbetet gjithnjë një çelës suksesi për të gjitha arritjet. 


Nxënësit aktivistë kanë nevojë të kenë kohën e duhur në dispozicion: 

- për ta lexuar tekstin e dhënë, 

- për ta kuptuar, 

- për ta arsyetuar, 

- për t’u përfshirë në kontekstin përkatës, 

- për ta përjetësuar, në mënyrë që ta sjellin sa më origjinal dhe të ndjerë tek të pranishmit. 


Nisur nga fakti se në shumë raste vihen re “abuzime” në përzgjedhjen e teksteve duke mos u ofruar nxënësve pjesë sipas moshës dhe natyrës së tyre, mbetet një domosdoshmëri përpilimi i një planprogrami orientues dhe mbështetës që duhet të ofrojë tekste të duhura që do përdoren për realizimin e të tilla projekteve. 


Çdo arritje e nxënësve të suksesshëm është një dëshmi e qartë dhe një tregues që shënohet në CV-në e tyre, që padyshim do të jetë si një pasaportë e jetës në vazhdimësi. Çdo nxënës i suksesshëm kërkon të jetë edhe një aktivist i mirë edhe një pjesëmarrës i denjë i një olimpiade kombëtare e ndërkombëtare. Nëpërmjet pjesëmarrjeve të shumta në organizime të ndryshme sociale, kulturore dhe shkencore nxënësi plotëson identitetin dhe intelektualitetin e tij duke plotësuar kështu atë CV, që do ta prezantojë në çdo aplikim për punësime të ndryshme. A nuk përbën kjo, një qëllim jetësor?!...  




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,407 Lexime
1 muaj më parë