“Thesar lumturie” nga Rafaela Llakmani

“Thesar lumturie” është shkrimi letrar i mësueses Rafaela Llakmani, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

“Thesar lumturie” është shkrimi letrar i mësueses Rafaela Llakmani, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i. 





Fillimisht ngjante me një nga ato ditët e zakonshme, rutinë për një amvisë, kur të duhet të pastrosh shtëpinë, por ai zbulim i papritur e bëri krejt të veçantë. 


Ditë vere. I kishte ardhur radha sistemimit të bibliotekës. Po të mos ishte aty edhe rrëmuja e dy çamarrokëve të mi, do të pastroja shpejt pluhurin e librave dhe do të kisha mjaft kohë për punë të tjera. Gjithsesi kjo lloj rrëmuje më pëlqente…


Kishin kaluar disa minuta që prej fillimit të punës, kur sytë më shkuan te një kuti kartoni në qoshen e raftit të poshtëm të dollapit. M’u duk si diçka që e kisha harruar prej kohësh aty. E mora në duar sikur të kisha bërë zbulimin e një thesari, pasi ato për të cilat do t’ju flas më poshtë janë vërtet thesare.


I fshiva pluhurin dhe e hapa me plot kureshtje. Të gjitha ishin aty, që prej vitit të parë të punës. Aroma e letrës së vjetër më krijoi një ndjesi përmallimi për ato vite të shkuara. Kisha zgjuar kujtimet e mia…


Kartolina urimi për festën e mësuesit dhe festat e fundvitit, të përgatitura nga doçkat e vogla me shumë përkujdesje dhe dhjetëra letra me madhësi të ndryshme, të palosura me kujdes dhe ndonjëherë të zhubrosura filluan të më trazonin kujtimet e ditëve kur ato kishin përfunduar tek unë nga nxënësit e mi. 


Fytyrën ma përshkoi një buzëqeshje dhe mendova: “Sa mirë që janë ende aty…!” 


Në fakt nuk kishte mundësi të mos ishin aty. Është në karakterin tim kujdesi për gjëra të tilla, duke i ruajtur për vite të tëra me fanatizëm, por gjithashtu është edhe një arsye tjetër “Nëse i hedh, kam vrarë ndjenjat e tyre.”

Secila prej tyre ka brenda një histori, ka plot buzëqeshje, lot gëzimi, mirënjohje, dashuri, respekt, përqafime etj…


***


01.09.2015, dita ime e parë e punës si mësuese. Mjedis i ri, njerëz të panjohur, fytyra të ëmbla që më shikonin me admirim. Nëse iu jepje një buzëqeshje, të dhuronin me dhjetëra. Momente të papërshkrueshme. Isha plot padurim për t’u nisur në rrugëtimin e bukur që më priste. E etur për të mësuar plot gjëra të reja, pa menduar për pengesat që do të më dilnin përpara. I kisha marrë parasysh të gjitha. Do t’u dilja përballë sfidave, pasi vetëm kështu do të arrija të mësoja nëse do të kisha fitore apo humbje. 


20 fytyra të ëmbla mezi prisnin të më përqafonin. Ishte e drejtë apo jo, nuk e mora parasysh këshillën e disa kolegeve për të mbajtur qëndrim të ftohtë ndaj 11-vjeçarëve, për të fituar autoritet, por bëra thjesht atë që ndjeva, duke iu ofruar gjithë kujdesin dhe dashurinë time 


Se cila nga mënyrat është më e mira, për të vendosur autoritetin tënd në këtë profesion nuk e di, por di që në ditët që pasuan m’u kthyen mbrapsht, shumëfish, dashuria, buzëqeshjet, mirënjohja, respekti… Ndihesha e lumtur, e plotësuar…



Duke shfletuar midis letrave të vogla, të shumta, lexova disa vjersha plot humor dhe ndjenja pafajësie, që më kishin kushtuar shkrimtarët e mi të vegjël. Urimet për festat ishin me shprehjet më të bukura të përzgjedhura për raste të tilla, fjalë prej zemrave të tyre.


Letra falënderimi, mirënjohjeje… faljeje. Ndalova te kjo e fundit dhe e lexova me kujdes. Nuk kishte emër në të, por unë e dija fare mirë se kush ma kishte shkruar. Ishte e një vajze… Atë ditë që ma dha, u përlota. “Të më kërkosh falje? Përse? Ti nuk ke bërë asnjë gabim”, - i thashë . “ Po ja… ne të kemi mërzitur shumë si klasë me zhurmat, problemet që të kemi sjellë me mësuesit e tjerë … dhe mendova të të shkruaj këtë letër…” 


Nuk mundi të vazhdonte më gjatë. I dhashë një përqafim. Kur e pashë të largohej e buzëqeshur, kuptova se i kisha hequr një peshë të rëndë nga ndërgjegjja e saj …


Nga këto kujtime më përmendi melodia e një kartoline me trëndafila të kuq. E mbylla menjëherë, pasi kjo do të tërhiqte vëmendjen e vogëlushëve të mi, të cilët do të ma “përlanin” thesarin që kisha gjetur.


Një letër e zhubrosur ndolli kureshtjen time. E hapa. Dallova shkrimin e çrregullt në të dhe m’u mbushën sytë. Nuk mundja ta harroja fytyrën e saj engjëllore. Jeta e kishte dënuar me fatin më të keq, të rritej pa nënë. Në fakt kjo ishte një pjesë e fatit të keq, pjesa tjetër rëndonte mbi vetë atë…


Shumë e dhimbshme ta shikoje se si stërmundohej të shkruante diçka. Bënte përpjekje të mëdha, luftonte me veten. Një besim dhe guxim që nuk e kam parë tek askush tjetër deri tani…


20.01.2018, dita kur u largova përkohësisht nga puna, për të sjellë në jetë fëmijën tim. Ishte ora e fundit me atë klasë që më kishte falur vetëm momente gëzimi. Papritur trokiti dera. Fillimisht hynë disa tullumbace dhe një tufë lulesh dhe më pas u dukën fytyrat e ëmbla të nxënëseve të mia. Ishte një çast magjik që nuk kam për ta harruar kurrë…


Me duart që i dridheshin nga emocionet dhe pamundësia fizike dhe me një buzëqeshje të pafajshme ajo më tha: “Këtë letër e kam shkruar për ty mësuese. Do të më mungosh shumë…”


Nuk dua të tregoj më tepër se çfarë ndodhi, pasi kuptohet vetë, por dua të them se ne mund të ndikojmë shumë në jetën e dikujt. Mund t’ia ndriçojmë ose t’ia errësojmë atë. Pak humanizëm nuk na kushton asgjë, madje na bën të ndihemi më mirë… njerëz…


Një “Maaa” e gjatë më solli në vete dhe nxitova të fshihja mrekullinë e zbuluar.


I vendosa të gjitha, siç ishin, mbylla kapakun e kutisë dhe e lashë të flinte sërish aty atë thesar lumturie…



Rafaela Llakmani

Rafaela Llakmani ka lindur më 04.09.1987 në qytetin e Korçës. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, në degën gjuhë shqipe dhe letërsi, në Universitetin “Fan. S. Noli” në këtë qytet. Në vitin 2015 filloi punë si mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë pranë shkollës 9-vjeçare “Kolë Koci” në Pogradec, ku vazhdon edhe tani të ushtrojë profesionin. Pasioni më i madh i saj është leximi. Parapëlqen kryesisht veprat në prozë. Gjithashtu i pëlqen të shkruajë lidhur me tematika të ndryshme. Në të ardhmen mendon të realizojë diçka për të përmbushur veten, pse jo edhe për lexuesin më gjerë. 




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,873 Lexime
1 vit më parë