Të rilexosh "Tom Sojerin"
Rileximi i "Tom Sojerit" të rikthen në kujtesë ndjesitë e fëmijërisë. Tomi do të na sjellë më pranë fëmijëve e do t’u bërtasim më pak për veprimet e tyre të pamenda që rrjedhin nga kureshtja, fantazia e dëshira për të krijuar e për t’u rebeluar.
Jam e bindur, që ashtu si unë, shumë prej prindërve shqiptarë kanë një listë në kokë me librat që duhet të lexojnë fëmijët e tyre, një listë që lidhet me leximet e tyre vetë në fëmijëri, sepse duan që edhe fëmijët e tyre të provojnë të njëjtat emocione që kanë provuar ata vetë kur i kanë shfletuar në vegjëli. Nuk është fare e habitshme, që kjo listë e trashëguar brez pas brezi të ketë tituj klasikë si: “Pipi çorapegjata”, “Aventurat e Çufos”, “Xhim Kopsa e Lukas Makinisti”, “Banorët e qytetit Sdikuisht”, “Aventurat e Pinokut”, “Liza në botën e çudirave”, “Tregime të moçme shqiptare”, “Aventurat e Tom Sojerit”, etj. etj. E gjithë kjo është një trashëgimi e gjatë letrare që ngadalë po kthehet në një ADN kulturore për shqiptarët dhe mirë bën.
Për shkak të dashurisë që ushqeja për Tom Sojerin, u ndjeva e nderuar kur botimet Albas më propozuan të sillja një përkthim të ri të aventurave të tij. Të përballesh me idhujt e fëmijërisë të ngjall sa adhurim, edhe frikë. A do të ishte pas gjithë këtyre viteve Tom Sojeri për mua po aq i dashur sa kur e kisha lexuar në fëmijëri?
Duhet ta kem lexuar Tomin rreth moshës 10-11 vjeç, mbaj mend ta kem lexuar në “shtëpinë e re”, një apartament nga parafabrikatet e sapondërtuara me punë vullnetare në lagjen tonë, po çuditërisht nuk kujtoj ta kem lexuar në dhomën time, po në krah të shtratit dopio në dhomën e prindërve. Kam një ndjesi që ishte një lexim “pak si fshehurazi”, edhe pse në familjen tonë nuk na kanë ndaluar kurrë të lexonim ndonjë libër. Mbaj mend që ato që kalonte Tomi e shokët e tij, ishin emocione sa të njohura, aq edhe të panjohura. Nuk i kujtoja detajet e librit, në mendje më ishin skalitur vetëm stereotipi i Tomit dhe i Hakëlberrit, më së shumti për faktin që ishin çapkënë dhe thyenin rregulla. Mbase pse këto ishin tipare me të cilat lidhej personaliteti im (ndërkohë besoj se tani e keni kuptuar që kam një kujtesë fotografike elefanti, siç më thonë rëndomtë miqtë e ngushtë). Kur iu riktheva librit pas 30 vjetësh, kujtova emocionet e vjetra që kisha përjetuar dikur dhe zbulova krejt të reja, çka në fakt është magjia që fshihet pas rileximit të një libri.
Ndërsa kaloja faqet m’u kujtua se duke qenë pranë moshës së Tomit, ishte më se normale që më kishte bërë përshtypje lidhja romantike me Bekin. Ishin vitet kur po i vinte fundi komunizmit dhe të lexoje se Tomi puthte Bekin dukej sikur po lexoje pornografi, në një brez ku gjithçka që lidhej me seksin e me dashurinë ishte tabu. Tom Sojeri ishte një rreze drite me mosbindjen e tij, në një shoqëri ku duhet të ishe manar, madje shumë më i rrezikshëm se fjala bie, Pipi çorapegjata, pasi ai ishte i vërtetë, rritej një familje të vërtetë në ndryshim nga rrethanat e Pipit, që e bënin figurën e saj pak më abstrakte. Tomi bënte edhe çapkënllëqe që ti do të guxoje t’i bëje, si shfletimi fshehurazi i librit me figura lakuriqe të mësuesit, aq edhe të paimagjinueshme për një fëmijë qyteti, si arratia drejt ishullit, po gjithsesi këto ia justifikoje me faktin që Tomi jetonte në fshat dhe kur ti,për shembull, shkoje ndonjë javë te tezja në fshat e kishe provuar edhe vetë që liria ishte krejt tjetër gjë nga ajo e qytetit.
Po le të rrimë te skena që më kishte lënë gjurmë në fëmijëri: Tomi e kishte puthur Bekin dhe kjo të ngrinte flutura në stomak, kur ti, si fëmijë që sa po filloje të zbuloje ndjesi të reja të adoleshencës, s’e kuptoje se ç’ishin, në ishin mirë a keq, nëse po gaboje apo jo, mos duhet ta mbaje të fshehtë… po Tomi i kishte thënë që e donte, e kishte puthur, kishin folur për martesë… tmerruese! Po sikur ndonjë nga djemtë e klasës, ai që të pëlqente pak më shumë se të tjerët, të lexonte Tomin e të vepronte si ai? Po të të puthte do t’ia rrasje me shpullë. Si mund të të puthte njëherë?! Qashtëria prej manastiri i botës fëmijërore në shtetin komunist shqiptar ishte shpartalluese. Aq e fortë ishte heshtja mbi temat e dashurisë, sa ishte më kollaj të besoje se lindje nga sqetullat sesa nga një akt dashurie. Kurrkund nuk flitej për dashurinë, përveçse të asaj për partinë, ndaj sot më duket më se normale që kjo skenë të më kishte tronditur aq.
Rileximi pas 30 vitesh, në fakt, më solli në vëmendje diçka fort të çuditshme. Në kujtesën time ishte fshirë krejtësisht mënyra se si vdiste indiani Xho. Në leximin prej të rriture imagjinova përpëlitjet e një njeriu, që nuk gjen mjete të mbijetojë dhe fundi i tij ishte më tragjik se çdo vrasje e mundshme për të çuar të drejtën në vend. Dashuria mes Bekit e Tomit në botën moderne nuk ishte veçse një çikërrimë e pafajshme fëmijësh krahasuar me fundin e tmerrshëm të indianit Xho, po dhembshurinë për të ma përplasi turinjve veç pak rreshta më tutje Tueini vetë, duke më sjellë si gjithmonë me këmbë në tokë. Natyrisht që si e rritur asgjë nuk më ka argëtuar më shumë se ironia e hollë që karakterizon Mark Tueinin, një autor me shkrimet e të cilit nuk ka çast të mos e vë buzën në gaz, madje ndonjëherë të qesh edhe me zë. Imagjinata dhe ngjyrimi i tij gjuhësor të falin kënaqësinë që e ka provuar çdo përkthyes, i cili ka pasur fatin të punojë me librat e tij.
Nuk ka arsye pse t’ju ftoj ta rilexoni edhe një herë librin, e ka bërë vetë autori që në hyrje të tij, me pak rreshta që na kujtojnë se këto faqe jo vetëm do të rikthejmë në kujtesë ndjesitë e fëmijërisë (ashtu siç më ndodhi edhe mua), po edhe sepse Tomi do të na sjellë më pranë fëmijëve e do t’u bërtasim më pak për veprimet e tyre të pamenda që rrjedhin nga kureshtja, fantazia e dëshira për të krijuar e për t’u rebeluar. Nuk mund të kishte fund më të bukur për këtë shkrim, se fjalët e vetë autorit: “Edhe pse libri im ka më së pari synimin të argëtojë djemtë e vajzat, shpresoj që për këto arsye të mos lihet pas dore nga burrat e gratë, se kisha në plan që me shumë ëndje t’u kujtoja edhe të rriturve se si kanë qenë dikur dhe se si ndiheshe, si mendoje e si flisje, madje edhe në ç’mesele të çuditshme i ngatërroje këmbët”.
Anxhela Çikopano, përkthyese e klasikut të Mark Twain, “Aventurat e Tom Sojerit”, botuar nga Albas
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, prezantohet drafti
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani