“Përshëndetja e përditshme”, nga Laerta Rrumbullaku
“Përshëndetja e përditshme”, është shkrimi letrar i Laerta Rrumbullaku, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Çdo mëngjes, duke hyrë në shkollë, aty pranë portës së saj, e marrin vëmendjen time përshëndetjet që bëjnë prindërit me fëmijët e tyre. Me pak kujdes e shumë kërshëri e shikoj qartazi se secila prej tyre mban aq dashuri sa zemra e një prindi, përkujdes të dukshëm në dhënien e porosive duke u ledhatuar duar e flokë, inkurajim në fjalët motivuese, shqetësim dhe mbrojtje te këshillat e përsëritura disa herë dhe, me padiskutim, ka kaq shumë shpresë nga ajo që vjen e rrezatohet nga vetë bota e dijes.
Më kujtohet shprehja e cila ka prekur dyfish qenien time, si nënë dhe si mësuese: “Puna e një amvise dhe nëne nuk është më e mërzitshme se shumica e punëve të tjera, por përsa i përket rëndësisë së detyrës, asnjë punë nuk mund të konkurrojë me përgjegjësinë e formimit të një qenieje njerëzore”(Dr.James Dobson).
Ndoshta porositë e fundit te porta e shkollës janë dhënë, por për mua gjithçka fillon tani. Në morinë e përshëndetjeve të mia me nxënësit, të cilat kanë në thelb ftesën miqësore për të hyrë të sigurt dhe me përgjegjësi brenda klasës, ka ende një fjalë të pathënë, të mbetur pezull deri këtu, brenda klasës sonë…
Kjo është përshëndetja e Emilisë.
Emili është një vajzë e qetë, e menduar dhe e dashur. Ajo është nxënëse në klasë të katërt, me plot dëshira e pasione për jetën dhe bukuritë e saj.
Shëndeti i Emilisë vjen i brishtë, sidomos gjatë stinës së ftohtë të dimrit. Për këtë, asaj i duhet të mungojë hera-herës në shkollë, por asnjëherë nuk i neglizhon detyrat e saj edhe pse s'mund të jetë për disa ditë në mësim.
Çdo mëngjes, Emili hyn në klasë me faqet e skuqura nga ngjitja e shkallëve deri në kat të katërt ku ndodhet klasa jonë, me zërin paksa të ngjirur nga vështirësia në frymëmarrje dhe me një padurim të spikatur përshëndet:
- Mirëmëngjesi mësuese!
Sapo e merr përshëndetjen prej meje, vazhdon duke bërë me shenjë nga dritarja që ndodhet në të djathtën time:
-A mund ta përshëndes mamin?
Pasi merr aprovimin tim, afrohet pranë dritares dhe lëviz duart që i takon herë te buzët e saj të kuqe, herë i tund rishtas dhe thotë fjalë pothuajse të heshtura, aq sa duken sikur flet me vete, si: "Mirupafshim!", "Të dua shumë!", "Kalofsh bukur!". Të gjitha këto i shoqëron me një buzëqeshje që i shkon vesh më vesh.
Kjo përshëndetje është e përditshme dhe zgjat një deri në dy minuta. Këto pak minuta unë i marr e i përvetësoj si nxitje e motivim për të hyrë ndryshe në botën e fëmijëve, për të hyrë me aq delikatesë e kujdes sa përshëndetja e përditshme e Emilisë.
Këto pak minuta më bëjnë të mendoj për çdo fëmijë, për çdo zemër që rreh pothuajse njësoj, për përshëndetje të pathëna e të panjohura prej meje, por që secili i shfaq në mënyra të ndryshme, për jetën që shkon e fluturon në sytë tanë, për dashurinë që Emilia ndjen dhe e përcjell edhe përtej xhamit të dritares së katit të katërt të shkollës sonë, por që shënjon ditën e saj, të mamit të saj, pse jo edhe ditën time.
Emilia, sigurisht që është përshëndetur me mamin te porta e shkollës, por kërkon edhe një mundësi të dytë, një ritakim në distancë që të mund të vrasë largësinë e ndarjes, të pamundësisë, të mbajë pranë, qoftë edhe për pak minuta, dashurinë që i dhuron gjithçka, që duron gjithçka.
E përfshirë mes këtyre mendimeve, dëgjoj përsëri zërin e Emilisë, tashmë më të qetë e me frymëmarrje të rregulluar që thotë:
-Faleminderit mësuese!
Emilia më falënderon gjithmonë që ia mundësoj këtë "takim të përditshëm në distancë" me mamin edhe brenda shkollës.
Ia kam thënë dhe më duhet t'i them përherë Emilisë:
- Faleminderit ty, Emili, që nuk harron të japësh dashuri dhe mirënjohje çdo ditë! Faleminderit ty, Emili, që troket aq lehtas dhe zgjon magjinë e dashurisë në zemrën time!
Laerta Rrumbullaku
Laerta Rrumbullaku ka lindur më 24 nëntor të vitit 1977 në Këlcyrë/Përmet. Ka ndjekur studimet e larta për mësuesi në universitetin "Eqrem Çabej" Gjirokastër, në degën e ciklit fillor. Ka punuar 22 vite si mësuese, ku ka marrë pjesë në trajnime e konferenca të ndryshme, të cilat kanë ndikuar në rritjen e saj profesionale dhe kanë influencuar drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe formimin e nxënësve të saj. Një ndër pasionet që Laerta ka është të shkruarit në prozë dhe poezi. Aktualisht ajo punon mësuese në shkollën 9- vjeçare "Gustav Mayer" Tiranë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“7 Marsi ynë” nga Behare Kasa
“Më duket sikur jam pa atdhe...” nga Blerina Behari