SHKOLLA KOREOGRAFIKE

Statusi i veçantë i shkollës së mesme koreografike

Artisti është si analisti që “dëgjon me veshin e tretë”, përpunon tingullin dhe “lexon” midis rreshtave të lëvizjeve, duke vëzhguar dhe zbuluar thelbin e personalitetit artistik.

BLERINA ARBANA

 

Nuk ka kënaqësi më të madhe për një mësues, sesa kur sheh nxënësit e vet të rritur. Në art, kjo është më e dukshme. I sheh në skenë, në ekranet e televizioneve, teksa interpretojnë plot energji, bukuri, stil dhe elegancë. Ndihesh mirë kur sheh se ëndrrat dhe dëshirat e tyre nuk mbeten në mes, po marrin krahë e jetë dhe e ushqejnë bukurinë shpirtërore kombëtare në kufijtë e përjetësisë. Pas trukut të çdo personazhi, shquan një figurë të dashur. I dallon menjëherë në një lëvizje të trupit apo kokës, në një vështrim… Çdo gjë ka lënë gjurmë të tilla në jetën time që nuk mund të harrohet e tjetërsohet… Kujtime që lidhen me Shkollën e Koreografisë, ku ata u formuan profesionalisht, u mësuan me disiplinë dhe dashuri për baletin. Në këtë shkollë, të vetmen në Republikë, nxënësit bëjnë dyfishin e orëve mësimore që bëjnë shkollat e tjera. Prandaj, kjo shkollë ka dhe status të veçantë, të cilin ia jep natyra e saj, programi i saj specifik. 


Nuk është egoizëm të thuash se ata janë ushqimi estetik, shpirtëror, por edhe krijimi i një imazhi interesant e i pakrahasueshëm i një identiteti artistik, për të cilin ne luftojmë t’ua kultivojmë qysh në lindjen e pasionit të tyre e t’ua zhvillojmë me durim e këmbëngulje të jashtëzakonshme, sepse investimi i tyre për veten është investimi për të ardhmen. E them këtë, sepse kjo shkollë ndër objektivat kryesorë ka pasur dhe ka diplomimin dhe sigurimin e tregut të punës, përthithjen dhe trashëgimin e talentit, masivizimin e kërcimit dhe sensibilizimin e tij. Kjo falë faktit se shkolla jonë është me dyer të hapura, ku rezultati dhe talenti janë të matshëm e të prekshëm. Këtë e tregon prania e nxënësve tanë në të gjitha televizionet dhe veprimtaritë artistike, brenda dhe jashtë vendit.


Por nuk mund të hipësh në skenën e suksesit pa sallën e baletit të kësaj shkolle që të ka mbajtur mbi puante, ku ke gjakosur e fashuar gishtat, ku ke fluturuar nën tingujt e pianos, ke larë pluhurin me djersën tënde, ku je mbështjellë në vorbullën e gjeratoren e piruetës, në ritmin e saj marramendës, duke dalë sipër në lëvizjen e gjallërinë e jetës. Vlerat dhe kualitetet e vërteta këtyre nxënësve ua jep kjo shkollë, kjo çerdhe e pasionit që stimulon e zhvillon talentin e tyre dhe shtëpisë që të hap derën, të rrit dhe të ushqen. Nuk mund të hipësh në skenën e baletit pa përkushtimin e mësuesve të kësaj shkolle, të cilëve nuk mund t’ua kthesh shpinën asnjëherë, që kanë futur shpirtin në lëvizjet e kërcimit, që kanë harruar veten te këta nxënës dhe te suksesi i tyre. 


Unë nuk mund të harroj kurrë se rruga e jetës sime profesionale, po pse jo dhe personale, ka shoqëruese të para mësueset e mia Arjana Pertena dhe Nermin Ahmeti apo zyshë Pitin siç e quajmë të gjithë, që ushqyen pasionin tim për kërcimin me këmbënguljen dhe korrektesën e tyre të rrallë. Atyre u jam mirënjohëse pa fund e u puth duart, duke i falënderuar pa masë që më drejtuan e më bënë kjo që jam. Edhe karrierën time si drejtore e kam dhuratë nga ato. Të mençur, inteligjentë dhe të ndërgjegjshëm për perspektivën, njeriun e bën shkolla, të dallueshëm e bën talenti që, kur bashkohet me inteligjencën, të japin në dorë çelësin e suksesit. 


Këtë mësim të mësuesve të mi nuk e kam harruar kurrë dhe e kam pasur si moto lëvizëse në përvojën time jetësore, si nxënëse dhe mësuese, prandaj ua përsëris shpesh nxënësve të mi: “Suksesi nuk vjen vet, duhet ta kërkosh, duhet të rendësh në kohë e hapësirë, sepse çmimi i modernes sot është të vraposh drejt së panjohurës, drejt së pamundurës. Jeta është filozofi dhe sfidë, ëndërr dhe zhgjëndërr, ulje dhe ngritje, vetëm inteligjenca nuk mjafton, ndaj vëri sy asaj e mbushe me dritë për ta sfiduar dhe për të mos e çuar talentin dëm. Për të arritur majat e suksesit, duke çarë në rrugën e vështirë të jetës, kurrë mos hip në balonën e trishtimit, sepse ajo trembet nga qielli i kaltër dhe plas gjatë rrugës duke e synuar atë, duke e pasur zili, po pa e prekur dhe pa e kapur dot asnjëherë. Arti i kërcimit është arti i të qëndruarit fort me këmbët e tua mbi tokë, mbi skenë, ku shpalos thesarin e lëvizjeve, atë pasuri që e grumbullon ndër vite me kujdes e dashuri". 


Artisti është si analisti që “dëgjon me veshin e tretë”, përpunon tingullin dhe “lexon” midis rreshtave të lëvizjeve, duke vëzhguar dhe zbuluar thelbin e personalitetit artistik. Kërcimi është krijim, plazmim, zhvillim i energjive, shprehje e aftësive, që për individin është burim gëzimi dhe ky ka shoqëruar njerëzimin tridhjetëmijë vjet më parë, që kur njeriu ka krijuar artin. Baleti është një vlerë e veçantë, sepse është arti i konkurrencës, është një industri e dimensionimit të talentit, që i hap rrugën e suksesit kujtdo. Nuk është ideja që mbetet thjesht fantazi, por një ide e fantazuar që bëhet realitet në rrugën e gjatë të lëvizjes që quhet “jetë”, sepse një art që edukon dhe ushqen e kënaq ndjenjat e njeriut është i vërtetë, një art që s’e pranon gjymtimin, por përsosmërinë është përsosmëria vetë. 



Blerina Arbana, Drejtore e Shkollës së Mesme Kombëtare të Koreografisë

 

6,401 Lexime
5 vjet më parë