Ese

Fëmijëria, koha më e bukur që më është falur

…Duke luajtur, duke qeshur, duke u kënaqur. Jemi të zënë duke shijuar dhuratën që na është falur, sepse në sytë e mi, fëmijëria është një DHURATË.

Ç’do të thotë të jesh fëmijë? Të luash është mendimi i parë që të vjen në mendje. Të kënaqesh e ta shijosh çdo moment sikur të mos kesh një të dytë. Të qeshësh pa u kushtëzuar nga askush e asgjë. Të hedhësh hapat e parë drejt formimit të personalitetit. Të jesh i lirë të përdorësh imagjinatën tënde. Të jesh fëmijë do të thotë të jesh i pastër, i sinqertë. Të mos e njohësh të keqen e djallëzinë. Do të thotë të kesh një botë tënden, të ndryshme nga ajo e të tjerëve, nga ajo që njohin të gjithë.


Bota që çdo fëmijë krijon është e veçantë, unike. Mund të jetë një vend ose mund të jetë një periudhë e caktuar kohore. Atje, ai është i lirë të përdorë imagjinatën. Të krijojë personazhet me të cilët dëshiron të kalojë kohën. Të ndërtojë vendet ku do të qëndrojë. Të vendosë kë do të fusë brenda dhe kë do të lejë jashtë hapësirës së tij. Kështu ai fillon të bëjë dallimin mes të mirës dhe së keqes. Mëson si të sillet e si të veprojë. Krijon një personalitet të vetin. Një personalitet që me kalimin e viteve do ta kultivojë dhe do ta bëjë atë të identifikueshëm në shoqëri. 


Kjo botë e vogël do ta përgatisë atë drejt botës së vërtetë, apo mos duhet ta quaj “botë e rreme”? Sepse ne jemi të vërtetë vetëm kur jemi fëmijë. Themi gjithçka që na vjen në mendje. Bëjmë pyetje pa menduar se ç’do të thonë të tjerët. Qeshim, luajmë, i shfrytëzojmë momentet duke marrë më të mirën prej tyre. Jemi thjesht vetvetja. Rrjedhimisht, fëmijëria do të jetë bota jonë e vërtetë. Një vend imagjinar për të tjerët, por vendi ku ne do të ndihemi të sigurt. 


Kur fillojmë të rritemi, e kuptojmë se bota jashtë nuk është ajo që kemi menduar. Është një botë ndryshe. E vështirë, plot pengesa, e pasigurt. E mbushur me njerëz me botëkuptim tjetër. Mënyra se si ata e kanë krijuar botën e tyre, i bën ata të veçantë nga ne. Nëse në fëmijërinë e tyre ata kanë pasur lumturi, imagjinatë, atë do të reflektojnë edhe kur të rriten. Nëse fëmijëria e tyre ka qenë e mbyllur, ndoshta e zymtë, ashtu do të jenë ata në pjesën tjetër të jetës. Përballja jonë me ta, përbën botën në të cilën jetojmë. Realitetin që shohim çdo ditë. Përbën atë që quhet shoqëri njerëzore me njerëz të rritur e të pjekur. 


Në momentin e parë që ne arrijmë të njohim botën dhe jetën, fillon të na marrë malli për fëmijërinë. Sepse vlera e diçkaje duket atëherë kur nuk e ke më, apo jo? Kështu na ndodh edhe neve. Kur jemi të vegjël mezi presim të rritemi. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse krijojmë botën tonë. Për t’i treguar vetes që jemi të aftë të përballemi me fazat e vështirësitë e jetës. Për të provuar si do të jetë bota kur të rritemi. Pra, ne vetë e shikojmë fëmijërinë si një fazë përgatitore, por nuk e kuptojmë këtë gjë. Nuk e kuptojmë, sepse jemi të zënë duke shfrytëzuar momentet e ndryshme të cilat nuk do të kthehen më. Duke luajtur, duke qeshur, duke u kënaqur. Jemi të zënë duke shijuar dhuratën që na është falur, sepse në sytë e mi, fëmijëria është një dhuratë. Një dhuratë e çuditshme, por edhe më e veçanta. Është periudha më e bukur e jetës sonë, por edhe më e vështira. Sepse atëherë hedhim hapat e parë, themi fjalët e para, zëmë shokët e parë. Sepse në fëmijëri njihemi me botën për herë të parë. 


(Nina Ahmetaj, Portali Shkollor)

40,948 Lexime
6 vjet më parë