Spaçi kthehet në muze
Do të realizohet një konkurs shumë serioz profesionistësh ndërkombëtarë, që do të propozojnë projekte. Do përzgjidhet projekti më i mirë që transformon ish-kampin e punës së Spaçit dhe burgun në një vend muzeal
Gjatë periudhës së diktaturës kanë qenë më shumë se 60 burgje e kampe pune të shpërndara në të gjithë Shqipërinë.
Por, burgu më famëkeq ishte ai i Spaçit, pasi në të njëjtën kohë funksiononte edhe si kamp pune dhe në të vuanin dënimin kryesisht të burgosur politikë. Gjurmët e terrorit janë të dukshme edhe sot. Dallohen qartazi fjetorja, mensa, tarraca e miniera ku të burgosurit punonin gjatë vuajtjes së dënimit.
Prej vitesh në këtë simbol të ferrit komunist nuk është vënë dorë, ndaj me qëllimin për ta kthyer në muze të kujtesës e për të ndalur degradimin e mëtejshëm të tij, ka nisur restaurimi.
Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës, shprehet: “Është faza e parë e domosdoshme, përtej së cilës ne do të vazhdojmë me një projekt kompleks të burgut të Spaçit, jo thjesht për ta rikrijuar siç ka qenë. Kjo do të kërkojë një konkurs shumë serioz profesionistësh ndërkombëtarë, që do të duhet të propozojnë projektin më të mirë të mundshëm se si mund ta kthejmë ish-kampin e punës së Spaçit dhe burgun në një vend muzeal”.
Kërkesa e të mbijetuarve të burgut të Spaçit për të pasur një muze, shumë shpejt do të bëhet realitet, duke pasur kështu jo vetëm një muze ku vizitorët vendas e të huaj do të mund të shohin nga afër tmerret e diktaturës, por edhe një muze për kujtesën kolektive, për të mos harruar.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Për herë të parë një Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe, Manastirliu: Bashkë për të mbrojtur dhe forcuar trashëgiminë tonë gjuhësore
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani