Sot ditëlindja e Luigj Gurakuqit, Albas rekomandon: “Stinët e motmotit” një libër frymëzues për brezat e rinj

Shënohet 146-vjetori i lindjes së Luigj Gurakuqit, patriotit dhe intelektualit që kontribuoi në Pavarësinë e Shqipërisë dhe alfabetin shqip. “Albas” i rekomandon sot brezave të rinj botimin “Stinët e motmotit”, një përmbledhje vjershash e prozash ku Gurakuqi pasqyron dashurinë për dijen, natyrën dhe atdheun.

Sot shënohet 146-vjetori i lindjes së Luigj Gurakuqit, një prej figurave më të ndritura të historisë shqiptare. I lindur më 19 shkurt 1879 në Shkodër dhe i vrarë më 2 mars 1925 në Bari të Italisë, Gurakuqi ishte një patriot, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet dhe Hero i Popullit shqiptar. Ai luajti një rol kyç në hartimin dhe nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe ishte një nga figurat kyçe të Kongresit të Manastirit, duke kontribuar me dorën e tij në standardizimin e alfabetit shqip.


Në nder të kësaj figure të shquar, Shtëpia Botuese Albas ka sjellë botimin “Stinët e motmotit”, një libër i përgatitur për fëmijët e grupmoshës 9-12 vjeç nga Pandeli Koçi. Ky botim u ofron lexuesve të rinj një përmbledhje të vjershave dhe prozave që Gurakuqi i ka shkruar me përkushtim për nxënësit e vegjël.


Në këto shkrime, autori i këndon me dashuri natyrës, stinëve të vitit, duke përshkruar me detaje pemët, zogjtë, lulet, borën dhe shtrëngatat, por gjithashtu trajton edhe fatin e të varfërve. Nuk mungojnë as vjershat që japin mesazhe edukative për fëmijët, duke i nxitur ata të jenë të përkushtuar në mësim, të respektojnë prindërit dhe mësuesit dhe të mos largohen nga librat edhe gjatë pushimeve. Ndër të tjera, disa vjersha trajtojnë edhe veset që shfaqen te ndonjë fëmijë, duke i udhëzuar drejt sjelljeve më të mira.


Prozat e shkurtra janë të shkruara me një stil të thjeshtë e të qartë, për të qenë lehtësisht të kuptueshme dhe tërheqëse për lexuesit e vegjël. Këto tregime dhe fabula të bukura bazohen në rrëfime popullore dhe shprehin mallin e autorit për atdheun dhe vendlindjen e tij, Shkodrën.


Shkrimet e Luigj Gurakuqit janë në dialektin gegë dhe për ta lehtësuar leximin, janë bërë shpjegime të disa fjalëve. Kjo u mundëson fëmijëve që të kuptojnë sa më qartë vjershat dhe prozat dhe të përthithin mesazhin që ato përcjellin.


Ky botim i veçantë sjell në vëmendje jo vetëm talentin poetik të Luigj Gurakuqit, por edhe rolin e tij si edukator dhe frymëzues i brezave të rinj, duke mbetur një figurë emblematike e kulturës dhe historisë shqiptare.


Nga Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

113 Lexime
1 ditë më parë