Kujtime

Sofokli Tole, "Jordan Misja në Lupckë", kujtime! Nga Akademik Vasil S. Tole

Akademik Vasil S. Tole ndan kujtime të çmuara për mësuesin e tij, Jordan Misja, i cili, gjatë viteve 1936-1937 në shkollën e fshatit Lupckë, formoi me pasion brezin e ri. Me stilin e tij unik të mësimdhënies, ai bashkonte artin me edukimin, duke i frymëzuar nxënësit për të dashuruar atdheun.

Nga Akademik Vasil S. Tole


Sot më ra në dorë, "Orari i mësimeve të përjavshme", për vitin shkollor 1936-1937, të shkollës fillore të fshatit Lupckë, fshat nga është origjina e familjes sime. Dokumenti është i shkruar me dorë, në bukurshkrim, nga Jordan Misja, mësuesi i shkollës së fshatit në ato vite, më pas dëshmor i atdheut! Im atë Sofokli Tole ishte një nga nxënësit e Jordanit, po ashtu xhaxhallarët e mi Minella dhe Leonard Tole. 


Po e publikoj për të parën herë "Orarin e mësimeve të përjavshme", së bashku me një foto te Jordanit dalë me nxënësit e tij, të shoqëruar me kujtimet e tij eti për të, të publikuara në librin "Një jete mes dy shekujve", Tiranë, 2018!


Në klasën e tretë në Lupckë u largua mësuesi që na godiste me drurin e flamurit dhe na erdhi mësues Jordan Misja (13 janar 1911-gusht 1942) na Shkodra, bashkë me familjen e tij, babain, nënën dhe një motër Safka. Lajmi i ardhjes në fshatin tonë i një mësuesi nga Shkodra ishte i papritur, plot kureshtje, jo vetëm për ne që ishim fëmijë, por edhe për prindërit tanë dhe për më të rriturit e tjerë. Ishte vjeshtë. Nga Përmeti në Lupckë një e përpjetë prej tre orësh e kishte lodhur mësuesin tonë dhe ne që ruanim e përgjonim nga mbrapa mureve e dritareve të shtëpive e pamë Jordanin me atë ballin e gjerë e fisnik, mbuluar me djersë, sy që depërtonin që dashuronin, që ndillnin miqësi. Të nesërmen ra fort kambana e Kishës dhe nxënësit nga të tre lagjet u grumbulluan afër sheshit të shkollës për të filluar mësimin. 


Jordani dolli nga dhoma e fjetjes, buzagaz dhe ne hymë në klasë më të qetë, por akoma më shumë na u ngrohën zemrat, kur na fliste për luftërat e popullit tonë për liri. Sa bukur vizatonte mësuesi ynë jo me penel e bojëra vaj, as me tempera a po akuarel, as me pastel, por me thëngjill prej thane. Aftësia e tij e rrallë për të vizatuar e skicuar shpejt ishte një dhunti e domosdoshme për një mësues të pasionuar siç ishte Jordani. Një koleg i tij Eftim Lako thoshte: -“Një mësues që nuk di vizatim e muzikë ishte me një krah”. Pra Jordani kishte dy krahë të fuqishëm e një mendje të hollë. Nuk diskutohet lënda e vizatimit që jepej n’ato vite, që e prisnim me padurim, por edhe muzika, kënga lidhej me vizatimin. Jordani e ndiente se ne e kishim të vështirë për të kuptuar të folurën e tij, por dhe për të mësuar më shpejt tekstin e këngës. 


Ai për çdo strofë bënte skica. Kështu kur na mësoi këngën e “Maces e miut”, Jordani bëri disa skica aq të sakta dhe të bukura saqë ne ia përvetësuam tekstin dhe melodinë shumë shpejt dhe shumë mirë. 


Miun, braman e kam shikumun

Mishjin vjen tuj ngran

Mbramia tjetër porsa mbrini

Maca ndenj mbi tra

E porsa u qas prap mini

Rob i saj ai ra


Jordani i urrente qarqet shoviniste e serbo madhe, e donte që nxënësit e tij ta donin me shpirt atdheun. Shumë herë na nxirrte shëtitje në pika nga ku kishte horizont të hapur, p.sh. në Kristofor ku dukej lugina e Vjosës me Përmetin e fshatrat në të dy anët e Vjosës e citonte Sami Frashërin (1850-1904) ose vjershat e Naim Frashërit (1846-1900). Jo më pakë punonte ai për të ngjallur frymën e miqësisë e të dashurisë midis nxënësve të moshave të ndryshme e aq më shumë midis nxënësve të disa shkollave. Kështu shëtitjet e përbashkëta me nxënësit e shkollave fqinje: Novoselë-Kosovë-Lupckë ishin një kënaqësi e veçantë për mua dhe një dëshirë e zjarrtë e Jordanit. Ai i shfrytëzonte këto takim për të zhvilluar ara, shfaqje, tregime e biseda shumë të ngrohta. 


Mësuesit para tij ndoshta me thupra thane na vijosnin duart duke na rrahur, kurse Jordani me thëngjillin e thanës hidhte mbi letër, portretet e bariut, të nxënësve të tij, të bujkut që i donte aqë shumë e u qante hallet çdo ditë. Dikur e kam thënë herë tjetër, miqësisht këto lloj pikture, qoftë nga letra apo thëngjilli i thanës nuk i rezistoi kohës apo viteve u venitën, por tek ne mbetën të gjalla si drita e diellit skicat që na bënte në dërrasën e zezë me shkumës, si xhandarin mizor e mustaqemadh priftin dinak e hipokrit, kryeplakun batakçi që hiqnin të tre vallen së bashku, e më në fund Jordani si padashur i rrëzonte në një ....portretet e tij të karikaturizuar. Ne qeshnim e Jordani na thoshte: “Pranë tash fëmijë të dashtun e të mirë, se ma shumë do të qeshni nesër”. 


Portretin e një nxënësi të quajtur Minella Tole duke qarë pse e kishte ngrënë një grerëzë, Jordani e vizatoi me mjeshtëri të madhe. Menella dhe qante duke fshirë sytë por dhe shikonte mësuesin që po e pikturonte. Si e mbaroi, Jordani varri në dërrasën e zezë. Ne ishim pushim. Kur u futëm brenda ne, Jordani u largua, por duke mbajtur vesh se ç’do të thoshim ne. Sa u futëm në klasë e pamë vizatimin e bërtitëm: Menua, Menua! 


Jordani u kënaq, na përkëdheli e na tha:- Po, Menella i vogël që qau, por duke e pikturuar unë, ay pushoi, por lotët ende i ka në sy. 


Fillojmë mësimin. Dy fjalë me shkronja të mëdha na shkroi një ditë Jordani: INDIVIDUALITET, KOLEKTIVITET. Mësojini përmëndësh na porositi Jordani e ne ç’të thoshte mësuesi ynë i respektuar të mos e bënim? Dolëm duke thirrur me sa fuqi që kishim: Individualitet, kolektivitet, individualitet, kolektivitet.....na i rrënjosi këto koncepte, na i futi në gjak!


Ai gjente kohë të bisedonte me të rinjtë si edhe me të moshuarit, t’u jepte libra, të cilat i lexonin me kujdes e me merak i ruanin në çantat e tyre prej lëkure. Kur erdhi Jordani ne nuk shkonim të dielave në kishë, por rregullonim urat, rrugët, zbukuronim shkollën a po bënim shëtitje në fshatrat fqinjë për t'u miqësuar me shokët tanë dhe luanim futboll me topa prej leckash të vjetra. Për festat kombëtare organizonim para fshatarëve çfaqje me recitime, këngë, lojëra popullore që ishin shumë të bukura e që tërhiqnin shkues nga të gjitha moshat. Këtu është me vend të theksoj se Jordani gjatë gjysmës së orës (22’) që punonte direkt me një klasë aktivizonte edhe nxënës të klasave të tretë e të katërt për të ndihmuar nxënësit e klasave më të ulëta. 


Jordani u bë mik dhe djalë i shtëpisë për të gjithë bashkëfshatarët e mij. Dhe kjo ka arsyet e veta. Ay në luftë e ndeshje me kryepleqësinë na siguroi neve kushte më të mira për të mësuar, na lehtësonte plagët e hidhura të jetës e fukarallëkut. Ai gjente kohë të bisedonte më të rinjtë si edhe me të moshuarit, t’u jepte libra të cilat i lexonin me kujdes e me merak, i ruanin në çantat e tyre prej lëkure. Për festat kombëtare organizonim para fshatarëve çfaqje me recitime, kënë, lojra popullore që ishin shumë të bukura e që tërhiqnin shikues nga të gjitha moshat. 


Për pjesëtarët e familjes së Jordan Misjes kemi shumë kujtime ne e prindërit tanë. Babë Vangjeli ishte i moshuar, pleqëria nuk ja largoi buzëqeshjen e bujarinë. Kishte dëshirë të të jepte duhan nga ai i Shkodrës që vetë e pinte me një cigarishte të punuar me mjeshtëri na artizanët tanë. Veshja e tij karakteristike shkodrane me tumane e xhamadane na mbeti gjithmonë në kujtesë. Bisedonte shtruar, të bënte mik me një pirje cigari. U qante hallin fshatarëve të varfër se nuk ishin vetëm ata që rropateshin dhe në Shkodër e malësi kështu jetohej, biles dhe më keq se juve, kurbeti u shkurtoi jetën. Por ja, Jordani djali i jem, po e porosit që t’jua mësojë mirë fëmijët që t’ju sjellin ditë të mira. 


Nënë Jovja ishte më e re. Hynte dhe dilte më lirisht në familjet tona së bashku me Safkën që u miqësua shumë shpejt me vajzat e rritura të fshatit dhe me nënat shami zeza e buzë plasura por ojë ëmbla për nënën e motrën e mësuesit të tyre. Kush e kush më parë e me rastin e ndonjë ceremonie donte t’i merrte një vizitë e një gosti familjen e mësuesit. E arsyeshme, mësuesi e prindërit e tij nuk mbetën pa dhallë, qumësht, gjizë e pemë na fshatarët e Lupckës. 


Motra e tij Safka u miqësua me vajzat e fshatit. Dhe kjo dashuri e mirënjohje e popullit dhe e nxënësve të tij ndaj Jordanit u shpreh kur ay u transferua nga fshati i ynë në një zonë më malore, në Frashër ku aty kishte dhe post komandë xhandarmarie për të qenë në vëzhgim më të rreptë të aktivitetit të tij. Me lotë në sy e përcollëm ne atë dhe familjen e tij të nderuar e të respektuar për në Frashër dhe kjo ishte lumturia e jonë e fundit e paharruar me Jordanin që aqë shumë na shkolloi na hapi sytë e na dha zëmër për të duruar e për të luftuar e fituar. Duhet pohuar, se skenat e pjesës “Borëbardha”, që shkolla plotore e Përmetit dha në Gjirokastër ishte e projektuar e punuar me mjeshtëri nga Jordan Misja. 


Unë i kam dashur, i adhuroja dhe i çmoja shumë mësuesit dhe edukatorët e mij të mirë, të urtë, të zotë që nga klasa e parë e në vazhdim, por nuk i doja të pamoralshmit, dembelët, ata që e njollosnin figurën e tyre. Kam dashur Jordan Misjen si mësuesi më i përgatitur në gjithë ciklin e shkollës fillore megjithëse një ditë, në natyrë, kur po bënim prova për një shfaqje në fshat, pa dashur mua më goditi në hundë e më rrodhi gjak nga hunda. U zverdha i tëri, shkoi me vrap në dhomën e tij e më pastroi fytyrën me një peshqir të bardhë, të njomur me ujë e nuk dinte ç'të bënte për të më qetësuar, por unë e fala, as në shtëpi nuk u thashë. Kushedi ç'mendonte se mos unë ankohesha tek prindërit e duke qenë babai me pozitë e Jordani i internuar, mund ta internonin akoma më larg, ta burgosnin e kushedi çfarë. 


Unë kam pasur një mësues në fillore, fare të paaftë e të egër, që anës tavolinës ku rrinte në fund të klasës, mbante drurin e gjatë ku ngrihej flamuri në raste festash dhe me që përtonte ose i dhimbte dora kur çokiste nxënësit në kokë, në raste kur prishnin qetësinë, rrëmbente drurin e gjatë dhe qëllonte fort nxënësit e pabindur. Por nxënësit sapo mësuesi merrte hurin dhe e ngrinte si shpatë mbi kokat e sherrxhinjve, vocrrakët që ia kishin mësuar hiletë, si shigjetë uleshin ndën bankat e tyre duke u kënaqur, shkopi i gjatë, me forcë, binte mbi bankat me një zhurmë që të shurdhonte. Një mikro-komedi e vërtetë. 


Gjatë qëndrimit të dy vjetëve të Jordan Misjes në Lupckë, mësimet janë zhvilluar në dy lokale. Në vitin e parë në godinë që ishte ndërtuar qëllimisht për shkollë, ku kishte një klasë për zhvillimin e mësimit, një korridor të vogël dhe në të majtë një dhomë ku jetonin mësuesit, konkretisht dhe Jordani. Në vitin e dytë në një godinë tjetër, mbasi e para u rrëzua. Godina e dytë ishte post-komandë xhandarmërie ku ishin disa dhoma për mësim, fjetje për mësuesin e disa të tjera ku strehoheshin jabanxhinj. 


Për Jordan Misjen kam bërë disa shkrime në formë kujtimesh, por më të rëndësishmin e ka lexuar Kujtim Buza në një përvjetor të vdekjes së Jordan Misjes para një auditori të respektuar. Të tjerat janë botuar në Almanakët e shtëpisë së Kulturës Përmet. Liceut artistik “Jordan Misja” i kam dërguar dhe një fotografi të nxënësve të shkollës fillore të Lupckës duke pasur në qendër të tyre mësuesin e dashur të tyre. Unë shumë vite më vonë u njoha me nipin e Jordanit, Vladimir Misjen (1928-2013), i bëra një vizitë në shtëpi, më priti shumë mirë. Aty pashë plot piktura të Jordanit si dhe ca portrete të nxënësve që kishte në shkollën e Lupckës. U ndamë si të ishim miq të vjetër. Djali im Georgi S. Tole ka bërë një kompozim për Jordan Misjen, mjaft emocional në shkollën e Lupckës.



www.vasiltole.com


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

346 Lexime
1 muaj më parë