Profil

Sidriti, një gjenial i vogël i leximit...

Është vetëm 11 vjeç në klasën e gjashtë dhe pasioni më i dashur për të është leximi. Ai lexon të paktën 100 faqe në ditë. “Për mua ky pasion do të vazhdojë përjetë…” – thotë Sidriti në një detyrë ku i është kërkuar të shkruaj për pasionet e tij.

Është vetëm 11 vjeç në klasën e gjashtë. Sidrit Kuka dallohet përherë si nxënës cilësor, i saktë, i kujdesshëm, i matur, i vëmendshëm, i përqendruar, i përmbajtur dhe si rezultat shumë i suksesshëm. Ajo që e karakterizon është heshtja e tij dhe një qetësi e admirueshme. 


Në një detyrë me shkrim në lëndën e Gjuhës shqipe, u zbulua një pasion i tij, leximi i librave. Në përgjigje të një pyetjeje në punën me shkrim ku i kërkohej “Hartoni një tekst të shkurtër me titull ‘Pasioni im më i dashur’”, ndër të tjera ai shkruan: “Kam disa pasione, por pasioni im më i dashur është leximi. Jam regjistruar fillimisht në bibliotekën e shkollës, e më pas në atë të qytetit. Aq pasion e kam leximin sa që lexoj të paktën 100 faqe në ditë. Për mua ky pasion do të vazhdojë përjetë…” 

Befasuese, e njëherazi mallëngjyese i erdhën mësuesit këto fraza, teksa syri ishte fokusuar tek shifra “100”, që në ato çaste merrte një tjetër domethënie, përtej të qenurit një “shifër” e natyrshme. 


Ndërkohë që flitet gjithnjë e më shumë për një rënie të interesimit ndaj librit dhe të lexuarit, ja tek shfaqen filiza të këtillë, që meritojnë vërtetë të quhen “gjenialë” të leximit dhe të kërkimit të dijes.



Shkroi Evans Drishti 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

895 Lexime
9 muaj më parë