Mësimi online

Si të përdorni platformën ZOOM për mësimdhënie? Ndiqni këto hapa

Për t’ua lehtësuar mësimdhënësve punën online, ky artikull përmban guidën e detajuar se si ta shkarkoni dhe ta përdorni platformën ZOOM për një mësimdhënie sa më të lehtë dhe efektive.

Shpërthimi i virusit Korona në vitin 2019 ndikoi në shumicën e sektorëve globalisht. Kjo përfshiu edhe botën akademike që përbëhet nga miliona nxënës dhe mësues, të cilët më parë zhvillonin mësime të rregullta në institucionet e tyre, dhe për shkak të pandemisë, ngecën në shtëpi. Për të vazhduar procesin arsimor, mësimi në distancë u prezantua në shumicën e vendeve si mënyra e vetme për të mos mbetur prapa. Prandaj mësimdhënës e nxënës filluan mësimin në distancë përmes pajisjeve të ndryshme elektronike. Fatkeqësisht, shumica e mësimdhënësve nuk kishin njohuri për përdorimin e platformave online, sikur ZOOM apo Google Meet, dhe disave u dukej më i lehtë përdorimi i aplikacionit VIBER  ose WhatsApp për të mbajtur orët mësimore. 

Për t’ua lehtësuar mësimdhënësve punën online, ky artikull përmban guidën e detajuar se si ta shkarkoni dhe ta përdorni platformën ZOOM për një mësimdhënie sa më të lehtë dhe efektive.  

Hapi i parë: Kërkoni në internet web-faqen  zoom.us dhe klikoni butonin "Sign up, it’s free" (Regjistrohu, është falas). Vendosni adresën e e-mailit të shkollës. Më pas do të merrni një email nga Zoom për të aktivizuar llogarinë tuaj.

 

Hapi i dytë: Shkarkoni "Zoom Client" dhe instalojeni atë në pajisjen tuaj. Mund të përdorni telefonin, tabletin ose laptopin tuaj.

 

Hapi i tretë: Filloni një takim me nxënësit tuaj menjëherë duke klikuar "Home" dhe pastaj "New Meeting", ose keni mundësinë edhe për të caktuar orarin duke klikuar "Schedule".

 

Për të shpërndarë linkun me nxënësit, klikoni "Invite" dhe pastaj do të shfaqen disa mënyra për të dërguar linkun, nga të cilat më praktiket janë përmes "Gmail". Mënyrë tjetër është edhe të klikoni opsionin "Copy Invite Link", pastaj ta shpërndani linkun përmes Facebook-ut apo aplikacioneve të tjera që nxënësit përdorin. 

 

Disa këshilla për mësimdhënësit për ta bërë klasën virtuale më tërheqëse:

  • Punoni në një dhomë të qetë, me zhurmë minimale në sfond dhe shpërqendrime;
  • Lidhni një kamerë në kompjuterin tuaj në mënyrë që të mund të jeni të dukshëm për nxënësit gjatë orës së mësimit;
  • Përdorni një mikrofon të mirë. Rekomandohet të mbani kufje për eliminimin e zhurmës.


Hapi i katërt: Pjesa më e rëndësishme gjatë klasave online është ndarja e ekranit të mësimdhënësit me nxënësit. Butoni "Share Screen" ju lejon të ndani ekranin e kompjuterit tuaj me të gjithë në takimin e Zoom-it. Gjithçka që duhet të bëni është të klikoni butonin jeshil "Share Screen" që gjendet në fund, dhe më pas do të klikoni se cilin ekran dëshironi të ndani. 

 

Hapi i pestë: Zoom Whiteboards, apo tabelat e bardha, janë të krijuara posaçërisht për mësimdhënësit, sidomos për ata të matematikës. Për të përdorur tabelën e bardhë, klikoni "Share Screen" dhe më pas klikoni "Whiteboard". Kjo mënyrë e mësimdhënies preferohet shumë nga filloristët. 

Hapi i gjashtë: (nuk është i domosdoshëm)

Një veçori që shumë mësimdhënës kanë filluar ta përdorin gjatë sesioneve të tyre është 

Virtual Background, apo sfondi virtual. Klikoni në skeletin pranë ikonës Start Video dhe zgjidhni Choose a Virtual Background. Klikoni kutinë që thotë "Unë kam një ekran të gjelbër". Ju mund të zgjidhni një nga sfondet e parangarkuar ose të ngarkoni tuajin. 

 

Disa këshilla të tjera për mësimdhënësit: 

  1. Shikoni kamerën për të krijuar kontakt me sy me nxënësit tuaj. Kjo ndihmon për të krijuar një lidhje më personale gjatë mësimdhënies me video.
  2. Flisni sikur të jeni ballë për ballë me klasën, ndërsa sigurohuni që të jeni në distancën e duhur nga mikrofoni për përvojën më të mirë audio.
  3. Kontrolli herë pas here nëse dikush ka shënuar koment tek Chat ose nëse nxënësit kanë nevojë të parashtrojnë pyetje. 
  4. Ndani imazhe, skedarë ose video, sidomos kur jeni duke prezantuar. 
  5. Pritni nxënësit tuaj disa minuta  për të hapur ose për të marrë atë që keni ndarë me ta.
  6. Bëni pauza dhe pas tyre, mundësojuni nxënësve të angazhohen me njëri-tjetrin para se të vazhdoni me mësimin.

Burimi: https://www.weareteachers.com/zoom-for-teachers/


Përgatiti: Era Baliu, gazetare/korrespondente e Portalit Shkollor Albas për Kosovën 




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

3,197 Lexime
3 vjet më parë