Shqiptari Edor Kabashi, shkencëtari më i mirë i ri në botë
Sukseset e shqiptarëve në botë janë të mëdha, një ndër emrat më të fundit që është shfaqur është shkencëtari Edor Kabashi.
Sukseset e shqiptarëve në botë janë të mëdha, një ndër emrat më të fundit që është shfaqur është shkencëtari Edor Kabashi. Kabashi ka marrë çmimin “ENCALS Young Investigators Award” apo Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj për vitin 2015.
38-vjeçari nga Durrësi u nderua si shkencëtari më i mirë i grupmoshës nën 40 vjeç falë punës shkencore të tij në fushën e gjenetikës, në specializimin e ngushtë të sëmundjes së ALS-së -Skleroza Amiotrofike Laterale. Ky çmim iu nda në Dublin nga Amar Al Chalabi, një nga neurologët më të mirë në botë.
“Çmimi ENCALS për Hulumtuesit e Rinj ka për qëllim identifikimin e shkencëtarëve më të aftë dhe më të zgjuar dhe jepet për kërkime në çështje të pazgjidhura në lidhje me sëmundjen ALS”, shkruhet ndër të tjera në motivimin e çmimit për dr. Kabashin.
Por, kush është Edor Kabashi?
Ai vjen nga Shqipëria, shkollën fillore dhe të mesme e ka përfunduar në Durrës, ndërsa ishte viti 1995 kur së bashku me familjen e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që do të arrijë sukses u pa shumë herët. Ai mori çmimin e Presidentit Bill Clinton si një nga studentët më të mirë të Amerikës.
Studioi për biologji dhe psikologji në Mount Saint Mary’s College në Emmitsburg, Maryland, SHBA. Më vonë studimet i vazhdoi në Francë e më pas në Montreal në Kanadë ku diplomoi në biologji në vitin 2000. Në këtë vend Edori në vitin 2006 mori gradën doktor në neurologji dhe neurokirurgji. Në vitet 2008 dhe 2011 fitoi çmimin “Brain Star” nga Instituti i Kërkimeve në Fushën e Shëndetit Mendor, në Kanadë.
Prej vitit 2011, ai drejton grupin kërkimor në departamentin e sëmundjeve neuro-degjenerative, në Institutin e Neuro-shkencës në Paris, Francë. E për sukseset e tij në fushën e shkencës duket që do të dëgjojmë edhe më vonë.
Vendi i shqipes në familjen e gjuhëve indoeuropiane
Përralla e babagjyshit të Vitit të Ri
Sporti më i popullarizuar në të gjithë botën