Shqipja zyrtarisht në shkollat publike të Nju Jorkut/ Intervistë me Drita Gjongecajn

Në këtë intervistë ekskluzive me Drita Gjongecajn, zbulojmë si nisi dhe u bë realitet programi i parë dygjuhësh shqip-anglisht në një shkollë publike në Nju Jork, një nismë historike që ruan gjuhën shqipe dhe forcon identitetin e fëmijëve shqiptarë në diasporë.

Nga Yllka Lezo


Ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë nuk është thjesht një përpjekje gjuhësore, por një angazhim i përditshëm për të ruajtur identitetin dhe rrënjët kulturore. Në këtë rrugëtim të pandalshëm, një nismë unike vjen nga qyteti i Nju Jorkut, ku për herë të parë në historinë e sistemit arsimor publik po krijohet një program dygjuhësh shqip-anglisht. Për herë të parë, gjuha shqipe do të mësohet çdo ditë,pesë ditë në javë  brenda një shkolle publike amerikane, përmes një programi zyrtar dygjuhësh. Në qendër të kësaj nisme vizionare qëndron Drita Gjongecaj – një emër i njohur në komunitetin shqiptar dhe një profesioniste me përvojë të gjatë në arsimin amerikan.


Në këtë intervistë ekskluzive të Diaspora Shqiptare me Drita Gjongecajn – zv.drejtore shkolle në NYCDOE, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës dhe themeluese e organizatës “Children of the Eagle” – zbulojmë si u realizua kjo ëndërr, cilat janë sfidat dhe të rejat, dhe çfarë përfitimesh afatgjata sjell ky model për fëmijët shqiptarë në diasporë.

Drita Gjongecaj – Zv.drejtore shkolle në NYCDOE, anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës dhe themeluese e organizatës “Children of the Eagle” 

Znj. Gjongecaj si lindi ideja për të krijuar një program dygjuhësh shqip-anglisht në një shkollë publike në NYC?


Përpjekjet për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe duke e konsideruar atë si kyçi i ruajtjes së identitetit kombëtar janë të shumta në Amerikë, ashtu si kudo në diasporë. Nju Jorku, një vend me komunitet të madh shqiptarësh, ka plot shkolla shqipe që janë themeluar dhe funksionojnë në fundjavë ose pas orarit të rregullt shkollor. Po ashtu, ka një numër të konsiderueshëm organizatash kulturore dhe shoqatash shqiptare që organizojnë aktivitete, festa kombëtare, etj., ku gjuha shqipe është në qendër të vëmendjes. Përveç shumë prindërve që përpiqen të flasin shqip me fëmijët në shtëpi, një rol ndihmës luan edhe teknologjia pasi sot fëmijët mund të ndjekin libra digjitalë, këngë, programe edukative në shqip, etj. Pra ruajtja e gjuhës shqipe është një përpjekje e përbashkët e prindërve, mësuesve, komunitetit dhe vetë fëmijëve që duan të mbajnë gjallë gjuhën e zemrës edhe pse sfida është reale. 


Megjithatë, kërkesat aktuale, sociale dhe ekonomike e sjellin nevojën e njohjes së shqipes në nivele më të avancuara. Njohja dhe përvetësimi në nivele akademike i të katër aftësive gjuhësore (të shkruarit, të lexuarit, të folurit dhe të dëgjuarit) krijon një gjeneratë që jo vetëm ruan identitetin por edhe është e përgatitur për të kontribuar realisht, sipas dëshirës, në vendin e origjinës.  

Pa lënë mënjanë faktin që vetë individit i hapen dyert e prosperitetit, është pikërisht projekti gjithëpërfshirës, dy-gjuhësor që përbën këtë hap cilësor jo vetëm për trashëgiminë e gjuhës shqipe por edhe përgatitjen e vetë nxënësve për studimet e mëtejshme apo karrierë. 


Duke qenë personalisht e angazhuar prej vitesh në nivele drejtuese në arsimin publik të NY, kam parë nga afër mundësitë që ofrohen dhe përfitimet që ato sjellin për nxënësit, familjet, dhe profesionistët në “tokën e premtuar”, siç është quajtur shpesh Amerika. Ndërkohë që programe të dyanshme në ca gjuhë të tjera egzistojnë në NY, komunitetit tonë i ka munguar një i tillë. Këtu mori jetë ideja dhe përpjekjet për ta bërë realitet atë edhe në gjuhën shqipe.


Cilat ishin hapat kryesorë që çuan në miratimin e këtij programi nga Departamenti i Arsimit në Nju Jork?


Përpjekjet për krijimin e një programi të tillë në shqip kanë filluar prej disa kohësh. Fillimisht, kam hartuar personalisht një propozim që është paraqitur në Bordin e Arsimit të Nju Jorkut, projekt i cili u miratua në parim. Ndonëse politikat arsimore të Nju Jorkut e inkurajojnë integrimin në jetën, gjuhën dhe kulturën amerikane paralelisht me ruajtjen e identitetit etnik, historik, kulturor dhe gjuhësor të emigrantëve, të arrish në finalizimin e kushteve për implementimin e programit Dual Language (dy-gjuhësor) është dashur shumë punë e përpjekje. 

Një rol vendimtar këtu ka luajtur Z. Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe ish këshilltar në Bashkinë e Qytetit të Nju Jorkut, i cili ka bërë çdo përpjekje në rrugë zyrtare për të siguruar që ky program jo thjesht të marrë jetë por të ofrohet në një nga shkollat më cilësore në Bronx, shkolla publike PS 108.

Kjo mundësi shërben mbi të gjitha si investim i vyer për kombin. 


Çfarë e bën këtë program të veçantë dhe pse është kaq i rëndësishëm për komunitetin shqiptar?


Mësimi i një gjuhe të re në sistemin arsimor të Amerikës bëhet përmes tri modeleve të cilat hyjnë nën ombrellën e programit bilingual. Këto janë: Anglishtja si gjuhë e re (ESL/ENL), programi tranzitor bilingual, dhe programi gjithëpërfshirës dy-gjuhësor (Dual Language). Ky i fundit që quhet edhe Two-Way është një model i dyfishtë i bazuar në standardet dhe kurrikulat e arsimit në NY.

Të gjitha lëndët bazë mësohen jo vetëm në anglisht por edhe në shqip duke mundësuar që nxënësit të shkojnë përtej të kuptuarit dhe të të folurit shqip, pra të arsimohen në dy gjuhë. Natyrisht gjuha dominuese mbetet anglishtja ndërkohë që shqipja është gjuha synuese që gradualisht mësohet përmes lëndëve të ndryshme.

Mësimi në dy gjuhë është i bazuar në studime shkencore dhe në eksperiencën e shumë e shumë programeve që janë të përhapura sidomos në California, Texas, North Carolina, etj. ku numri i emigrantëve është vërtet i konsiderueshëm. Në bazë të statistikave të ndryshme, fëmijët që studiojnë në programe të dyanshme gjuhësore arrijnë rezultate më të larta në mësime si edhe në provimet e shtetit të cilat në Nju Jork përfshijnë nxënësit duke filluar nga klasa e tretë fillore. 

Duke qenë se diversiteti etnik dhe kulturor edhe në NY ka përmasa të mëdha, programe të tilla ekzistojnë në gjuhën kineze, japoneze, në spanjisht, frengjisht, por është i pari i këtij lloji në gjuhën e bukur shqipe. 


Si do të jetë struktura e mësimit – në cilat gjuhë dhe sa orë në ditë do të zhvillohen klasat?


Kurrikula shqip njësohet me atë të anglishtes dhe standardeve të arsimit publik në Nju Jork duke ju shtuar atyre edhe standardet e mësimit të gjuhës amtare, gjithashtu nga arsimi shtetëror i NY. Gjatë gjithë vitit shkollor, lëndët bazë zhvillohen në të dy gjuhët në raportin 50:50. E thënë ndryshe, mësimi zhvillohet gjysmën e ditës në anglisht dhe gjysmën tjetër në shqip, ose alternohet nga një ditë e tërë në anglisht, në tjetrën ditë vetëm në shqip (ky i dyti është më i preferuar). Studimet shkencore dhe praktika kanë treguar që programe të tilla jane më efektive kur fillojnë në moshë të hershme. Në mënyrë progresive, nxënësit vijojnë programin për të paktën 5-6 vjet derisa mbarojnë arsimin fillor.


A ka interes deri tani nga prindërit shqiptarë? Si ka qenë reagimi i komunitetit?


Lajmi është pritur me shumë entuziazëm dhe interesi është tejet i madh. Në shkollat publike të qytetit të Nju Jorkut nxënësit vijnë nga familje ku fliten mbi 180 gjuhë të ndryshme. Është kjo shumëllojshmëri gjuhësore që e bën sistemin shkollor të NY City një nga më të pasurit dhe më të larmishmit në botë, dhe është një nga arsyet pse programet e dyfishta gjuhësore janë kaq të rëndësishme.

Gjuha shqipe është një prej këtyre 180 gjuhëve, dhe komuniteti shqiptar është ndër komunitetet më aktive në kërkesën për ruajtjen e gjuhës përmes arsimit. 

Me realizimin e këtij modeli familjet shqiptare ndihen të dëgjuara dhe të vlerësuara, pasi për herë të parë janë të përfaqësuara denjësisht në sistemin arsimor amerikan. Vlerësimi vjen me faktin se programi i dyfishtë gjuhësor nuk është thjesht një model mësimor por një urë që lidh brezat e rinj me rrënjët e tyre kulturore. Fëmijët tanimë kanë mundësi të mësojnë dhe të rriten në dy gjuhë, me krenari dhe vetëbesim, ndërkohë që më në fund komuniteti ndjen se gjuha shqipe po siguron një vend të merituar në mozaikun më të pasur gjuhësor të qytetit më të madh në botë.


Çfarë përfitimesh konkrete do të kenë fëmijët që ndjekin këtë program?


Përfitimet e nxënësve në këtë program janë të shumëfishta dhe përfshijnë ato akademike, kognitive, kulturore, sociale, si edhe një perspektivë më të hapur për të ardhmen a tyre. Po përmend vetëm disa:

  • Zhvillim i lartë i aftësive gjuhësore dhe letrare në të dyja gjuhët, anglisht dhe shqip.
  • Aftësi më të mira për zgjidhjen e problemeve dhe mendimin kritik, falë trajnimit të trurit për të përpunuar më shumë se një gjuhë.
  • Performancë më e mirë në testime standarde dhe lëndë akademike, si matematikë dhe shkencë, sidomos në afat të gjatë.
  • Përparësi në tregun e punës, si p.sh. në diplomaci, përkthim, media, biznes ndërkombëtar, apo organizata shumëgjuhëshe.
  • Mundësi për bursa dhe programe akademike për studentë dygjuhësh.
  • Kompetenca e vlerësimit dhe bashkëjetesës në mënyrë të natyrshme me kulturat e ndryshme. 


Mbi të gjitha, fëmijët ruajnë gjuhën, rrënjët dhe shpirtin shqiptar, ndërkohë që përqafojnë mundësitë e reja në një botë globale.


A parashikohet zgjerimi i programit në shkolla të tjera apo nivele më të larta në të ardhmen?


Programi në vetvete kërkon vazhdimësinë gjatë të paktën 5-6 viteve shkollore që nxënësit të përvetësojnë edhe gjuhën akademike. Pra vitin tjetër do ketë Kindergarten (kopësht) dhe klasë të parë e kështu me rradhë, progresivisht derisa të përmbushet cikli arsimor. Synimi ynë është që programi të shtrihet deri në mbarimin e shkollës së mesme dhe për më tepër, të përhapet edhe në shkolla të tjera në Departamentin e Arsimit. 


Si mund të aplikojnë mësuesit e interesuar për të dhënë mësim në këtë program?


Për t’u punësuar në arsimin e dyfishtë gjuhësor (Dual Language) mësuesit duhet të kenë çertifikimin (licensën) e mësimdhënies në arsimin fillor (Early Childhood) në Departamentin e Arsimit në Nju Jork. Për më tepër, programi bilingual kërkon që mësuesit të kenë certifikatë shtesë prej 15 kreditesh në fushën e dy-gjuhësisë, pas nivelit master (Bilingual Extension). Në rast se mësuesi aplikant nuk e zotëron akoma certifikatën shtesë, atij/asaj i jepet një afat kohor për ta përfituar atë gjatë punës me kusht që, në momentin kur fillon punën, të jetë i/e regjistruar në një program të tillë universitar. Nga ana tjetër licensimi i mësimdhënies është i panegociueshëm dhe duhet të jetë aktiv në momentin e punësimit.


A do të ketë ndihmë apo materiale në gjuhën shqipe për mësuesit dhe nxënësit?


Duke qenë se ky program zbatohet për herë të parë, materialet në gjuhën shqipe përbëjnë një nevojë imediate. Jam e sigurtë që tekste egzistuese nga vendet tona amë nuk do mungojnë; megjithatë ato duhen përshtatur e deri diku njësuar me kurrikulën e sistemit vendas sipas standardeve të shtetit të Nju Jorkut. Kjo për faktin se nxënësit duhet të përmbushin kriteret e përfundimit të klasës e marrjes së dëftesës amerikane në klasën që ia dikton mosha. Pikërisht këtu hyn puna e specialistit që njeh mirë sistemet shkollore të të dy vendeve, veçoritë dhe standardet e mësimit të një gjuhe të dytë, etj. Ky program sic u theksua më sipër, shkon përtej mësimit të gjuhës; nxënësit shkollohen edhe në shqip. 


Cili është mesazhi juaj për prindërit shqiptarë që hezitojnë të regjistrojnë fëmijët në këtë program?


Nëse ndonjë prind ka merak se mësimi në gjuhën shqipe do të bëhet pengesë për përvetësimin e lëndëve në anglisht, ose që ndoshta studimi paralelisht në dy gjuhë mund të jetë mbingarkesë mendore për fëmijët, e siguroj që në fakt e kundërta ndodh. Të mësuarit në dy gjuhë jo vetëm e ndihmon përparimin e tyre në mësime por në të njëjtën kohë i pajis ata me kulturë të gjerë, i bën akoma më observues e më të thellë në mendimin analitik. 

Bazuar në studimet shkencore dhe analizën psiko-linguistike, rruga më efektive për të përvetësuar një gjuhë të re është të fillohet në moshat e vogla. Për rrjedhojë, me qëllim që nxënësit të aftësohen të flasin, kuptojnë, lexojnë dhe shkruajnë të dyja gjuhët njëkohësisht, rekomandohet që ata të fillojnë mësimin jo më vonë se në Kindergarten ose klasën e parë. E provuar shkencërisht, aftësia gjuhësore është e lindur tek njeriu dhe, periudha me e ndjeshme e pjekurisë biologjike të trurit në lidhje me gjuhën lidhet me këtë moshë. Më vonë, një pjesë e madhe e qelizave nervore që lidhen me zhvillimin gjuhësor, së bashku me aftësitë përvetësuese zvogëlohen apo edhe humbasin. Kjo është arsyeja që fëmijët dhe të rinjtë mësojnë gjuhë të huaja shumë më lehtë dhe më shpejt sesa të rriturit. Po ashtu, aftësia e të folurit është më e favorizuar pikërisht në këtë moshë. Rezultatet janë të dukshme sidomos në shqiptimin e fjalëve dhe aksentin që të rriturit në më të shumtën e rasteve nuk e evitojnë dot.


Programi i dyfishtë gjuhësor është arritje historike. Për herë të parë ai u siguron  shqiptarëve shkollën e tyre institucionale nën drejtimin e Bordit Amerikan të Arsimit. Ai është ndërtuar mbi baza reale akademike dhe me metodat më bashkëkohore tashmë të provuara në praktikë si të suksesshme. Nga ana tjetër, gjuha shqipe është rrënja e identitetit të fëmijëve tanë dhe ura mes brezave e dy kulturave që ata përfaqësojnë në botën globale. Në thelb, ky program është jo vetëm për gjuhën, por për identitetin, përkatësinë dhe fuqizimin e komunitetit shqiptar në diasporë.




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

140 Lexime
1 ditë më parë