Shqipëria fiton bindshëm ndaj Izraelit
Me këtë fitore, Shqipëria mbyll ecurinë negative prej 5 humbjesh radhazi dhe ngjitet në vendin e 3-të në grup me 9 pikë, njësoj sa Izraeli, por me golavarazh më të mirë.
Shqipëria ka arritur të marrë një fitore fantastike 0-3 në Haifa duke u hakmarrë ndaj Izraelit pas humbjes së pësuar me të njëjtin rezultat në nëntor në Elbasan.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Xhani De Biazi kanë zhvilluar një ndeshje të shkëlqyer teksa e kanë dominuar kundërshtarin që nga fillimi i takimit.
Armando Sadiku realizoi një dopietë në minutat 22 dhe 44. Goli i dytë i sulmuesit elbasanas ishte një kryevepër teksa kontrolloi mjaft mirë me gjoks topin e ardhur në ajër dhe pasi u rrotullua me fytyrë nga porta, goditi fort duke tundur rrjetën. Edhe goli i parë i Sadikut ishte i ngjashëm për nga mënyra e ekzekutimit të goditjes. Ndërkohë goli i tretë u shënua nga Memushaj në minutën e 71-të pas një aksioni perfekt me kombinimin e Çikalleshit dhe Hysajt.
Me këtë fitore, Shqipëria mbyll ecurinë negative prej 5 humbjesh radhazi dhe ngjitet në vendin e 3-të në grup me 9 pikë, njësoj sa Izraeli, por me golavarazh më të mirë.
Faqja zyrtare e internetit e UEFA-s, në komentin e saj për ndeshjet e kombëtareve, e ka cilësuar si mbresëlënëse paraqitjen e Shqipërisë në Haifa, të mbyllur me suksesin 3-0 përballë Izraelit vendas.
“Armando Sadiku shënoi dy gola të bukur ndërsa Shqipëria kaloi mbi Izraelin për vendin e tretë falë diferencës së golave pas një paraqitje mbresëlënëse.
Sulmuesi i Zyrihut realizoi të parin me një goditje të ulët nga jashtë zonës në minutën e 22-të ndërsa shënoi për të dyfishuar rezultatin me një gjuajtje nga një distancë edhe më e largët, pak para pushimit të ndeshjes.
Por Shqipëria nuk kishte mbaruar punë, Ledian Memushaj finalizoi një lëvizje të rrjedhshme ekipore për të mbajtur djemtë e De Biazit 7 pikë larg dy skuadrave të kreut”, shkruhej në artikullin e UEFA-s.
Ndërkohë, mediat izraelite kanë masakruar në komentet e tyre përfaqësuesen e Izraelit për humbjen e rëndë që pësoi në shtëpi me shifrat 3-0 përballë Shqipërisë.
“Kjo është një nga humbjet më turpëruese në historinë e ekipit kombëtar dhe publiku iu përgjigj me vërshëllima”, shkruan “Ynet”. “Shqiptarët dukeshin më kërkues dhe më të përgatitur për këtë ndeshje.
Ndërkohë, portali “One” i ka vënë thjesht titullin “Turpërim kombëtar” artikullit për ndeshjen, ku thekson se si Izraeli ishte një skuadër shumë e dobët në fushën e lojës. Njëkohësisht, e cilëson suksesin shqiptar “një hakmarrje të shërbyer të ftohtë”, që i kushtoi vendin e tretë Izraelit.
Ndeshja e radhës për kombëtaren shqiptare është me datë 2 shtator 2017 përballë Liechtenstein në Shqipëri.
(Arnold Përlala, Portali Shkollor)
Orë mësimi e hapur me klasën e shtatë
Lojtari më i mirë i shahut në botë
Aktivitetet sportive për fëmijët tuaj