UILLIAM HARVEJI

Shkenca bashkëkohore e Uilliam Harveji-t

Për të gjithë të apasionuarit pas shkenës, Uilliam Harveji ka sjellë teorinë më të rëndësishme të të gjitha kohërave në fushën e biologjisë. Ai dëshmoi se gjaku në trup qarkullon nëpërmjet zemrës, e cila në të vërtetë është një “pompë biologjike”.

Uilliam Harveji

Kronologji

 Në vitin 1609 emërohet mjek në spitalin “Shën Bartolomeu” në Londër.

• Në  vitin 1618, mjek i Xhejmsit I.

• Në vitin 1628 boton veprën Mbi lëvizjen e zemrës dhe gjakut te kafshët.

• Në vitin 1651 botoi veprën Ese në lidhje me lindjen e gjallesave.

• Në vitin 1661 Marçelo Malpinji me anë të mikroskopit të vet provoi supozimet e Harvejit mbi anastomozat. 


Ashtu siç Kepleri futi astronominë në botën bashkëkohore duke\ plotësuar veprën e Nikola Kopernikut, i cili i ishte kundërvënë Ptolemeut, ashtu ndodhi edhe me Uilliam Harvejin. Atë që kishte filluar Galeni dhe që e kishte kundërshtuar Vesaliusi, Harveji e futi bindshëm në skenën e shkencës bashkëkohore, ndoshta si teorinë më të rëndësishme të të gjitha kohërave në fushën e biologjisë. Harveji supozoi dhe më pas dëshmoi bindshëm se gjaku në trup qarkullon nëpërmjet zemrës, e cila në të vërtetë është një “pompë biologjike”.


TEORI E RE

Sipas Galenit, gjaku prodhohej në mëlçi nga ushqimi dhe luante rolin e karburantit. Në mënyrë që të mos zvogëlohej sasia e gjaku që shpenzonte organizmi, duheshin konsumuar sa më shumë ushqime. Vesaliusi, me gjithë korrigjimet në studimet e Galenit, prapëseprapë shumë pak i shtoi asaj teorie. U desh ardhja e anglezit Harveji, mjekut të mbretit Xhejmsi I dhe më vonë të Çarlsit I, i cili gjatë dy dekadave, përmes përsëritjes rigoroze së eksperimenteve me kafshë të “kopesë mbretërore”, më në fund arriti të dëshmonte teorinë e vet mbi qarkullimin e gjakut. Që në fillim Harveji e kishte të vështirë të besonte se mëlçia mund të prodhonte gjithë atë sasi gjaku për të cilën fliste teoria e karburantit të harxhuar e Galenit. Më pas filloi të mendonte se gjaku nuk harxhohej, por ripërtërihej gjatë qarkullimit nëpër trup. Nga autopsitë ai konstatoi me saktësi se gjaku transportohej nga zemra me anë të arterieve deri në pjesët e skajshme të trupit. Këtë e bënte të mundur zemra që vepron si pompë. Venat, me anë të një numri valvulash të njëkahshme, e kthejnë gjakun përsëri në zemër. Ky zbulim hodhi poshtë teorinë e pranuar deri atëherë të Galenit për mënyrën se si funksiononte trupi i njeriut. Harveji i publikoi zbulimet e veta në panairin e librit të Frankfurtit në vitin 1628 në një libër prej 720 faqesh me titull Ese anatomike mbi punën e zemrës dhe gjakut te gjallesat. Edhe pse kishte mbajtur leksione për teorinë e tij të qarkullimit të gjakut që nga viti 1616, iu desh shumë kohë që ta publikonte zbulimin e vet. Ashtu si Koperniku, Harveji ishte mjaft skrupuloz, gjë që sqaron pjesërisht arsyen se pse e ka zgjatur kaq botimin, por nga ana tjetër, edhe ai kishte frikë nga sulmet dhe përballja me faktin që kundërshtoi Galenin.


MENDIMET E DYZUARA

Dhe me të drejtë. Edhe pse në fillim disa shkencëtarë e mbështetën, shumë të tjerë e kundërshtuan me forcë ose e tallën. Pika më e dobët e teorisë së tij, të cilën autori e njihte, por nuk arrinte ta shpjegonte, ishte mënyra e kalimit të gjakut nga arteriet në vena. Ai mendonte se kjo ndodh në damarët e gjakut, të cilët janë shumë të vegjël dhe syri i njeriut nuk mund t’i shohë. Falë zbulimit të mikroskopit nga Marçelo Malpinji, kjo gjë u vërtetua pas vdekjes së Harvejit. Për fat të keq, Harveji nuk e kishte një pajisje të tillë, madje për shkak të kritikave humbi edhe një pjesë të pacientëve në klinikën e vet në Londër. Gjithsesi, derisa vdiq, ai iu përgjigj shumë prej vërejtjeve e kundërshtimeve ndaj teorisë së tij dhe arritjet e tij kishin filluar të pranoheshin më gjerësisht, edhe para dëshmive të Malpinjit.


RIPRODHIMI

Në vitin 1651 Harveji botoi edhe një vepër tjetër të rëndësishme, kësaj here nga fusha e riprodhimit, Ese mbi lindjen e gjallesave. Në të ai hedh poshtë teorinë e shumimit spontan të gjitarëve, e cila ishte pranuar deri atëherë. Në vend të saj, ai paraqet tezën e tij për riprodhimin e gjitarëve, sipas së cilës femrat e gjitarëve bëjnë vezë, të cilat në kontakt me farën e mashkullit fekondohen. Edhe pse Harveji nuk bëri një shpjegim të qartë të fekondimit të vezëve, siç e njohim sot riprodhimin, besimi i tij se veza qëndron në bazë të çdo jete, ishte bindës dhe fitoi mbështetje shumë të madhe edhe para se të provohej eksperimentalisht disa shekuj më vonë.


Metodologjia bashkëkohore

Vlera e Harvejit nuk qëndron vetëm në zbulimet e tij, por edhe në metodologjinë që përdori. Qasja racionale shkencore bashkëkohore, të cilën Uilliam Gilberi e zbatoi në fizikë, kurse Fransis Bejkëni e përdori në të gjitha aspektet e jetës, Harveji e zbatoi në kërkimet e veta në fushën e biologjisë, duke mbjellë farën e sistemit metodik, të cilin e pranojmë edhe sot. Ai i shmangu paragjykimet e paraardhësve dhe përqafoi vetëm përfundimet që nxirren nga eksperimentet dhe që mund të nxirren njësoj edhe po të përsëriten në mënyrë identike nga fillimi. Metodologjia e Harvejit ka qenë mjaft e suksesshme dhe ka pasur mjaft popullaritet e mbështetës, për këtë arsye vazhdon të përdoret edhe në ditët e sotme.



Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai

(Portali Shkollor)

2,960 Lexime
5 vjet më parë