Vatikan

Shenjtërohet Nënë Tereza, misionarja e jetës dhe dinjitetit njerëzor

Nënë Tereza u shpall shenjte, sepse ishte thellësisht kundruese dhe e gëzueshme, ashtu siç duhet të jetë çdo njeri në jetën e përditshme. Ajo i donte njerëzit, besonte tek mirësia dhe falte buzagaz të gjithë dhe gjithçka që i shkaktonte dhimbje

Qielli i Vatikanit u ndriçua të dielën nga aureola e një shenjteje të re, Nënë Terezës. Ceremonia e shpalljes Shenjt të shqiptares së imët, me trup të mpakur, por me shpirtin e thellë deri te burimi i jetës u zhvillua në 4 shtator, në praninë e figurave më të shquara shqiptare dhe botërore. Të gjithë, të mbledhur në Sheshin “San Pietro”, në Romë, kremtuan shpalljen shenjt të shqiptares që të gjithë e pamë, që të gjithë e dëgjuam, që shumica prej nesh u përpoqëm ta imitonim në virtyt edhe përkushtimin ndaj jetës.


Shenjtja e trojeve shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta (Indi). Vinte nga një familje e mrekullueshme dhe e bashkuar në bashkëndarje, kujdes dhe dashuri për njëri-tjetrin. Prindërit e Nënë Terezës nuk reshtën kurrë së përcjelli te fëmijët e tyre shpirtin e devotshmërisë dhe atmosferën e respektit të ndërsjellë.


Sot, le të ndihemi krenarë, jo sepse televizionet e mbarë botës përçuan liturgji në gjuhën shqipe, apo lakuan faktin që Shenjtja Terezë ishte shqiptare. Le të na shërbejnë ditë të tilla gëzimi mbarë botëror për të reflektuar për vlerat që mund të kultivohen ndër ne, që cilido nga ne mund të jetë “një shtëpizë” ku të mbretërojë dashuria për të afërmin, paqja dhe respekti për jetën.


Nënë Tereza shqiptare nuk u shpall shenjte vetëm se u vërtetuan dy mrekullitë që thyen tabutë e botës mistike. Ajo u shpall shenjte, sepse ishte thellësisht kundruese dhe e gëzueshme, ashtu siç duhet të jetë çdo njeri në jetën e përditshme. Nënë Tereza i donte njerëzit, besonte tek mirësia dhe falte buzagaz të gjithë dhe gjithçka që i shkaktonte dhimbje.


Nënë Tereza shqiptare e shqiptarëve dhe e të gjithë botës u shpall shenjte, sepse më parë se të ndiente uri, kërkonte të ushqente dikë tjetër që kishte nevojë për ushqim, para se të ndiente etje, i jepte të pinte dikujt tjetër, kur kishte ftohtë i jepte një batanije një tjetri që kishte më shumë nevojë se ajo. Nënë Tereza nuk u shtir dhe nuk u tregua kurrë servile ndaj askujt. Për të nuk kishte të pasur apo të varfër, në zemrën e saj kishte vetëm njerëz të barabartë.


Le të na shërbejnë ditë historike si e diela e 4 shtatorit jo për të na kujtuara apo për të na përkëdhelur krenarinë e origjinës, por për të na sjellë ndër mend që jemi njerëz dhe nuk duhet të heqim dorë nga dinjiteti i jetës, të vihemi të gjithë në shërbim të dashurisë, në shërbim të vlerave njerëzore, të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmën dhe afërsinë tonë.

Nuk mjafton të krenohemi me Nënë Terezën. Duhet të çojmë përpara misionin e jetës që ajo me durim na e mësoi. 


/dm/ Portali Shkollor

1,717 Lexime
8 vjet më parë