Shqipëri

Sarda, vlerë e paçmuar natyrore dhe historike

Një ndër vendet e këshillueshme për t’u vizituar në Shqipëri dhe që karakterizohet nga vlera të mëdha ekoturistike është edhe qyteti mesjetar i Sardës.

Turistët e huaj, Shqipërinë, tashmë nuk e vizitojnë vetëm për bukuritë e natyrës dhe plazhet e mrekullueshme. Harta e vizitave ka ndryshuar dukshëm dhe një vend të veçantë zë turizmi kulturor, ku në krye të preferencave qëndrojnë objektet me vlera historike dhe arkeologjike.

Një ndër vendet e këshillueshme për t’u vizituar dhe që karakterizohet nga vlera të mëdha eko turistike është edhe qyteti mesjetar i Sardës.

Sarda, që sot njihet si Kalaja e Shurdhahut, ndodhet në një ishull të liqenit të Vaut të Dejës, rreth 35 km larg nga qyteti i Shkodrës. 

Zona përreth kësaj qendre kulturore është një nga vendet më të rëndësishme arkeologjike dhe historike. Në të gjenden rrënojat e një kalaje antike romake dhe një numër objektesh të tjera me vlerë për t’u vizituar, që i përkasin shek. të11-të.

Për këtë qytezë kanë shkruar shumë studiues të huaj si Ippen, De Grandi, J. G. Hahn, si dhe studiues e arkeologë shqiptarë, të cilët e kanë vlerësuar si një mbartëse të kulturës Ilire. Vetë emri i saj i transformuar në Shurdhah ka origjinë Ilire nga qyteti i Sardis.

Sarda ka qenë një stacion pushimi në rrugën e vjetër të Dardanisë. Në vitin 877 ka qenë qendër e krahinës së Polatit. Sarda, dikur një qytezë përbri Drinit, si një gadishull strategjik dhe si një pikë ndërlidhëse me rrugën e vjetër Gjakovë-Shkodër-Ulqin, ishte vendbanim i familjes së madhe feudale të Dukagjinëve ku ata ndërtuan pallatin mbretëror.

Sot një qytezë e pabanuar e rrethuar me kurorën e bukur të ujit të kristaltë të Drinit, Sarda është kthyer në një ishull interesant dhe në një pikë të rëndësishme turistike.

2,909 Lexime
8 vjet më parë