
Ruajtja e gjuhës shqipe në Diasporë/ Linda Bazina, mësuesja që formon breza me identitet shqiptar
Linda Bazina, mësuese e diasporës, e sheh gjuhën shqipe si një thesar të shenjtë që lidh brezat me rrënjët e tyre. Që prej vitit 2003, ajo jeton e punon në Londër, duke mësuar shqip fëmijët shqiptarë. Për të, ruajtja e gjuhës është më shumë se komunikim, është identitet dhe trashëgimi kulturore.
Linda Bazina është mësuesja e Diasporës që e sheh gjuhën shqipe si një pasuri të shenjtë, një thesar që duhet ruajtur dhe kaluar nga brezi në brez. Me përkushtim dhe dashuri, ajo ka ndihmuar fëmijët shqiptarë në Londër të kuptojnë dhe të çmojnë gjuhën e tyre, që është më shumë se një mjet komunikimi, është një lidhje e thellë me rrënjët dhe identitetin shqiptar.
Ajo ka shkuar në Londër në vitin 2003, dhe që prej asaj kohe jeton dhe punon si mësuese, duke dhënë mësim në shkollën publike britanike “Belvedere junior school” dhe në shkollën shqipe “Ardhmëria”.
Intervista e saj vjen si një reflektim i rëndësisë që ka ruajtja e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore, sidomos në një ditë kaq të rëndësishme, siç është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e cila na kujton se gjuha është një pasuri që kalon përtej fjalëve, duke formuar dhe lidhur brezat. Linda na tregon si gjuha shqipe mund të mbijetojë dhe të forcohet mes një mozaiku kulturor në Londër, duke i bërë fëmijët të ndihen krenarë për trashëgiminë e tyre dhe të lidhur me një botë të gjerë, por gjithmonë me zemër në Shqipëri.
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
Znj.Linda, ju keni një kohë dhe eksperiencë të gjatë që kontribuoi në përçimin dhe ruajtjen e gjuhës tonë amtare ndër fëmijët shqiptarë që jetojnë në Londër. Si e përjetoni ju si mësuese në diasporë Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare?
Së pari dua të theksoj që për mua është privilegj dhe përgjegjësi mësimdhënia e gjuhës shqipe te fëmijët e lindur dhe rritur në Londër. Gjithmonë e kam konsideruar misionin fisnik të mësimdhënies të rëndësishëm dhe e krahasoj armatën e mësuesve në diasporë si “Rojtarë e Gralit të Shenjtë” që është e shenjta dhe e shtrenjta jonë, gjuha shqipe.
Si mund të ruhet dhe forcohet gjuha shqipe mes fëmijëve shqiptarë në Londër, përballë sfidave të një mjedisi ku dominojnë gjuhët e tjera?
Është e vërtetë se fëmijët që rriten në Diasporë janë të rrethuar nga një mjedis shumëgjuhësor, madje gjuha e vendit ku ata janë lindur e rritur konsiderohet si gjuhë e tyre e parë. E megjithatë dashuria dhe malli i prindërve për të ruajtur identitetin e tyre e të qenurit shqiptar ka bërë që këta fëmijë të mësojnë dhe të flasin gjuhën e shpirtit. Më vjen ndërmend një shprehje e mençur “Të gjitha gëzimet dhe dertet e shpirtit, shprehen vetëm në gjuhën e nënës”. Për këtë arsye funksionojnë shkollat shqipe në Diasporë, ku këta fëmijë mësojnë të flasin e të shprehen shumë bukur në shqip, të komunikojnë me gjyshërit e tyre, apo me bashkëmoshatarët e tyre në vendet ku janë apo edhe në vendet e origjinës, në trojet shqiptare. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë midis mësimdhënësve të gjuhës shqipe dhe prindërve, ndërgjegjësimit të prindërve për rëndësinë e mësimit të shqipes tonë të bukur, pasi nëpërmjet mësimit ata realizojnë dy qëllime njëkohësisht. E para u mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën e paraardhësve dhe në të njëjtën kohë i japin një mundësi fëmijëve të tyre të dinë edhe një gjuhë të dytë.
Cilat janë disa nga praktikat më të suksesshme që përdorni për t’i bërë fëmijët të ndihen krenarë për gjuhën e tyre amtare?
Disa nga praktikat e përdorura për t’i bërë fëmijët krenar për gjuhën amtare dhe origjinën e tyre janë mësimi mbi ngjarjet dhe vendet historike, roli dhe veprimtaria e figurave të shquara të kombit tonë ndër shekuj; prezantimi i historive të suksesit të personaliteteve të shquara në fusha të ndryshme në shkencë, në art, në sport, kulturë etj., në Disaporë; Takimi i brezave (ish nxënës të shkollës shqipe “Ardhmëria”, në Londër) me fëmijët e shkollës ku unë jap mësim. Krijimi i miqësive të reja midis prindërve që çon në krijimin e një familjeje të madhe të komunitetit tonë. Një praktikë tjetër është edhe këmbëngulja dhe nxitja e të folurit dhe të lexuarit të gjuhës shqipe kudo ku vogëlushët ndodhen, në familje, me pushime, në aktivitete të ndryshme qoftë brenda dhe jashtë komunitetit.
Si e shihni rolin e prindërve në këtë proces dhe çfarë këshillash do t’u jepnit për ta mbështetur më shumë përdorimin e shqipes në familje?
Po e filloj me fjalën “Mirënjohje” ndaj të gjithë prindërve që mundësojnë sjelljen e fëmijëve në shkollat tona. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për ritmin e shpejt dhe sfidat e jetës në emigracion, e megjithatë në këto kushte këta prindër sakrifikojnë nga koha e tyre për të mundësuar mësimin dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe te fëmijët e tyre. Dyert e shkollave janë të hapura për mësimin e gjuhës amtare por një rol të rëndësishëm keni ju prindër për ta praktikuar dhe inkurajuar brenda familjes.
A vëreni ndryshim te fëmijët që rriten me një ndërgjegjësim të fortë për gjuhën e tyre amtare krahasuar me ata që nuk e praktikojnë rregullisht?
Mund ta them me bindje se vitet e fundit vërehet një ndërgjegjësim i prindërve mbi rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo lidhjet me dëshirën e familjeve shqiptare për të ruajtur me krenari identitetin e tyre në atë mozaik kulturash në metropolin britanik e ndoshta dhe më gjerë.
Cili është mesazhi juaj në këtë ditë të rëndësishme për gjuhën amtare?
U uroj në shqip nga zemra, Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, të shqipes tonë të bukur e të dlirë! Le të besojmë që kjo gjuhë të fluturojë si një shqiponjë në të gjitha anët e globit ku ndodhen bashkëkombësit e mi!
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Urimet dhe mesazhet e gjuhëtarëve dhe të njohësve të gjuhës shqipe për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Mimoza Hafizi feston sot ditëlindjen, një jetë mes shkencës dhe letërsisë
Festojmë Ditën Botërore të Gjuhës Amtare me botimet Albas