Rëndësia e lojërave
Një lloj i veçantë lojërash që mpreh aftësitë folëse të fëmijëve, janë lojërat gjuhësore. Ato janë shumë argëtuese dhe të pëlqyeshme prej fëmijëve. Më anë të tyre fëmijët bëhen të vëmendshëm, si dhe zhvillojnë aftësitë logjike.
Lojërat lëvizore
Lojërat lëvizore karakterizohen nga përdorimi i trupit në mënyrë dinamike. Qëllimi i tyre është që, nëpërmjet ngacmimeve e stimujve ndjesorë, të arrihen gjendje emocionale të kënaqshme dhe uljen e gjendjes së tensionuar të fëmijës, fëmija njihet me hapësirën, sendet e largësinë mes tyre, të cilat kanë rëndësi për zhvillimin tërësor të fëmijës. Lojëra të llojit lëvizor janë: - lojërat e ekuilibrit-çekuilibrit (kërcime, rrotullime, kapërdimja, rrëshqitje, rrëzime përtokë, kthime, lëkundje etj.) - lojëra lëvizore aktive (hedhje, tërheqje, mundje, shtyrje) - lojëra për orientimin në hapësirën me dhe pa objekte (zvarritje, ecje, vrapim, kapërcime, hedhje topash ...) - lojëra për kënaqësi ndjesore (ecje zbathur në sipërfaqe të buta e të forta, të ngrohtë dhe të ftohtë, si dhe mbi materiale të ndryshme) Lojërat lëvizore, përveçse zhvillojnë fizikisht dhe emocionalisht fëmijën, ndihmojnë edhe për të rritur sigurinë në vetvete dhe për ta bërë më të natyrshme shkëputjen nga nëna e të mos ndihen të braktisur në çastin e ndarjes së mëngjesit me të. Gjithashtu këto lojëra i aftësojnë fëmijët të vetëmbrohen dhe të rriturin e besimit në vete. Lojëra të tilla janë kukafshehthi, e kapa s’e kapa, ndërtimi i shtëpizave etj.
Lojërat simbolike
Në lojërat simbolike objektet nuk përdoren me funksionin që kanë, por si simbol i objekteve të tjera. Pra, shërbejnë për evokimin e situatave të së shkuarës ose për ngjarje imagjinare. Me to fëmija ushtron imagjinatën për të ndërtuar realitete që nuk ekzistojnë. Ato e ndihmojnë të krijojë histori imagjinare, të cilat ia tregon shokut. Progres i dallueshëm vihet re kur nga këto lojëra simbolike, fillimisht individuale, fëmija fiton aftësinë të marrë parasysh edhe nevojat e të tjerëve, duke marrë kështu karakter social, duke përfshirë edhe fëmijët e tjerë ose të rriturit në role komplementare.
Lojërat gjuhësore
Një lloj i veçantë lojërash që mpreh aftësitë folëse të fëmijëve, janë lojërat gjuhësore. Ato janë shumë argëtuese dhe të pëlqyeshme prej fëmijëve. Më anë të tyre fëmijët bëhen të vëmendshëm, si dhe zhvillojnë aftësitë logjike e imagjinative. Të to përfshihen lojërat e mbiquajtura kashelashe ose gjëza, lojërat me telefon, loja “bëj sikur lexoj përrallen”, lojërat me gjetje rime (dy vargje të thjeshta ku fëmijët gjejnë rimën e vargut të dytë, si ore-ore lulebore, kapemi përdore etj. ), lojërat për artikulimin e mirë të tingujve (Kali i kuq ka katër këmbë, këmbët e kalit janë të kuqe), loja Kam një kungulleshë, lojërat me numërim gishtash ose lojëra me përplasje shuplakash që shoqërohen me fjalë ose rima etj.
Lojërat me rregulla
Lojërat me rregulla paraqesin formën më të evoluar të lojërave dhe duhet të përmbushin dy kritere: - Është e nevojshme që të ketë së paku dy pjesëmarrës që konkurrojnë me njëri-tjetrin; - Sjellja e lojtarëve është e rregulluar nga një kod zakonisht i paracaktuar. Këto lojëra janë më të përshtatshme për grupmoshat 5-6 vjeçare, duke u zënë vendin dy llojeve të lojërave të mësipërme. Megjithatë ka edhe lojëra me rregulla, siç janë dominotë, që mund të luhen lehtësisht nga fëmijët, natyrisht nën drejtimin e mësueses.
* Marrë nga Udhëzuesi metodik, dosja Hop - Hop, botimet Albas
Klikoni këtu për të shkarkuar udhëzuesin e plotë
Për të blerë online udhëzuesin klikoni këtu
(Portali Shkollor)
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur për ditëlindje
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni mësimdhënësve tuaj për festën e Vitit të Ri
Rregullat për të luajtur lojën me letra “UNO”