Qyteti Studenti, në ngjyrat e piktorit Silvi Nasufi
Silvi Nasufi është piktori i ri, i cili përmes penelit të tij, në njërin prej projekteve, paraqet Qytetin Student. Silvi na prezanton pasionin e tij më të madh, pikturën, duke rrëfyer për sfidat e një artisti në Shqipëri.
Silvi Nasufi, për t’ju njohur më tepër, cili është profili juaj. Çfarë vendi zë piktura tek ju?
Jam Silvi Nasufi dhe prej gjashtë vitesh tashmë, piktura zë një pjesë të konsiderueshëm në çdo ditë timen. Kam përfunduar liceun e Vlorës "Naim Frashëri" në degën e pikturës dhe aktualisht vazhdoj Universitetin e Arteve në Fakultetin e Arteve të Bukura, dega pikturë kavaleti. Lidhja ime me pikturën ka nisur si e gjithë fëmijëve të tjerë, pra në vitet e para të jetës, kur dëshira për të vizatuar është e madhe. Veçse tek unë kjo dëshirë u kthye në pasion dhe nuk është shuar më që atëherë.
Cilit stil i përket krijimtaria juaj?
Të flasësh për një stil të mirëfilltë është pak e vështirë, pasi krijimi i një stili piktorik është një proces i gjatë vetënjohjeje, i cili mund kërkojë vite të tëra pune për një artist. Megjithatë, boshti i krijimtarisë sime ka qenë gjithmonë figurativ, me një vëmendje të veçantë për ngjyrën, dritën dhe marrdhënieve të tyre në kuadratin e telajos.
Në periudhën e parë, atë të liceut, ka qenë peizazhi tematika që kam pikturuar më së shumti, duke mos i rezistuar tundimit, që qyteti i Vlorës ia jep çdo piktori. Nëse do t’i krahasoja ato peizazhe me një nga periudhat e artit, ajo që i qëndron më pranë është impresionizmi, jo vetëm për nga karakteistikat piktorike, por edhe nga mënyra e punimit "Plain Air", pra direkt nga natyra. Pavarësisht kësaj në periudha të shkurtra kohore, por dhe rastësore, jam përpjekur të lëvroj dhe më e rëndësishmja të kuptoj edhe stile e teknika piktorike, të cilat janë larg mënyrës sime të të pikturuarit dhe që shkojnë deri tek abstraksionizmi.
Në periudhën e dytë, këtë të akademisë, fokusin artistik e kam afruar më shumë drejt tematikave që rrethojnë jetën time të përditshme, pjesë e çaste nga shtëpia ime në vendlindje, akademia, ku kaloj një pjesë të madhe të kohës, dhe padyshim qyteti studenti, ku banoj prej dy vitesh.
Për sa kohë jetoj në qytetin studenti, e kam ndjerë të natyrshme dhe deri diku të domosdoshme të fiksoj në tablo këto copëza momentesh.
Nga cilët ikona të pikturës frymëzoheni?
Ikonat apo piktorët prej të cilëve frymëzohem janë të shumtë. Ndaj nuk mund të zgjedh një në veçanti. Si fillim, mendoj se më e rëndësishme është njohja e artistëve që kanë shënjuar epokat e artit pamor dhe jo kthimi i njërit prej tyre në ikonë, pasi kjo gjë mund ta çojë lehtë një piktor të ri në grackën e kopjimit. Atyre të cilëve unë u kthehem më shpesh për t’i parë e për të mësuar prej tyre janë impresionistë si Manet, Mone, Degas, Van Gohg, Sezan, klasikë si Mikelanxhelo, Da Vinci, Rafaelo, piktorë të stilit barok si Rembranti apo edhe shkolla ruse e pikturës me artistë si Nicholai Fechin.
Në njërin prej projekteve, keni zgjedhur të shpalosni përmes ngjyrash jetën në qytetin studenti. A keni përjetuar vetë aty jetën studentore dhe me sa realizëm e keni përshkruar? Çfarë ju ka frymëzuar më së shumti në realizimin e këtyre pikturave?
Projekti për të cilin flasim ka të bëjë me një seri pikturash e vizatimesh, të përfunduara tashmë, ku paraqiten pjesë të ndryshme të qytetit studenti, të ndara në dy plane kryesore, në eskteriore dhe interiore, pra çaste të fiksura jashtë konvikteve dhe ajo çka ndodh në brendësi të tyre. Finalizimi i projektit, në rastin më të mirë, do të qe çelja e një ekspozite në qendër të qytetit studenti, gjë e cila varet dhe nga kushtet aktuale të pandemisë dhe rregullat të cilat ndalojnë grumbullimet e personave. Megjithatë, ekspozita do të zhvillohet në një çast të dytë, ku pikturat t’i paraqiten vetë studentëve si një realitet të cilin ata e njohin tashmë, por që e shohin në këtë trajtim piktorik.
Zanafilla e projektit ka qenë fare rastësore, pasi siç e preka më lart, motivet e pikturave të mia janë nga më të thjeshtat, nga përditshmëria, pra janë çaste që rrethojnë jetën time, thënë kjo, për sa kohë jetoj në qytetin studenti, e kam ndjerë të natyrshme dhe deri diku të domosdoshme të fiksoj në tablo këto copëza momentesh, që i përkasin vendit ku jetoj. Fakti që imazhet e shkëputura janë marrë të gatshme nga realiteti bën që përmbajtja e tyre të jetë realiste, pra e paimponuar paraprakisht nga unë.
Në syrin e një piktori, si shplasohet jeta në Qytet Studenti?
Në syrin e një piktori, ashtu si në syrin e çdo shqiptari të vetëdijshëm, jeta e një studenti shpaloset me vështirësi e sakrifica, me bukurinë dhe vrullin e moshës, dhe më e rëndësishmja me ëndrra. Këto të fundit duket sikur janë të paligjshme në vendin tonë. Për të mos folur për situatën e pandemisë që po përjetojmë prej afro një viti, e cila ka prekur, ashtu si gjithë pjesët e shoqërisë edhe studentët, të cilët janë të detyruar të lenë auditoret dhe ta zhvillojnë mësimin vetëm "online". Mendoj se jemi më të prekurit nga situata aktuale.
Si një artist, çfarë vlere ka arti për një komb? Si e transformon arti cilësinë e jetës?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, po ju marr një shembull: Le ta imagjinojmë kombin si një trup të vetëm. Mjekësia përshembull, do të ishte shëndeti i këtij trupi, arsimi do të ishte dija e tij, ushtria, forca e tij, por shpirti i tij patjetër do të ishte arti. Për sa kohë ne nuk denjojmë të kthejmë sytë nga arti dhe artistët duke mos krijuar hapësira që ata të shfaqen, do të jemi një komb jo i paqtë shpirtërisht, dhe flas këtu jo vetëm për artistët e arteve pamore, por edhe për aktorët të cilëve u mungon skena e vetme, ku ata mund të performonin denjësisht, pa harruar edhe muzikantë, që në këto kohë që po jetojmë po vlerësohen më shumë nga veshja apo zhveshja e tyre.
Arti ndikon në mënyra të ndryshme në dy linjat kryesore të jetesës, të cilat janë ana shpirtërore dhe ajo materiale. Tek e para, ndikimi i artit është i frytshëm si për ata që e krijojnë, ashtu dhe për ata të cilëve u drejtohet, ndërsa tek e dyta përballemi me një ngërç të madh, sidomos kur vjen puna për pjesën financiare.
A jeni përballur me vështirësi në këtë terren të vështirë? A përballeni me ndonjë indiferentizëm apo mosbesim ndaj vlerave të artit?
Vështirësitë janë të pranishme, sidomos kur je i ri dhe kërkon të arrish synimet e tua në art. Ndonjëherë thjesht të qenit ende student, bën që të mos e marrësh atë që meriton. Vështirësitë janë edhe finaciare, sepse të merresh me art kërkon shpenzime të mëdha, hera herës të papërballueshme për një familje mesatare shqiptare. Sigurimi i materialeve të nevojshme ka raste kur kthehet në sfidë. Lehtësira nuk ka as në shkollat artistike, ku plotësimi me materialet e domosdoshme është thuajse bazik.
Përsa i përket indiferentizmit ndaj vlerave artistike, sigurisht që është prezent, sepse që arti të vlerësohet e të kuptohet drejt duhet që pjesa më e madhe e popullsisë të jetë në njëfarë niveli mirëqenieje, apo niveli kulturor, ku komoditeti i shijimit të vlerave artistike të jetë i modës. Kjo është një e përgjithshme, por jo tërësia e asaj që ndodh, sepse ka dhe një pjesë e cila e vlerëson artin dhe artistët. Kjo është pikërisht ajo pjesë që e mban gjallë interesin ndaj vlerave artistike.
Cilat janë ëndrrat e Silvit? Ku mund t’ju shohim pas disa viteve?
Ëndrra ime është të arrij sa më larg në rrugicën ku kam nisur të eci, destinacioni i së cilës është njohja e pikënisjes. Pas disa viteve, dëshiroj të jem ende këtu në vendin tim duke krijuar e duke ekspozuar për publikun shqiptar.
Intervistoi Parajsa Shtini
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, prezantohet drafti
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani