Reflektim

"Prind nuk është ai që të lind, por ai që të rrit"

Krijim letrar nga mësuesja e gjuhë-letërsisë Mirela Muçaj, një shkrim i cili përcjell domethënie dhe emocion nëpër rreshta.

Nga Mirela Muçaj, mësuese gjuhë-letërsie


Rritemi gjithmonë drejt të menduarit se prindërit janë shembulli e modeli se si duhet të jetë njeriu, busulla drejt një orientimi të pagabueshëm, dora hyjnore e pazëvendësueshme drejt së drejtës, me asnjë fije dyshimi apo dyzimi në drejtimin që ato na japin. 


Një ditë jemi një fëmijë i cili edhe pse nuk arrin të kuptojë shumëçka, ndjen brenda vetes edhe më shumë se i nevojitet; e një ditë tjetër jemi të rritur të cilët edhe pse pas metamorfozës së viteve kanë sërish syrin e brendshëm të dikurshëm.


Jo pa qëllim theksoj fjalën “rritemi”, sepse unë mendoj se prind nuk është ai që të lind, por ai që të rrit; e unë kam pasur fatin e kam ndjerë dhe përjetuar të dyja dritëhijet e të mirës dhe errësirës.


E njohura ime kaq e panjohur,kaq e largët, kaq e huaj!


Gjeneza e asgjësë, gjeneza e braktisjes, filizi i çdo dhimbjeje, fundi pa pasur fillim vesh maskën më të shëmtuar të kohëve tona, njëjtë si në kohët e vjetra, njëjtë si vetvetja. Poshtërsia që qëndron pezull në të njëjtën frekuencë cinike, një tregtar gënjeshtrash për cilindo që dëshiron t’i vendosë “çmimin” fisnikëri. Ti vjedh lotët e kujtdo që i shkaktove dhimbje, i ruan dhe i rivendos mbi maskën tënde për të riluajtur në skenë viktimën. Çdo fjalë e dalë prej teje më pickon mendimet dhunshëm, një kujtim ankthioz si vetë ti. Çdo fjalë që u mungoi ngjarjeve e kohës aty ku kishe më shumë se detyrim, më shumë se borxh, më shumë se vetë jeta. Shembulli më i keq i të gjitha kohërave, duke veshur butësinë e dhembshurinë që nuk e përjetoi kurrë, në një shpirt, në ekzistencën e të cilit nuk besoj.


Askush nuk na mëson si të jemi prindër pa mësuar fillimisht si të kultivojmë njerëzoren, dhe pa e pasur këtë të dytën do të jemi gjithmonë një cikël i dështuar eksperimental i botës uniforme. Ndaj ti je gjithmonë modeli që sjell ndërmend vagullt kur mendoj se çfarë trajte ka dështimi.


Në fakt, ne mësojmë të jemi prind jo vetëm nga ajo që jemi mësuar të marrim nga prindërit tanë, por sidomos nga ajo që nuk jemi mësuar të marrim, dhe është pikërisht kjo ajo që na bën t’i mëshojmë fort në kultin tonë të familjes që krijojmë. Shembulli që marrim në jetë, veçanërisht në atë kohë, me pavetëdijen e asaj që na rrethon, bëhet vetë vetëdija, mekanizmi e kritika e të kuptuarit më tepër dhe kur është ende e panevojshme. Një fëmijë nuk ka nevojë të rritet i fortë, një fëmijë ka nevojë të ndihet  fëmijë. Për këtë të fundit nuk mund të them të njëjtën gjë, tek ajo, forca më hyjnore e jetës nuk ka qenë modeli më sublim apo i pagabueshëm, në të vërtetë ka qenë ai më trazues, ç’orientues, e dyzues, ai ka qenë modeli që më rriti para kohe, modeli para së cilit ndihesha më pak fëmijë e më pak e mbrojtur, një “siguri” që endej në ajër të ftohtë e që nuk ekzistonte veçse si një prodhim sekuencial i asaj që do të doja të ishte ndryshe në jetën time.


Megjithatë është pikërisht ky boshllëk që më bëri të ndiej më tepër se sa me fat isha që destinimi im biologjik të mos ishte i njëjtë me atë që më rriti, që më themeloi jetën. Më ndryshoi, mësoi dhe formoi. Mentori im i dashurisë pa kushte; i plotësimit, edukimit, pranisë, fjalës mikpritëse, dorës së ngrohtë dhe dhembshurisë atërore. Nën drejtimin e tij e dija që nuk mund të humbisja kurrë e edhe nëse humbisja në skutat më të errëta të botës sime, e dija se ai do të më gjente dhe do të kujdesej butësisht, siç vetëm ai dinte të ishte. Ty, modelit më të përsosur se si duhet të jetë njeriu, strehës  time më të sigurt, lamtumira fizike e së cilës më shemb shpirtin nga malli, ty gjysh. Ty dhe çdokujt si ti, që madhështia e shpirtit është përtej masës së lëndës, krenaria e së cilëve është emblema e një eksperience të tërë jetësore, boshti e muza e gjithëkohëshme. Të jem një autore e vetë shkrimtarit të jetës time…heroizmit të së cilit nuk mundem t’i mas skajet!



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

7,683 Lexime
6 muaj më parë