Prezantim dinjitoz i Shqipërisë nga komuniteti shqiptar në Parma me veshje e këngë tradicionale shqiptare
Shqipëria duket se është prezantuar denjësisht nga të rinjtë e komunitetit shqiptarë në Parma në manifestimin ndërkulturor të organizuar atje. Prezantimi i grupit shqiptar artistik “Një mijë Yje” u mirëprit me duartrokitje të shumta për nivelin e lartë të paraqitjes artistike dhe pasurisë folkloristike.
Në të dielën e fundit, më 3 tetor, sheshi kryesor i qytetit të Parmës ishte ngjyrosur më shumë se kurrë me motive nga e gjithë bota me rastin e organizimit të manifestimit ndërkulturor që u mbajt në kuadrin e Parma Capitaledella Cultural taliana 2021. (Parma, Kryeqyteti i kulturës italiane 2021).
Shumë nga popujt që jetojnë në Parma sollën motive, tinguj e poezi nga vendi i tyre.
Shqipëria u prezantua nga të rinjtë e komunitetit shqiptar në Parma, të organizuar nga shkolla shqipe “Scanderberg” dhe nga “Forum Donne Indipendenti”, Forumi i gruas shqiptare në Parma.
“Kostumet tradicionale u sollën nga Sara e Juri Murto, vëlla e motër. Sara vishte kostumin e Korçës, ndërsa Juri Fustanellën. Si dritë vezulluan në mesin e ngjyrave nga e gjithë bota, të fisëm, elegantë e plot krenari i mbajtën të veshur motivet shqiptare dhe flamurin kuq e zi Juri e Sara”, shkruhet në një nga postimet në Facebook të shkollës shqipe “Scanderberg Parma” Itali.
"Grupi artistik 'Një mijë Yje' (Enisa, Silvia, Leila, Noela, Emily e Sara) sollën disa motive të valleve shqiptare nga Jugu në Veri të Shqipërisë. Vallja nisi me Enisën që për herë të parë veshi kostumin magjeps të Mirditës", thuhet në këtë postim.
Prezantimi i Shqipërisë u shoqërua me duartrokitje dhe përgëzime të veçanta për nivelin e lartë të paraqitjes artistike dhe pasurisë folkloristike.
Prindër e organizues u ndiem vërtet të lumtur dhe krenarë për paraqitjen dinjitoze të Shqipërisë në këtë manifestim të madh nga fëmijët e të rritur në Parma, por që aq bukur dhe me fisnikëri e prezantuan kombin e tyre, origjinën nga vijnë.
Ky eveniment u organizua nga Bashkia e qytetit të Parmës, në bashkëpunim me dhjetëra shoqata dhe institucione shtetërore dhe private.
Kostumet u krijuan nga Tradita Shqiptare Edlira Sulaj Tiranë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe, prezantohet drafti
“Abetaret elbasanase” nga Natasha Shuteriqi Poroçani