Intervistë

Post panairi në Torino, Rita Petro: Libri është luksi i mendjes, meriton të paraqitet sa më hijshëm dhe në Shqipëri

Pas çdo eventi botëror që ka lidhje me librin, mbetet hijëshija për të përvetësuar më të bukurën, pasi, siç thotë shkrimtarja Rita Petro, libri është luksi i mendjes. Ndaj, çfarë duhet të huazojë Shqipëria nga panairet ndërkombëtare të librave?

Shqipëria këtë vit ishte vend mik i Sallonit të Librit në Torino. E pranishme në këtë panair me rëndësi ndërkombëtare, ishte edhe shkrimatja, poetja dhe botuesja Rita Petro. Gjatë një interviste për Portalin Shkollor Albas, ajo rrëfen shumëçka mbi këtë eksperiencë, teksa ndan përshtypjet e saj për ngjarje të tilla të cilat sugjeron të huazohen apo përshtaten për organizimet e panaireve të librave në vendin tonë. 

 

 

Rita, sapo jeni kthyer nga një ftesë pjesëmarrjeje si poete dhe botuese në edicionin e 35-të të Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino. Si ishte për ju kjo eksperiencë?


Në fakt ishte hera e parë që merrja pjesë në këtë panair dhe më la përshtypjet më të mira. Ishte një panair gjigant libri, me botues dhe shkrimtarë nga bota. Dhe shumë, shumë lexues, ndonëse hyrja nuk ishte falas. Gjë që tregon për një kulturë të lartë leximi të italianëve. Aty shihje nga të gjitha moshat e lexuesve. Stenda e Shqipërisë mblodhi shumë lexues shqiptarë që jetonin në Itali, por dhe shumë lexues italianë. Po kështu, gazetarë të kulturës ishin mjaft të interesuar për të marrë intervista nga autorët shqiptarë. Të vinte mirë kur takoheshe me kolegët e tu të letrave dhe të ndiheshe si në shtëpinë tënde në stendën e Shqipërisë. U promovuan shumë vepra dhe autorë shqiptarë.

Kjo falë organizimit shumë të mirë e me mjaft me përgjegjësi nga Ministria e Kulturës.


Për çfarë u diskutua gjatë aktivitetit tuaj, si një ndër krijueset e mirënjohura shqiptare? Çfarë u bëri përshtypje të pranishmëve, referuar pyetjeve që ata bënin? 


Në panelin e aktivitetit tonë ishte drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit, Alda Bardhyli, shkrimtari i ri Tobias Xhaxhiu dhe unë. 

Ne diskutuam për letërsinë e censuruar në kohën e diktaturës, autorët e ndaluar dhe të dënuar për shkak të frymës moderne apo kritikuese të sistemit, veçanërisht për rolin e shkrimtareve në emancipimin e shoqërisë. Në këtë kontekst u diskutua dhe për erotizmin në poezinë dhe prozën time. Gazetarët atje, por dhe lexuesit, ishin shumë të interesuar të dinin për lirinë krijuese dhe trajtimin e temave tabu përmes artit të shkrimit. Sigurisht, reagimet e tyre ishin mjaft pozitive, duke qenë se vlerësonin që arti i mirë flet me të gjitha gjuhët e botës dhe e çliron njeriun, pavarësisht vendit se ku jeton.

 


Në sallën Albania një vëmendje të veçantë morën edhe botimet për Diasporën. Prindërit, mësuesit, por edhe fëmijët shqiptarë që jetojnë në Itali, iu bashkuan festës së gjuhës shqipe “Letra nga Diaspora - Gjuhë në Pasqyrë”. A mund të na tregoni pak më tepër për atmosferën dhe mesazhet që u dhanë atë ditë, parë në këndvështrimin e botueses së Albasit, e cila, ndër të tjera, ka botuar paketën didaktike për fëmijët emigrantë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli 1”, e ekspozuar në këtë stendë.


Ishte një aktivitet jashtëzakonisht i bukur me shumë atmosferë, ku ishin të pranishme Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, drejtoresha e Botimeve për Diasporën, Mimoza Hysa dhe shumë mësues të gjuhës shqipe në Diasporë. 

Mesazhet që dhanë ato, por edhe të pranishmit, lidheshin me rëndësinë e mësimit të gjuhës së nënës, të punës së jashtëzakonshme të mësuesve të gjuhës shqipe me fëmijët e familjeve emigrante, hapjen e shkollave shqipe, rëndësinë e librit shqip për të përcjellë kulturën kombëtare dhe trashëgiminë tonë të çmuar. 


Stenda u mbush plot me fëmijë, të cilët recituan vargje nga poetë kombëtarë, kënduan, interpretuan me vegla muzikore dhe disa prej tyre performuan të veshur me kostume popullore valltarësh. Më erdhi mirë që atje takova mjaft nga bashkëpunëtorët tanë, një prej të cilëve Z. Vaxhid Sejdiun me bashkëshorten. 

U lumturova aq shumë, kur mësuesit më shprehën vlerësimin për paketën “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli 1”, të cilën ata kishin disa muaj që po e përdornin.

Por jo vetëm për paketën. Ata na çmonin dhe për shumë botime të tjera tonat që lidhen me trashëgiminë tonë kulturore, veçanërisht serinë: “Më quajnë…” me personalitete shqiptare të shquara. Po kështu, një aktivitet me mjaft vlerë ishte përkthimi në italisht dhe botimi i librit të Elia Zaharias, “Trëndafili i bardhë”, nga Gribaudo editore, botimi i parë në shqip i së cilës mban logon ALBAS.


Kjo ftesë nga Salloni i Torinos ishte një mundësi edhe për vendosjen e urave të bashkëpunimit të botuesve dhe autorëve shqiptarë me ato të huaj. Çfarë mund të na thoni në këtë drejtim, a do të ketë ndonjë të re për Albasin apo për Rita Petron? 


Patjetër që po. Panairet janë vendi ku takohen të gjithë në një vend, botues, shkrimtarë, lexues, ku bëhen marrëveshje e kontrata të ndryshme, një mundësi e shkëlqyer për bashkëpunime. Ne botuesit shqiptarë e kemi një vështirësi të madhe, pasi botuesit e huaj e kanë shumë kollaj të na shesin të drejtat e botimit të librave të tyre, por rrallë ndodh të na blejnë të drejta. Gjithnjë të stepur për botimet tona, pasi ata mendojnë se a do të kenë lexues andej. Prandaj mbështetja e politikave kombëtare e ndërkombëtare të librit janë të domosdoshme, sidomos për vende “të vogla” si ne. Dhe më e rëndësishme, çuarja e librit të përkthyer të autorëve shqiptarë në dorë të lexuesit. Se nuk është aq problem botimi, sesa shpërndarja dhe promovimi i autorëve shqiptarë te lexuesit europian e përtej. 

 


Sigurisht ky është një nga panairet më të mëdha e të rëndësishëm të librave në botë. Nëse do ta shihnit për nga mënyra e organizimit, çfarë mendoni se duhet të përshtatnim nga Torino për panairet tona të librave?


E para, do të thosha që nevojitet një vend shumë më i madh, që të kemi edhe ne në Shqipëri mundësi të ftojmë botues nga vende të ndryshme të botës. Stendat të jenë më dinjitoze, pasi libri është luksi i mendjes dhe, si i tillë, meriton të paraqitet sa më hijshëm. 


Së dyti, të ketë shumë më tepër hapësira për promovime librash dhe ato të vendosen mes panairit e jo në vende të tjera të izoluara. Unë isha para pak kohësh dhe në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Selanik. Edhe atje hapësirat e promovimeve e të diskutimeve ishin të vendosura mes stendave. Kjo të krijonte mundësinë që lexuesit mund të merrnin pjesë lirisht, edhe pa pasur ftesë në këta auditorë.


Dhe së treti, normal duhet më tepër investim nga qeveria në drejtim të kulturës dhe të librit në veçanti. Gjithsesi, e rëndësishme mbetet se tashmë janë hapur kufijtë për librin shqip. 




Intervistoi Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,168 Lexime
1 vit më parë