Poezi nga mësuesja Vera Ujka
Çdo njeri ka një pasion; po kështu edhe ju si mësues a prindër gëzoni mbase nga një të tillë në jetën tuaj. Nisur nga kjo në Portalin Shkollor Albas ka një hapësirë të dedikuar ku pasqyrohen iniciativat tuaja krijuese në poezi, prozë, pikturë etj. Poezitë e radhës vijnë nga mësuesja Vera Ujka.
Atdheu
Atdheu ishte djepi i drunjtë,
Flamuri, ajo shami e kuqe,
Gjuha e tij, ninulla e nënës,
Himni, ritmi i djepit tak e tuk.
Bashkë me mua rritej atdheu,
Shtrihej nga oborri e deri lart,
Ku emri i të madhit Skënderbeu,
Skalitej aq madhërisht mbi një mal.
Në tjera udhë e horizonte,
Shkela e shihja unë rreth e qark,
Atdheu rrëfenja e natës së vonë,
Legjenda pranë zjarrit bubulak.
Rrënjët e lirisë, pikë-pikë,
U vaditën dhimbshëm nga të rënët,
Atdheu kudo ku u thirra në shqip,
Ku vendçe vuajta si të tjerët.
Romancë
Seç e puthi vala bregun,
Ashtu e kaltër qetë-qetë,
U bë deti njësh me qiellin,
Të bardha janë vetëm retë.
Se ç’ndodhi mes tyre s’e di,
Ndonjë zënkë a ndonjë tekë,
Deti bregut po i mban mëri,
Bardhësisht shkumëzon në breg.
Grindën ata me hijeshi,
Vallëzon e hidhet përpjetë,
Vala si vello për nusëri
Atje lart gri janë vetëm retë.
Valixhja e drunjtë
Me valixhe ne u nisëm në udhëtim,
Atë valixhen e drunjtë dhe të rëndë,
E akullt nga emocionet në mallëngjim,
S'e dija unë se po nisja një këngë.
E nisëm ne udhëtimin e gjatë,
Valixhja e drunjtë udhëtar pa biletë,
Në udhën plot dritë, në rrugën pa natë,
Në trenin mbushur si koshere me bletë.
Fort ishte ngjeshur mundi i familjes,
Në valixhen e rëndë të mundimeve,
Filloi rruga që i fshiu emrin hijes,
Lindi dhe u dha krahë ëndërrimeve.
Valixhe e vjetër, e çmuar relike,
Ndryva tek ti më të bukurat kujtime,
Në rrugën e gjatë, në udhën plot dritë,
Në rrugën e prirur veç nga mirësitë.
Nanës sime
Kështu të thirra për herë të parë
E ashtu më buron thellë nga shpirti,
E nuk dua që ta them në standard,
Se kështu më i plotë del kuptimi.
Vuajtjet, brazda në fytyrën tënde,
Ty në karrocë të lanë mundimet,
Fjalët e tua janë porsi këngë,
Kurajo përmbi të gjitha himnet.
E di nanë? Unë shpesh të vidhem,
E herë bisedën, nënë, nuk e zgjas
E kjo ndodh atëhere kur keq ndihem,
E kur ndoshta nga brenda po pëlcas.
Shpeshherë të fshihem, o nana ime
A mos vallë ty mundin ta shkuam kot,
Më mbyt nga brenda mua ky mendim,
Falna se vuajtjet nuk t'i zhbëmë dot.
Nanë, është baraz me dashuri,
Si deti i thellë e pa fund e cak,
Për ne nënë,je porsi nositi,
Shkrihesh për ne ngadalë pak nga pak.
Gurra
Nga një tingull emrin e more,
Nuk është tingull, por muzikë,
Gur-gur-gur, fole ndër mote,
Gjithë harmoni dhe ritmikë.
Sa buzëtharë ti kënaqe,
Sa pëshpërima ti dëgjove,
E të fshehtat e një buzënate,
Ti askujt nuk ia tregove!
Dhe dashuritë e fshehura,
Ti i përcolle si në magji,
I mbulove fjalët e hedhura,
Fjalë të ngrohta në fshehtësi.
Nga Vera Ujka
©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Fëmijëria, koha më e bukur që më është falur
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor