“Maturantë 2024”
Në mbyllje të gjimnazit të gjithë meritojnë duartrokitje: nxënës, mësues e prindër, pasi pa interesimin dhe bashkëpunim intensiv nuk do të ishte e mundur të realizohej me sukses procesi mësimor. Para jush janë provimet përfundimtare të maturës, në të cilat do jepni maksimumin tuaj. Urojmë të keni suksese!
Manushaqe Hoxha Laçi
Mësuese kimie në gjimnazin: "Skënderbeu" Krumë, Has.
Mësuesja kujdestare e klasës së XII D
Është kënaqësi të shkruash për ju, ndonëse nuk është e lehtë ta përmbledhësh në pak rreshta, pasi mbani në shpirtin tuaj pafundësi ndjenjash, dëshirash e ëndrrash, të cilat ju shoqërojnë në çdo hap që hidhni.
Mund të them me bindje që asnjëherë nuk keni pasur arsye të mos ndjenit dashurinë prindërore e mbështetjen psikologjike nga mësuesi si dhe të shprehnit lirisht mendimin e idetë tuaja duke pranuar sugjerimet e vërejtjet nga ana jonë.
Gjithmonë kemi synuar të ecim drejt konsolidimit të marrëdhënieve duke ju respektuar pa cenuar autoritetin e mësuesit, etika e të cilit duhet të jetë shembulli më pozitiv i shoqërisë.
Ndërsa koha kalon, ne vazhdojmë rrugëtimin dhe përpiqemi për t'a shfrytëzuar e për të marrë më të mirën. Kujtimet zënë vendin dhe kanë peshën e tyre në jetë sa herë të kthejmë kokën pas.
Në mendjen e secilit nga ju, maturantë, është ndjenja që provuat kur filluat klasën e dhjetë, me të tjerë mësues e shoqëri të re me të cilët do të vazhdonit rrugën e dijes, do të ndanit kënaqësitë e shqetësimet, do të shkëmbenit përvoja!
Gjatë tre viteve në rrugëtimin tuaj si gjimnazistë, thelluat njohuritë e mëparshme, morët njohuri të reja, formuat shoqëri të re, ndërsa një pjesë e juaja e mbajti dhe forcoi shoqërinë e fëmijërisë e adoleshencës. Së bashku kemi kaluar nëpër shtigje e kapërcyer shumë vështirësi.
Jeni e ardhmja që do të ndriçojë nga brendësia e shpirtit dhe mendjes suaj.
Gjatë këtyre viteve ecët në udhën e dijes që sugjeruan mësuesit, duke pranuar e vlerësuar ndihmën në këtë udhëtim. U inkurajuat të lini gjurmë në udhë të reja, të pashkelura, të projektoni e ndërtoni rrugët dhe urat tuaja drejt së ardhmes!
Tre vjet ishim përkrah jush duke na mbushur zemrën me mirësinë, bukurinë, çiltërsinë, ëndrrat, shpresat, guximin, besimin tuaj.
Në këto tre vjet, nuk ishim vetëm mësues, por dhe prindër e nxënës, duke marrë nektar nga shpirti e mendja juaj! Jeni ju që na jepni kënaqësinë e profesionit dhe shtytjen përpara duke na dhënë vullnet për të punuar me përkushtim e dashuri dhe për të qenë të disponueshëm për ju jo vetëm gjatë orarit mësimor.
Ju përgëzojmë maturantë 2024 që bashkëpunuat me përkushtim e sakrificë me arsimtarët, librin, njëri-tjetrin duke shfrytëzuar të gjitha mjetet që ishin vënë në dispozicion për t’u ngjitur në shkallët e dijes!
Bashkë me ju punuam për të rritur nivelin e të nxënit, duke drejtuar sytë e mendjes për të kuptuar mendimin si dhe për të dëgjuar me kujdes idetë tuaja, duke bërë gërshetimin e mësimit pedagogjik me atë social-edukativ.
Ju e dini që një njeri i lumtur është person i arsimuar dhe i edukuar me norma të larta të shoqërisë duke pasur një mendje të hapur me vizion të qartë e horizont largpamës.
Duke punuar me brezat e së ardhmes, siç jeni dhe ju, u inkurajuam të zotërojmë intuitën e njohjes së psikologjisë së moshës për lartësimin e dinjitetit, gjë që ndihmoi edhe në formimin e personalitetit tuaj.
Mësuat që nuk duhet vetëm të ëndërroni për suksesin, por të punoni për t'a arritur, si dhe të luftoni për të mposhtur padijen e jo për të mposhtur një provim!
Jeni të bindur që për të mbijetuar në shkretëtirën e injorancës duhet të pini etshëm në burimin e pashtershëm të dijes!
Keni kuptuar se madhështia dhe përmasat e mësimdhënësit nëpërmjet përkushtimit në aspektin pedagogjik e psikologjik, duhet të rriten dita-ditës pasi sjell rritjen e pozitivitetit në shkallë të lartë tërheqjeje dhe besueshmërie në raportin mësues-nxënës.
Biblioteka e mendjes sonë është e mbushur me shkrime që mbeten përjetë aty të shpalosura në sytë tanë. Në ulje-ngritjet e jetës arsimimin duhet ta mbajmë të pathyeshëm si bazë e ecjes përpara dhe zhvillimit të një kombi.
Si popull e kemi në gjak dëshirën për të ecur përpara dhe e gjejmë rrugëdaljen duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat dhe shtigjet e mundshme. Ne e arritëm qëllimin!
Arsimi me në qendër nxënësin ka sjellë ndryshime të mëdha pozitive në ngritjen profesionale e pedagogjike dhe për arsimtarët. Ne nuk synojmë të jemi thjesht një mësues që flet e shpjegon, por kemi kaluar në stadin e demonstrimit dhe frymëzimit.
Ne kemi vërtetuar që jemi të pamposhtur në çdo lloj situate dhe nuk na ka munguar vullneti për të punuar me zell e përkushtim.
Në mbyllje me sukses të gjimnazit të gjithë meritojnë duartrokitje: nxënës, mësues e prindër, pasi pa interesimin dhe bashkëpunim intensiv nuk do të ishte e mundur të realizohej me sukses procesi mësimor.
Jemi të bindur që arsimimi dhe edukimi “nuk janë mbushje e një kove por ndriçimi i një zjarri”; janë vetë jeta në përmasat universale të saj.
Gjithmonë kemi bashkëpunuar duke qenë këmbëngulës në kërkim të mundësive për realizimin e objektivave duke u organizuar për arritjen e synimeve madhështore, si dhe kemi ndjerë përgjegjësinë individuale në shërbim të mbarëvajtjes së arsimit.
Në fund të fundit, ne si staf pedagogjik, mbështetemi në eksperiencën e përvojat e mëparshme dhe vazhdojmë të punojmë për arsimimin e brezave të ardhshëm, pasi nga ata do dalin të gjithë punëtorët e profesionistët.
Një këngë malli e respekti me refren maturantësh e ka gati zemra tani që do largoheni nga ne e do na shoqërojë për t’u rifreskuar vit pas viti, brez pas brezi.
Lot nostalgjie në qerpikë na prekin telat e dashurisë njerëzore të bashkuara me urimet për secilin nga ju. Emocionet përjetohen në shpirt dhe nuk mund të harrohen lehtë.
Para jush janë provimet përfundimtare të maturës, në të cilat do jepni maksimumin tuaj. Kemi punuar bashkërisht duke derdhur djersë pa kursim dhe presim rezultatet e punës që do pasqyrohen nëpërmjet jush.
Urojmë të keni suksese dhe mbarësi në rrugëtimin tuaj!
Në mbyllje të gjimnazit të gjithë meritojnë duartrokitje: nxënës, mësues e prindër, pasi pa interesimin dhe bashkëpunim intensiv nuk do të ishte e mundur të realizohej me sukses procesi mësimor. Para jush janë provimet përfundimtare të maturës, në të cilat do jepni maksimumin tuaj. Urojmë të keni suksese!
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor