"Po të isha Mërso" nga gjimnazistja Lorela Sinani
Gjimnazistja nga Shkodra Lorela Sinani e frymëzuar nga vepra e Albert Kamy, "I huaji" sjellë këtë ese tepër domethënëse për nga këndvështrimi i saj drejtuar shoqërisë sot dhe gjithmonë...
Po të isha unë Mërsoja, në momentet e fundit të jetës së tij, do i drejtohesha me një letër të ndjerë thellë në zemër shoqërisë. Emocionet të cilat deri atë ditë, I kisha mbajtur brenda vetes me aq kujdes, për të mos I lënë të tjerët t’i ndotin, do I kisha derdhur në një copëz të bardhë e të pastër letre, duke shpresuar se dikush, dikur, do e lexonte…E duke shpresuar edhe se ndoshta, ndonjëri edhe do më kuptonte. Ja si do ishte e shkruar letra:
E dashur shoqëri!
Rrethuar me opinionet dhe konkluzionet e tua të padrejta jetova çdo ditë, e nga këto opinione, unë po vdes. Në momentet e fundit të jetës, ndoshta, atëherë kur është tepër vonë, po kuptoj gjëra që, sikur t’i kisha kuptuar më herët, do më ndryshonin krejtësisht. Ndoshta, edhe ti, do tregoheshe më e butë me mua.
Nuk pendohem për qëndrimin tim ndaj opinioneve tuaja, në fund të fundit, nuk do kisha pranuar kurrë të bëhesha hipokrit, për të kënaqur një turmë e cila sjelljet dhe veprimet e veta, i sheh me sytë e miletit.
Nuk pendohem që ju më keni menduar si moskokëçarës apo pandjenja, i di të gjitha, i kam kuptuar…Nuk pendohem, që këtë jetë, të cilën nuk dita ta vlerësoja si duhet, e jetova për vete dhe jo për turmën…
Ama, tani, në momentet e fundit të jetës, po e kuptoj nënën time të mirë, e cila mundohej të gjente bukurinë e jetës edhe brenda 4 mureve të azilit. Tani, kur ndoshta nuk ka më vlerë, po e kuptoj që duhet ta kisha shijuar jetën më tepër, të gjeja edhe unë,gjërat që do më bënin të lumtur e të mbahesha fort pas tyre, t’i shtrëngoja fort e të jetoja për to.
Nuk më ka interesuar kurrë të kuptohesha prej të tjerëve, por, teksa shkruaj këtë letër, për herë të parë, do kisha dashur të ishte dikush, që të më kuptonte edhe mendimet dhe ndjenjat më të thella, të fshehura në skutat e zemrës dhe mendjes sime. E ndoshta, edhe sikur ky person të ekzistonte, a do mundesha unë të shprehesha, a do e kuptoja unë veten?
Nëse një ditë do e lexoni këtë letër, lutem të kuptoni se në fund të fundit, un isha njeri...Dhe njerëzit janë të ndryshëm, me të mirat dhe të këqijat e veta. Lutem të kuptoni, se edhe unë, ashtu si çdokush që pendohet për qëndrimin e vet ndaj jetës, do doja të kisha shansin ta jetoja edhe një herë, e të shijoja edhe gjethet më të vogla që bien nga pema, edhe rrezet më të nxehta të diellit, të cilat deri tani më janë dukur të bezdisshme.
I huaji…
Punoi: Lorela Sinani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër falenderimi për mësuesen time
I dashur ditar, po të rrëfej ngjarjen më të rëndësishme të kohëve të fundit…
Gjimnazistja Gejla Toromani: Ata që lexojnë kanë botën