Një udhëtim magjepsës i nxënëses Anika Milaqi në librin “Mitologjia”
Nxënësja Anika Milaqi, nga shkolla “Kushtrimi i Lirisë” në Durrës, ndan mendimin e saj për librin “Mitologjia”,botuar nga “Albas”. E apasionuar pas artit, ajo zhytet në histori dhe ilustrime magjepsëse, veçanërisht në rrëfimin e Persefonës, duke përjetuar një aventurë të paharrueshme përmes faqeve të librit.
Shkrim nga nxënësja Anika Milaqi, klasa 9-D, shkolla “Kushtrimi i Lirisë”, Durrës
Ishte një ditë e zakonshme dimri kur mora librin.
Mësuesja na mblodhi që të gjithë tek holli na dha lajmin që Shtëpia Botuese “Albas” iu bashkua nismës sonë “Dhuro një libër”.
Isha paksa e çuditur, por më së shumti e lumtur që do të kisha një aventurë tjetër për të përshkuar gjatë pushimeve dimërore.
Kur më dha mësuesja librin, menjëherë e hapa për të parë çfarë më priste mes atyre faqeve plot ngjyra.
Piktura të detajuara shumëngjyrëshe dhe të ndërlikuara nga piktorë te ndryshëm e të famshëm.
U entuziazmova. Pasioni im është arti: muzika dhe piktura.
Libri i dhuruar ishte “Mitologjia”. E kam shumë qejf mitologjinë. (Në panairin e librit bleva librin e mitologjisë shqiptare dhe sapo e kisha mbaruar).
Një aventurë e re po më priste. Do të udhëtoja në kohë e në vende të ndryshme përmes faqeve të këtij libri.
Sa filluan pushimet, menjëherë u ula në ngrohtësinë e shtëpisë sime dhe fillova ta lexoja.
E mbarova librin shpejt. Nuk e lëshoja dot nga dora. Ishte një kohë e paharrueshme e kaluar midis kulturave të ndryshme. Personazhe të pafundme dhe nga më të ndryshmet: greke, romake, nordike e shumë e shumë të tjera.
Nga të gjitha historitë, e preferuara imja është ajo e Persefonës të mitologjisë greke, sepse historia ishte po aq e dhimbshme sa edhe interesante.
Persefona, bija e Zeusit (mbretit të Olimpit) dhe të Demetrës (perëndeshës së bujqësisë), kishte një jetë tepër të vështirë. Një ditë, kur Persefona po mblidhte lule, toka përpara saj u ça dhe nga ajo doli Hadi (perëndia e vdekjes). Ai e rrëmbeu atë, e mori për grua dhe e kurorëzoi mbretëreshë të nëntokës.
Gjatë pengmarrjes së Persefonës, i ishte vënë një kusht nga Zeusi: Të mos konsumonte asgjë.
Por çfarë ndodhi? A arriti ajo ta përmbushte këtë kusht? Çfarë konsumoi ajo? Çfarë shpjegojmë grekët me anë të këtij tregimi mitologjik?
Për të ditur këto e shumë histori dhe personazhe të tjera, duhet patjetër të lexoni këtë libër fantastik.
Krijime fantastike që të bëjnë të humbasësh në mite, në vende të paimagjinuara më parë, të shoqëruara me imazhe plot ngjyra të mahnitshme.
Si e imagjinojnë grekët Persefonën?
Piktura e saj shfaqet në faqen tjetër të kapitullit të saj, duke veshur një fustan jeshil të errët dhe duke mbajtur në dorë një shegë. Sytë e saj duken të frikësuar ose të pashpresë dhe flokët e kuq e të gjatë me kaçurrela rrinë si të shpupuritur.
Ngjyrat dhe teknikat që ka përdorur piktori (Dante Gabriel Roseti) janë të vendosura shumë mirë dhe janë ne harmoni me njëra- tjetrën, duke treguar delikatesën e lëkurës së mbretëreshës dhe gjendjen e saj emocionale.
Përmes këtyre ngjarjeve dhe imazheve të mrekullueshme do të ndiheni në një botë tjetër.
Do të shijoni emocione që vetëm arti di dhe mund t’i japë.
Shijojeni.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
I dashur ditar, po të rrëfej ngjarjen më të rëndësishme të kohëve të fundit…
“Liri në timokraci?!”, ese nga Fahrudin Dungaj
Ne bëjmë kohën apo koha na bën ne?