PËRJETIMI PËRMES ARTIT

"Pandemia", ekspozita në galerinë FAB, realizuar nga studentët e Arteve të Bukura

Galeria FAB e ndërtuar në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve zhvillon herë pas here ekspozita në mjediset e saj. Kësaj here, një ekspozitë mjaft e veçantë, e titulluar "Pandemia".

“Pandemia” titullohet ekspozita, që u hap në galerinë FAB në Tiranë. Një ekspozitë, që vjen për artdashësit me punime në skulpturë, instalacione, etj. Ekspozitat me punime të studentëve të Fakultetit të Arteve të Bukura janë traditë, por këtë herë “Pandemia” është e veçantë për shkak dhe të kushteve që ndodhet vendi ynë. Skulptori Arben Bajo shprehet se studentët e degës së Skulpturës në fakultet kanë ekspozuar punimet, që kanë realizuar gjatë kohës pandemisë Covid -19. Sipas tij është një ekspozitë, që vjen pas mësimit që është zhvilluar online këtë kohë. “Është ekspozitë që ne bëjmë pothuajse çdo vit për skulpturën me departamentin Skulpturës në fakultet. Ndodhi pandemia për shkak të koronavirusit dhe programi mësimor ishte online, ku unë vazhdova të jem në kontakt me studentët. Sigurisht që këta nuk mund ta ndiqnin programin mësimor ashtu si është në shkollë, ndaj dhe ekspozita është pak eklektike në kuptimin e zhanreve. Ka instilacione të punuara nga studentët, ka kolazhe, ka dhe skulpturë të vërtetë kush kishte mundësi të bënte punët për arsye të materialeve që duhen”, tregon pedagogu i arteve Arben Bajo. 


Ekspozita “Pandemia” me punët e artistëve të rinj u çel për publikun në galerinë FAB, ku skulptori Arben Bajo thotë se për shkak të kushteve kur po zhvillohet merr një vlerë të veçantë për të rinjtë me punët e tyre. Kuruar nga prof. asc. Ardian Isufi dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura si dhe skulptori Arben Bajo kjo ekspozitë bëhet pjesë e jetës artistike këtë kohë, kur prej kohësh i mungojnë veprimtaritë si më parë për shkak të koronavirusit. Si bashkurator Arben Bajo thotë se doli një ekspozitë me vlerë të veçantë. “Këtë herë ndodhi pandemia dhe sigurisht merr një vlerë më të veçantë, sepse studentët nuk kanë pasur dhe shumë mundësi që të kenë punë serioze për arsye të materialeve, të vendit, të gjithë gjërave, por megjithatë doli një ekspozitë interesante”, pohon Bajo.

Përjetime për kohën

Me punë që janë krijuar gjatë kohës së pandemisë, skulptori Arben Bajo thotë më tej se në këtë ekspozitë janë përfshirë të gjitha vitet e skulpturës në fakultet. “Titullohet “Pandemia”, sepse janë bërë punë të gjitha në kohën e pandemisë. Ne kemi krijuar një imazh edhe të makthit të asaj kohe, por po të shohësh nga ekspozita shikon punë, ku janë kafshët që janë të ndara me një rrjetë nga njerëzit. Ato kanë qenë të lira dhe ne kemi qenë të mbyllur. Punët e tjera janë përjetime të ndryshme të kësaj kohe nga jeta e studentëve. Janë studentët e të gjitha viteve të skulpturës, që nga viti i parë deri në vit të dytë Master, pra pesë vite”, pohon skulptori Bajo, pedagog i arteve. Galeria FAB e ndërtuar në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve zhvillon herë pas here ekspozita në mjediset e saj. 



Burimi: Bota sot

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,007 Lexime
4 vjet më parë