Panairi i Librit në Frankfurt, Italia rikthehet si Mysafire Nderi pas 36 vitesh
Panairi i Librit në Frankfurt hapet më 16 tetor, me Italinë si Mysafire Nderi pas 36 vitesh. Carlo Rovelli, Susanna Tamaro dhe Stefano Zecchi do të flasin në hapje, duke trajtuar ndryshimet klimatike dhe veçanërisht duke kritikuar rolin e kufizuar të shkencës në sistemin shkollor.
Panairi më i rëndësishëm i Librit në Frankfurt hapet të mërkurën më 16 tetor, ku Italia rikthehet si Mysafire Nderi pas 36 vitesh.
Në podiumin e ceremonisë së hapjes që do të zhvillohet sot, më datë 15, do të jenë Carlo Rovelli, shkencëtari me librin e tij më të shitur të momentit “Shtatë leksione të shkurtra fizike”, Susanna Tamaro dhe Stefano Zecchi.
Shkencëtari Rovelli në një intervistë të fundit me këtë rast në “Letture” të gazetës “Corriere della sera” bën një thirrje për botën e librit për të “pasur në vëmendje problemet serioze që shqetësojnë të gjithë: ndryshimet klimatike, luftërat, varfërinë”, si dhe një thirrje për sistemin shkollor duke kritikuar hapësirën e vogël që i jepet kulturës së përhapjes së shkencës në shkolla.
Edhe Susanna Tamaro, në fjalimin e saj në Frankfurt do të tërheqë vëmendjen te drama e luftërave të vazhdueshme e do të ftojë njerëzit të ngrenë shikimin lart dhe t’i kthehen praktikimit të “habisë, mrekullisë dhe mirënjohjes”.
Një temë qëndrore e këtij panairi do të jetë përkthimi, sepse nuk mund të ketë njohje dhe shkëmbim kulturash pa përkthimin. Kuvendi vjetor për përkthimin “Nga Italishtja nëpër Botë”, i kuruar nga Ilide Carmignani do të ketë vend qendror në programin e panairit: ky kuvend, një nismë e Sallonit Ndërkombëtar të Librit në Torino, e krijuar për të mbështetur përkthimin e letërsisë italiane jashtë vendit dhe për të promovuar “rrjetëzimin” e përkthyesve nga e gjithë bota, do të mbahet me prani fizike për të gjithë përkthyesit dhe profesionistët e interesuar për librat në gjuhën italiane të mërkurën, më 16 tetor nga ora 09:00 deri në 11:45 në Zentrum wort (Pav. 4.1).
Salloni Ndërkombëtar i Librit në Torino me këtë rast ka promovuar një program për të mirëpritur kësaj here 15 përkthyes në panairin më të rëndësishëm të librit në botë, ku një vend është rezervuar edhe për gjuhën shqipe, me përfaqësues përkthyesen Mimoza Hysa.
Ideatorja e këtij kuvendi, Ilide Carmignani shpjegon: “Nuk mund ta humbisnim këtë mundësi të jashtëzakonshme për të mbajtur kuvendin me prani në një vit kaq të veçantë. Do të mirëpresim përkthyesit më të shquar të gjuhës italiane që vijnë nga Portugalia, Spanja, Katalonia, Franca, Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Holanda, Greqia, Kroacia, Shqipëria, Rumania, Egjipti, Suedia dhe sigurisht Gjermania. Do t’u ofrojmë atyre një vitrinë tërheqëse librash për të zbuluar dhe rizbuluar – tituj interesantë që mund të shmangin mekanizmat normalë editorialë. Pas simpoziumit, do të organizojmë takime midis përkthyesve dhe botuesve italianë. Ne duam të ndërtojmë ura për ajkën e letërsisë, me qëllim që librat dhe shkrimtarët italianë të kenë një shtrirje gjithnjë e më të gjerë”.
Kuvendi do të jetë i hapur për të gjithë përkthyesit nga gjuha italiane të pranishëm në panair. Përveç Italisë si vendi mysafir, Buchmesse do të jetë dhe skena për shkrimtarët dhe eseistët e njohur ndërkombëtarë. Mes tyre Elif Shafak, Yuval Noah Harari, Anne Applebaum, fituese e Çmimit të Paqes të botuesve dhe librashitësve gjermanë.
Por Panairi do të jetë gjithashtu, si çdo vit, një mundësi për të njohur zëra të rinj. Midis tyre, autorja filipinase Patricia Evangelista, shkrimtarja Stella Gaitano e persekutuar si në Sudan ashtu edhe në Sudanin e Jugut dhe argjentinasja Emma Sepúlveda Pulvirenti.
Botuesit nga Shqipëria do të jenë të pranishëm në këtë ngjarje për librin në mënyrë private, ndërsa Shoqata e Botuesve të Kosovës, duke ruajtur traditën, do të jetë e pranishme me stendën e saj.
Marrë nga Diaspora Shqiptare
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
Magjia e fundvitit vjen në Petrelë me "Christmas Market", më 22 dhjetor
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana