"Pafajësi" nga Lavdi Zejnelhoxha

“Pafajësi” është shkrimi letrar i Lavdi Zejnelhoxha, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

1 Shtator 1970. 


Fshati Qafë, Shmil. Dita e parë e shkollës; dita e parë e rrugëtimit tim në profesionin e mësuesisë. Edhe pse kisha dhënë mësim gjatë praktikës pedagogjike, edhe pse kisha marrë shumë këshilla nga familjarët e të afërmit e mi (shumica mësues), emocionet ishin të forta. Bashkë me kolegët dola të mirëpres nxënësit. Shkolla ishte e vogël dhe ndodhej në mes katër lagjeve, e ndarë me përrenj të vegjël, herë të qetë e herë të zhurmshëm. Secila lagje ishte ndërtuar në faqe të kodrave. Gjelbërimi ishte mahnitës. Zhurma që krijonte rrjedha e ujit, fëshfërima e erës që luante me gjethet e gështenjave dhe arrave të moçme, thirrjet e banorëve nga njëra kodër në tjetrën, siluetat e tyre, tek zbritnin tatëpjetë drejt qendrës së fshatit (shkolla, mensa, zyrat), krijonin një film dhe një simfoni mbresëlënëse.


Ra zilja (këmbore bagëtish) dhe nxënësit u rreshtuan. Vështrova orën (një orë tavoline) dhe pyeta koleget: 


- Nuk do të futen nëpër klasa? Po shkon ora tetë!


- Ne e fillojmë dhjetë minuta më vonë, - m’u përgjigj njëra nga koleget, - sepse presim nxënësit nga fshati Qerret. Atje ka vetëm shkollë fillore, kështu që nxënësit e klasave të tjera vijnë këtu. 


Në pritje e sipër, një nxënëse e klasës së tetë doli nga rreshti dhe me hap të nxituar hyri në godinën e shkollës. Nuk e kuptova. Askush s'i foli. Njëra nga mësueset më pëshpëriti:

 

-Është e fejuar. Sapo kaloi pranë shkollës i fejuari.

- Sa mirë! - thashë me vete - Edhe qenka e fejuar, edhe vazhduaka shkollën!


Mbërritën edhe nxënësit nga fshati tjetër, e kështu të gjithë hynë nëpër klasa. 

Filloi ora e parë e mësimit. Mora regjistrin dhe hyra në klasën e pestë. Isha mësuesja kujdestare e tyre. Vetëm me një përshëndetje “Mirëmëngjes!” mora prej tyre shumë dashuri, ëmbëlsi e lumturi. Ngadalë, me një zë jo të lartë (klasa ishte e ndarë me kompesatë për të përftuar dy mjedise) i pyes për emrat, sa motra e vëllezër kishin, me ç'nota e kishin përfunduar filloren. Teksa ata përgjigjeshin, e ndieva të nevojshme t'i përkëdhelja, t'i përqafoja e t'i vështroja drejt në sy. Ata më falën shpirtbutësinë e tyre, gëzimin fëminor, brishtësinë…  

Nisa t’i vendos dy e nga dy në bankë: një djalë e një vajzë, meqë tre-katër nxënës ishin më të gjatë, e këtë veprim e kishin bërë dhe mësuesit e mi. Pasi plotësova dy banka iu drejtova dy nxënësve:


-Si e ke emrin?

- N, - u përgjigj vajza.

- Po ti?

- E, - u përgjigj djali.

- Ju të dy uluni në bankën e parë!


Sytë e N dhe E u ngulën mbi sytë e mi. Në to nuk kishte egërsi, urrejtje, por pafajësi. I ulën përsëri poshtë sytë e me hap të lehtë e të pasigurtë ecën drejt bankës së parë. Klasa ra në qetësi. Deri në atë moment kisha dëgjuar bisedat e nxënësve të tjerë: 


-Mua më pëlqen të rri në bankën e tretë.

-Nuk dua të rrish prapa meje se më tërheq vëmendjen.

-Dua që mësuesja të na vendosë bashkë në bankë.


Ç'po ndodhte? Vështroj me qetësi nxënësit. Dikush kishte kafshuar buzët; dikush i fliste me zë të ulët shokut; dikush…, dikush theu heshtjen:


-Mësuese! N dhe E janë të fejuar që në djep.

-Çfarë?!... Si?!...

-Po, mësuese! Vëllai i N ka marrë për grua motrën e E, kështu që E…


Nuk e dëgjova deri në fund zakonin e martesave në atë zonë të largët të Elbasanit. 

Si të veproja?...

Pse nuk më tha kush, që aty ku do të punoja duhej të mësoja për zakonet, kulturën e vendit? 

Si do të reagonin prindërit, banorët e lagjes Bicaj? (të dy nxënësit jetonin në të njëjtën lagje). 


Isha e tronditur, e prekur, e shqetësuar dhe e mallëngjyer.  Hodha vështrimin nga dritarja e klasës. Gjethet e gështenjës vareshin në xhamat e dritares duke lëshuar hije, ndërsa era i largonte që rrezet e diellit të përkëdhelnin fytyrat e nxënësve, ndoshta edhe shpirtin tim të trazuar.  M'u duk sikur gështenja shekullore ishte aty për të mbrojtur doket dhe zakonet, ndërsa dielli dhe era për të përqafuar të renë, përparimin. U përhumba pak çaste në këtë përfytyrim, po shpejt e kapa situatën, e mblodha veten. 


-Po ata? 


-N dhe E ishin ulur në bankën e parë, aty ku i kisha caktuar. Rrinin larg njëri-tjetrit dhe më ndiqnin në çdo lëvizje. Ata ishin të pafajshëm; nuk e kuptonin se ç'fat u kishte servirur koha, vendi, zakoni. 


U fola për lëndën e gjuhës dhe të leximit, që do të zhvillonim bashkë. Dëgjova nga nxënësit, madje dhe nga N e E, pjesë të recituara, përshkrime të vendlindjes, tekste këngësh të zonës etj. 


Dita e parë e mësimit mbaroi, por ankthi i pritjes po më zinte frymën. Vështroja nga dritarja e dhomës (dhoma ku qëndronin mësueset ishte brenda godinës së shkollës) se mos dikush vinte për të më kërkuar llogari. 


Jo! Qetësi!... 


Ata ishin njerëz bujarë, mikpritës. E donin shkollimin e fëmijëve të tyre. Ruanin zakonet, por dëshironin edhe zhvillimin. Punova dhe jetova me ta dy vjet. Shumë shpesh, fundjavave, na ftonin në shtëpitë e tyre, sepse në qytet shkonim një herë në dy javë. Shijova ngrohtësinë njerëzore dhe shpirtërore pranë vatrave në netët e ftohta të dimrit, bukën e misrit, çorbën dhe gështenjat e pjekura. Koha që kalova atje, më dha mundësinë të njihja nga afër ritet, zakonet, doket sa herë që ata më ftonin në gëzimet familjare: fejesat, dasmat, festat në të cilat pata mundësinë të vesh kostumin popullor tradicional të  zonës.


Jo vetëm gjatë karrierës sime, por edhe sot që jam pensioniste, dita e parë e shkollës më risjell këtë kujtim.  




Lavdi Zejnelhoxha


Lavdi Zejnelhoxha ka lindur më 13 janar 1951 në Elbasan. Nga viti 1980-1982 ajo ka kryer Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, kursin e plotë në degën “Gjuhë shqipe -Letërsi”, ndërsa në vitin 1970 ka përfunduar Institutin Pedagogjik të Shkodrës, po në kursin e plotë të degës “Gjuhë shqipe - Letërsi”.  Fill pas këtij viti punoi si mësuese e lëndës Gjuhë Shqipe- Letërsi në shkollën 8-vjeçare (me sistemin e dikurshëm) Qafë, Shmil e pas dy vitesh në shkollën 8-vjeçare Pajovë, Peqin. Më pas eksperiencat e saj si mësimdhënëse e kësaj lënde kanë vijuar për gati 30 vite në shkollat e Elbasanit si, në shkollën “Adem Krasniqi”  dhe Fadil Gurmani (dikur Abdyl Myzyri). Pas vitit 2008 ka dal në pension. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,811 Lexime
1 vit më parë