“Botë shumëngjyrëshe” nga Dorina Saraci
“Botë shumëngjyrëshe” është shkrimi letrar i Dorina Saraci, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
- Dorina!
Thirrje mëngjesi, e cila do të më çonte drejt përjetimit të një eksperience të re, të paharrueshme.
- Ky është Engjëlli!
Për një çast u hutova fare.
- Ndërsa zonja është nëna e tij, - vazhdoi më tej një përfaqësues i ZVA-së.
Ishte një zonjë, pamja e së cilës tregonte se jeta e kishte fshikulluar mirë. Sytë e fryrë e të lotuar shprehnin një gjendja shpirtërore tejet të shqetësuar. Imazhin e asaj gruaje të ulur në karrige në drejtori, vështirë se kam për ta harruar.
Ajo nuk kishte patur mundësi të shkollohej, por e kuptonte shumë mirë rëndësinë e arsimit, prandaj ngulte këmbë, që djali i saj të mos ia shtrinte dorën lëmoshës, por dijes.
Këmbëngulte ta mbante larg nga rruga.
Ndërkohë që dëgjoja historinë e saj, më vinin ndër mend vargjet e poetit Ali Huruglica, në vjershën "Shekulli i njëzet s'do analfabet", ku shpreh rëndësinë e arsimit për jetën:
Nëse s'di shkrim-lexim
matematikë e gjeometri
ky shekull s'të merr
as për bari.
Nuk donte që djali i saj të lypte, të vuante siç kishte vuajtur ajo. Vetëm shkolla do të bënte që djaloshi të mos provonte përvojën e saj. Vetëm arsimi do t'i zgjidhte problemet e shumta.
Sa më shumë dëgjoja rreth historisë së asaj gruaje, aq më shumë më copëtohej zemra. Në kokë më lindën plot pikëpyetje. Herë vështroja nënën e herë djalin.
-Të pëlqen mësuesja?- e pyetën djaloshin.
-Po, shumë,- u përgjigj duke buzëqeshur.
Ishte një djalë zeshkan, i shëndetshëm. Sytë e tij të zinj e të kthjellët shndrisnin si xixëllonjat në errësirë. Në shkëlqimin e atyre syve përpiqesha të kuptoja diçka, por nuk lexoja gjë tjetër, veçse "Do më, pranosh, të lutem!"
Në kokë më mbërthyen mendimet:
Çdo problem ka një zgjidhje. Çdo rrugë mund të bëhet e kapërcyeshme.
Edhe pse e përhumbur në atë histori prekëse, gjeta forcën për t'i uruar mirëseardhjen dhe u nisëm të dy për në klasë. I lumtur më tregon:
- Unë nuk di asgjë.
- Si, asgjë?!
- Asgjë pra, - pohoi përsëri duke buzëqeshur.
Vetëm di që mami më thotë çdo natë:
“Shkolla është shumë e rëndësishme. Të kërkosh lëmoshë nga të tjerët nuk është gjë e mirë”.
Mikpritja edhe nga shokët dhe shoqet e klasës e bëri të ndihej mirë. Ulja në bankën e parë bëri që ai të ndihej i barabartë me nxënësit e tjerë.
I pëlqente shumë të vizatonte.
- Si të duket?- më pyeste vazhdimisht duke më parë drejt në sy.
- Shumë bukur! Të lumtë! Më pëlqen shumë ideja dhe kombinimi i ngjyrave. Ke punuar me shumë kujdes, shumë pastër.
Përpiqesha ta inkurajoja sa më shumë me mënyra të ndryshme. Shprehja e fytyrës tregonte veç gjallërim. E praktikonte vizatimin, kur unë duhej të shpjegoja mësimin e të realizoja temën mësimore me nxënësit e tjerë. Pas mësimit punonim fort të dy për të mësuar shkrim e lexim.
Kur vëreja se ishte lodhur, bënim një pushim të shkurtër. Gjeja rastin në atë pauzë mësimi për të kuptuar më tepër rreth tij.
-Në komunitetin tim (më pyeste shpeshherë për fjalë që nuk ua dinte kuptimin ose si mund t'i quanim ndryshe fjalë të caktuara) jam i vetmi rom që ndjek shkollën - shprehej me entuziazëm.
Komunikonte me mua si të më njihte prej vitesh. Po përjetoja një botë me të vërtetë plot ngjyra.
Sa më shumë aftësi fitonte, aq më shumë etej për të mësuar diçka të re. Brenda një kohe shumë të shkurtër arriti të lexonte e të shkruante shumë mirë. Shkrimi me dorë të majtë nuk e pengonte që t'i qëndiste shkronjat e arta të gjuhës shqipe. Kështu, arritëm më pas të bënim mësim së bashku me nxënësit e tjerë. Merrte pjesë me dëshirë të zjarrtë në diskutim dhe e lidhte mësimin në të shumtën e rasteve me situata nga përditshmëria.
Progresi i tij vihej re nga dita në ditë. Edhe shokët e shoqet e klasës ia vinin në dukje përmirësimin.
(Edhe pse në klasë të tretë, përpiqeshin t'i argumentonin mendimet e tyre duke i shprehur me një lirshmëri të plotë).
-Mësuese, a mund të shtoj diçka? Më pëlqen shumë edhe mënyra se si përgjigjet, - mendimi i një nxënëseje.
Kjo gjë e lumturonte tej mase, e fuqizonte edhe më tepër. Gëzohesha dhe unë bashkë me të (më e lumtur unë për lumturinë e tij).
Për t'u admiruar dhe vlerësuar ishte edhe mbështetja nga prindërit e klasës, të cilët kontribuuan në përgatitjen e pakos së Vitit të Ri, që edhe ai të festonte si gjithë bashkëmoshatarët e vet. Organizuam një festë modeste në klasë për t'ia dhuruar këtë gjest fisnik. Veç të shikoje të ëmën. Mbeti pa fjalë. E uruan ta gëzonin "pakon" edhe drejtuesit e shkollës dhe prindërit e klasës, pasi atë ditë ishin të pranishëm edhe ata.
Pjesëmarrja në aktivitete të ndryshme festive i jepte krahë. Mbaj mend që për festat e Nëntorit ishte veshur shumë bukur.
-Shih mësuese! Jam bërë kuqezi. A dukem si flamuri ynë? Pohoja jo vetëm me kokë, por dhe me pjesë të tjera të trupit.
E angazhoja me detyra që i pëlqenin dhe që mund t'i realizonte më së miri. Madje, kishte raste që e kërkonte edhe vetë.
-Ah, ma jep ta bëj unë, ma jep, të lutem! - thërriste me një zë të ëmbël edhe pse pak të lartë.
Ishte i rregullt. Rrallë mungonte. Më njoftonte e ëma, pasi ajo interesohej për mbarëvajtjen e djalit në shkollë. E sillte djalin të larë e të pastruar. Një ditë më tha se ishte rrëzuar e bërë tërë baltë para se të vinte në shkollë dhe i kishte blerë një kostum sportiv me kursimet e saj.
-Si të vinte në shkollë ashtu? Nuk doja që ta humbiste mësimin - shprehej thjesht me gjuhën e saj. Si çdo histori që ka fillim e mbarim, edhe kësaj tonës do t'i vinte fundi.
Në fillim të vitit të ri shkollor, për arsye familjare u zhvendos në një qytet tjetër të Shqipërisë.
Nuk harroi të më falënderonte së bashku me nënën e vet në mënyrën e tyre.
- Mësuese Dorina...!
Dorina Saraci
Dorina Saraci ka lindur më 5 Nëntor 1983 në Peshkopi, Dibër. Studimet e larta i ka kryer për Arsim Fillor dhe është licencuar gjithashtu për Arsim Fillor. Është diplomuar me master profesional në "Pedagogji, me profil didaktikë", në Tiranë. Si mbrojtëse e Gjuhës Angleze zotëron aftësi të mira në këtë gjuhë. Punon si mësuese e AMU në shkollën 9-vjeçare "Selim Alliu ", Peshkopi. Mësuesinë e ka pasion dhe e konsideron mision. Është e apasionuar pas leximeve.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Kudo që shkojmë na mbyllen dyert...” nga Marçela Tafilaj
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“Dashuri, që s’ka nevojë për fjalë” nga Elida Shkëmbi