
Nxënësja Anisa Muha: Reflektim për forcën e dashurisë dhe lirisë në “Mariana Sirka” të Grazia Deledda
Nxënësja Anisa Muha, nga shkolla “Kushtrimi i Lirisë”, reflekton për librin “Mariana Sirka” të Grazia Deledda. Libri e udhëhoqi të kuptojë se dashuria dhe guximi janë më të forta se paragjykimet dhe pengesat. Historia e Marianës i shpalos luftën për lirinë e zemrës, që nuk mund të shuhet kurrë.
Nga Anisa Muha,
Nxënëse e klasës së 9-të, shkolla “Kushtrimi i Lirisë”.
Shpesh kur lexojmë një libër, mendojmë që thjesht do te kalojmë kohën me ngjarjen e do të kënaqemi. Por nuk e kuptojmë forcën e atyre fjalëve, vendin që ato fjalë zënë në mendjen dhe zemrën tonë. Nuk e kuptojmë se si librat na ndryshojnë.
Të duash lirshëm në një botë që nuk të lejon, është një dhimbje që të tret shpirtin, por është dhe prova më e madhe e guximit. “Mariana Sirka”, libri i botuar nga shtëpia “Albas”, më ringjalli dëshirën për të mos pasur frikë të luftoj për atë që dua, për të mos u trembur nga pengesat apo paragjykimet. Më tregoi se dhimbja e një zemre të lirë është më e bukur se qetësia e një zemre të shtypur.
Romani i Mariana Sirkës, është një histori që më magjeps me forcën e dashurisë duke e vendosur atë përpara gjykimeve e padrejtësive. Historia e Marianës është më shumë se një histori dashurie, është një betejë mes pasionit dhe moralit, mes ndjenjës dhe rregullave.
Gjatë leximit të këtij romani ndjeva një përzierje emocionesh, admirimin për guximin e një gruaje që nuk i nënshtrohet botës e një dashuri që nuk i dihet fundi. Është një betejë e heshtur e padrejtë që më bën të ndiej trishtim e revoltim kundër kufizimeve që i vendosen ndjenjave të pastra.
Mbi të gjitha, ky roman më bën të mendoj për ata që guxojnë të jenë ndryshe. Ata që ndjekin zemrën pavarësisht pengesave. Ata që nuk pranojnë të jetojnë sipas rregullave të të tjerëve. Dhe pse ndonjëherë bota i thyen, ata nuk shuhen kurrë, sepse fryma e tyre mbetet përjetësisht e lirë .
Libri na jep një mësim të çmuar, që cilado qoftë pesha e pengesave, dhimbjes apo padrejtësive, zemra që guxon nuk shuhet kurrë. Ajo qëndron e lufton pavarësisht gjithçkaje, vazhdon të ndriçojë si një dritë që askush s’mund ta fikë.
Ja pra. Forca e këtij libri më goditi e më ndryshoi. Lexojeni e do të ndieni fuqinë e tij.
Librin “Mariana Sirka” e gjeni këtu
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër falenderimi për mësuesen time
Ese nga nxënësja Ester Bregasi: Rikthimi te fëmijëria përmes “Mondo dhe tregime të tjera” nga Le Clezio
“Shkolla ime”, ese nga nxënësja Besarta Bracaj