Intervistë

Laura Kërtalli, e para maturante që ka shkruar një libër mbi regjimin komunist në Shqipëri

Laura Kërtalli, përveçse është një nxënëse ekselente në mësime, ka pasion pikturën, udhëtimet, sportet, fotografinë etj. Por tashmë ajo është edhe maturantja e parë që ka shkruar një libër mbi regjimin komunist në Shqipëri. Për më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën që kemi realizuar më të.


Është e radhës t’ju prezantojmë një tjetër nxënëse ekselente. Ajo është Laura Kërtalli. Përveçse shkëlqen në mësime dhe ka marrë shumë çmime nderi e vlerësimi përgjatë shkollimit të saj, ka shumë pasione si: pikturën, udhëtimet, sportet, fotografinë etj. Por tashmë ajo është edhe maturantja e parë që ka shkruar një libër mbi regjimin komunist në Shqipëri. Një risi kjo për të cilën na flet më tepër në intervistën e dhënë për Portalin Shkollor Albas. 



Laura ju mbase jeni maturantja e parë e cila ka shkruar një libër mbi regjimin komunist në Shqipëri. Sa e njeh këtë regjim dhe si të lindi ideja për këtë libër?


Njohuritë e mia për regjimin Komunist të Shqipërisë i kanë fillesat që në vogëli dhe kanë ardhur gradualisht duke u plotësuar. Kjo, pasi gjyshi im ka qenë i persekutuar nga regjimit duke vuajtur një dënim me burgosjeje 10-vjeçare. Kështu s’do mend që “komunizmi” ka qenë një term mjaft i përdorur në familjen time si dhe një objekt bisedash të ndryshme përgjatë rritjes sime. Jo më larg se vjet studiuam të plote historinë e Shqipërisë, duke trajtuar edhe këtë periudhë të historisë sonë kolektive. Megjithatë, ajo që krijoi rrethanat e duhura për shkrimin e librit ishte angazhimi në  panairin shkencor ASEF (Albanian Science & Engineering Fair). Studimi im shkencor, që u vlerësua me medalje të artë, titullohej “The dictator”, dhe lidhej pikërisht me figurën e Enver Hoxhës. Gjithnjë kam shprehur dëshirën për të dhënë kontributin tim në shoqëri dhe libri ka qenë një qëllim i kahershëm, megjithatë ishte ime më ajo që, duke më njohur në radhë të parë mua, por dhe ambiciet dhe aftësitë e mia, më sugjeroi shkrimin e këtij libri me këtë temë, “Regjimi Komunist në Shqipëri”.



Por a të kanë ndihmuar konkretisht të afërmit për të mbledhur informacione dhe për t’i grumbulluar ato në një libër por e gjithë shtysa i referohet sa thatë ju më lartë?


Ç’është e vërteta,  shumë pak nga informacionet e paraqitura në libër janë të grumbulluara nga burime të përditshmërisë sime. Libri përbëhet nga informacione faktike të përzgjedhura nga unë duke studiuar një literaturë të gjerë shkencore dhe duke shfrytëzuar arkivat shtetërore të publikuara si edhe emisione të ndryshme televizive. Kontributi i të afërmve të mi mbetet koncepti që më kanë ndihmuar të fitoj ndër vite në lidhje me regjimin, ndërsa veçanërisht mami më ndihmoi shumë me strukturën e librit dhe kriteret e nevojshme për të realizuar një punë të arrirë. Ndërkohë që ka qenë një punë individuale në lidhje me përmbajtjen e librit.



Për sa kohë e ke shkruar këtë libër? Si u ndjeve kur e more atë në dorë pas botimit?


Librin nisa ta shkruaj në fillim të pushimeve verore dhe e publikova në mbarim të tyre. Nuk ka qenë një proces i lehtë, ama arsyeja kryesore që më motivonte të mos dorëzohesha ishte pikërisht ideja që një ditë do të mund ta mbaja në dorë librin, me emrin tim si autore e tij. Kur më në fund ajo ditë erdhi, u ndjeva shumë krenare për veten, por edhe njëkohësisht mirënjohëse ndaj Zotit, familjarëve dhe të gjithë atyre që më mbështetën, më së shumti për faktin që më në fund zëri im do mund të dëgjohej dhe idetë e mia do mund të ndikonin për mirë në shoqëri.



A do t’i shtonte pikët ky libër për studimet e tua pas mature dhe pse? Për çfarë do të studiosh?


Për të gjithë ata që kanë synim të studiojnë jashtë vendit, projekte të tilla të finalizuara kanë një peshë të madhe. Të njohura ndryshe edhe si “extracurriculars” këto projekte vlerësohen nga shumë universitete të huaja. Edhe libri im është një element i rëndësishëm i portofolit tim si nxënëse, për vetë faktin që është pjesë e bibliotekës kombëtare, por edhe pse është recensuar, pra vlerësuar nga profesori im i historisë, ekspert i fushës së tij për vlefshmërinë e përmbajtjes së librit. Unë kam pasur gjithnjë pasion për lëndët shkencore, sidomos për fizikën dhe dua të vazhdoj për Inxhinieri Ndërtimi, e megjithatë sa i përket vendit të librit në shtimin e pikëve, universitetet janë në kërkim të individëve të formuar, të cilët duan të japin kontributin e tyre në shoqëri dhe një angazhim i tillë është pikërisht ajo çka ata kërkojnë!



Pse mendon jashtë vendit? A do të ktheheshe ndonjë ditë ne Shqipëri për të dhënë kontributin tënd?


Unë e dua vendin tim dhe vetëm një arsye shumë e fortë do mund të më largonte nga këtu. Duke analizuar situatën time, e kam parë të arsyeshme të shkollohem jashtë vendit, konkretisht në Amerikë, për shkak se standardi i arsimit është shumë më i lartë se këtu. Megjithatë nuk duhet ngatërruar mjeti me qëllimin. Synimi im nuk është Amerika, shkollimi im jashtë është vetëm një mjet që do më ndihmojë të arrij qëllimin tim, i cili është të jap kontributin  në vendin tim. Dua të jem një individ sa më i formuar, sa më i ditur e sa më i fortë për të zënë një vend në shoqëri që mund të sjellë progres, ndryshim. Ndaj do bëj të pamundurën që kohën e sakrifikuar jashtë Shqipërisë, ta shfrytëzoj në mënyrën më të mirë kur të kthehem përsëri.



Çfarë ka ndikuar te ty Laura fakti i të qenit një nxënëse ekselence? Si arrihet kjo gjë?

Të qenurit një nxënëse ekselence nuk është  diçka e lehtë dhe një status i tillë nuk është i lehtë për t’u ruajtur, duhet punë e vazhdueshme dhe intensive. Megjithatë ata që i hyjnë këtij rrugëtimi, zor se tërhiqen kollaj, pasi kanë parë bukurinë e të qenurit në maksimumin e asaj që mund të arrijnë, e kështu ndihen mirë më veten. Edhe mua, kjo gjë më ka ndihmuar në shumë aspekte të jetës. Që nga përfitimi i dijes si çelës kyç për gjithçka tjetër. Sa më i ditur individi, aq më i zoti, ambicioz, i formuar, intelektual e  i moralshëm bëhet ai. Kjo arrihet duke synuar përmirësimin e vetes në çdo hap të jetës dhe duke u përpjekur vazhdimisht të jesh versioni më i mirë i vetes!



Cili është mesazhi yt për të gjithë ata nxënës të cilët duan të studiojnë e të bëhen me vlera të cilat, pse jo, shoqëria i quan të mira?


Sot, të jesh një ruajtës i vlerave të mira, nuk është diçka e lehtë dhe për hir të së vërtetës, jo gjithnjë fitimprurëse. Unë kam zgjedhur të jem pjesë e individëve në kërkim të dijes, të moralit, të së vërtetës dhe mesazhi im shkon vetëm për ata që e kanë kapur thelbin e kësaj dhe mund ta kuptojnë një zgjedhje të tillë. Nëse synimi yt lidhet dhe rrotullohet vetëm rreth vlerës monetare, famës, pushtetit atëherë ke zgjedhur rrugën e gabuar. Por nëse synimi yt është më i lartë dhe lidhet në radhë të parë me anën shpirtërore, qetësinë dhe lumturinë, atëherë dija dhe morali janë shokët e tu të ngushtë. E megjithatë, kjo rrugë nuk të lë kurrë në baltë pasi disa vlera nuk mund të nëpërkëmben dot kurrë dhe me durim do t’i arrish të gjitha, edhe mirëqenien individuale edhe fitimet personale në këtë jetë. Por do të duhet t’i fitosh me mund e me djersë.



Po për mësuesit do të doje të ndaje diçka, ndoshta një mësim marrë nga ata, i cili do të ndikojnë te ty përgjithmonë? Cili është modeli i mësuesit që ka ndikuar thellësisht te ty?


Figura e mësuesit do të gëzojë gjithnjë një vend të veçantë në zemrën time, si figura më e respektuar për mua. Edhe ime më është mësuese dhe kjo më ka bërë ta vlerësoj  më shumë këtë figurë, duke njohur akoma më mirë të gjithë vështirësitë e këtij profesioni, te cilat ata i justifikojnë me misionin e edukimit të brezit të ri. 

Pikërisht ky është mësimi që do të ndikojë te unë përgjithmonë, të ndjekësh një rrugë të vështirë për përmbushjen e një qëllimi të lartë. 

Ndonëse nuk mund të them se kam vetëm një model mësuesi që e veçoj nga të tjerët, secili nga mësuesit e mi ka pasur një aspekt që unë e çmoj shumë. Dikush ka një mënyrë të ngrohtë komunikimi me nxënësin, dikush është një shëmbëlltyrë e  vlerave morale, dikush me magjinë e tij arrin ta frymëzojë nxënësin brenda 45-minutave, dikush të mahnit me përgatitjen e tij shkencore e  dikush shpjegon aq thjeshtë e aq kuptueshëm saqë të gjithë dashurohen me lëndën. Të gjitha këta nuk janë modele të menduara, janë mësues të vërtetë që unë kam pasur fatin t’i njoh, të cilët kur bashkohen në mendjen time më formojnë një model që ndikon vazhdimisht te unë si një shembull i përhershëm. 




Intervistoi Nanila Allkja Biçaku

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

4,091 Lexime
2 vjet më parë