TEATËR

Nxënësit e shkollës "Zoi Vangjeli", Velabisht, Berat, performojnë dramën "Vilhelm Teli"

Nxënësit e klasës së gjashtë të shkollës 9-vjeçare "Zoi Vangjeli", Velabisht, Berat, kanë performuar dramën me pesë akte "Vilhelm Teli". Nëpërmjet kësaj drame nxënësit përcjellin mesazhin "Më mirë një fund i ndershëm sesa një jetë e gjunjëzuar".

Skena e Vilhelm Telit përballë Valterit, ku duhet të shigjetojë mollën mbi kokën e të birit, është një skenë e përjetshme e dramaturgjisë botërore. Një vepër klasike, tepër aktuale dhe universale është interpretuar nga nxënësit e kësaj shkolle, të cilët nën kujdesin e mësuese Dhurata Agalliut, realizuan me shumë sukses pjesë nga kjo vepër. 


Edukimi nëpërmjet Artit nxit kureshtjen dhe imagjinatën si metodologji tepër produktive sidomos për gjithëpërfshirjen e nxënësve, të cilët zbulojnë ose gjejnë aty prirjet e fituara apo të fshehura të progresit akademik e kulturor. Një gjetje e mirëmenduar sidomos në projektet e gjuhës shqipe përgjatë periudhave vjetore, sintetizuar me faktin që mesazhet që këto vepra percjellin mbeten po aq aktuale. Ato i shërbejnë çdo konteksti historik apo social, të gjitha shoqërive, duke u bërë në këtë mënyrë universale. 

Atmosfera e zymtë e luftës që kishte zotëruar shtetin zviceran si dhe elementi i ngjyrës së kuqe të gjakut që ushqente tokat e luftës inspiruan autorin për të shkruar një vepër të tillë siç është "Vilhelm Teli". Vepër kjo e cila reflekton atë të cilën ne e quajmë ankth, ajo e cila na bën të heshtim për një çast. Të tilla ndjesi zotëruan Zvicrën e luftrave. Në këto çaste paraqitet heroi i kësaj drame Vilhelm Teli, me harkun dhe shigjetat e tij, me misionin  e hapjes së portave triumfatore të Zvicrës. Ai nuk e kurseu lirinë e tij individuale, duke fituar kështu lavdinë e popullit të tij. 


Teli ishte i njohur në të gjithë vendin për aftësitë e tij si harkëtar dhe për shpirtin e tij të pavarur. Aq sa sakrifikoi dhe jetën e djalit të tij, përmes skenës së famshme të mollës mbi kokën e të birit, Valterit, ku Vilhelmi me aftësitë e tij të jashtëzakonshme qëllon saktë, drejt e në mollë, duke shpëtuar kështu të birin dhe lirinë e tyre. 


Kjo skenë mbetet e përjetshme në dramaturgjinë botërore, duke u kthyer në simbol, në metaforë të lirisë, pavarësisë mendore, shpirtërore, fizike. Nxënësit e talentuar të kësaj shkolle, arritën ta përcillnin këtë skenë me aftësi shumë të mira aktoriale, sigurisht edhe nën kujdesin e mësueses se tyre, Dhurata Agalliu. 

(Përgatiti P. Shtini; Portali Shkollor)

3,073 Lexime
5 vjet më parë