“Nxënësi im sy bojëqielli” nga Albana Myzyri
“Nxënësi im sy bojëqielli” është shkrimi letrar i Albana Myzyri, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
E mbaj mend si sot atë ditë, edhe pse kanë kaluar shumë vite. Ishte dita ime e parë si mësuese ndihmëse.
E pasigurtë rreth rolit tim në këtë fushë te re, fillimisht u përballa me një larmishmëri mendimesh dhe paragjykimesh. Sapo hyj në korridorin e shkollës, një mësues më tërheq vëmendjen e më thotë: “Merre, ky është nxënësi yt!”. Mbante përdore një djalë të vogël, me sy bojëqielli, shumë të bukur. Nxënësi ishte hiperaktiv dhe as që m’i hodhi sytë.
Mateo ishte diagnostikuar me AN, autizëm fëminor, prapambetje mendore e gjuhësore dhe çrregullime të sjelljes.
Ai kishte vështirësi shumë të mëdha me sjelljen, nuk përqendrohej, nuk mbante aspak kontakt me sy. Në shumë raste bëhej agresiv, veçanërisht vajzat i kapte për flokësh. Kishte tendencë të lëndonte shokët, por edhe veten. Meqë nxënësi fillonte klasën e parë e gjykova të domosdoshme të merrja informacion nga edukatorja, pasi nxënësi kishte ndjekur rregullisht kopshtin. Ajo më konstaton se gjatë viteve të kopshtit Mateon e ka mbajtur vetëm për dore, si e vetmja mënyrë që të mos ngacmonte e lëndonte veten e shokët. Mora informacion edhe nga prindërit, e ëma u tregua shumë e kujdesshme të më përshkruante në mënyrë të detajuar të birin që nga lindja e deri në atë ditë.
Mateo kishte vërtet shumë probleme me sjelljen. Vendosa t’i përkushtohesha tërësisht këtij nxënësi, u përpoqa të gjeja tek ai ndonjë pikë të fortë mbi bazën e të cilës ta motivoja, por arrita në përfundimin se nëse ai nuk do të arrinte të mbante kontaktet me sy nuk mund të punonim më asgjë tjetër. Kështu, u sigurova se ky do të ishte objektivi ynë i parë, për t’u ndjekur pastaj nga përmirësime të tjera të sjelljes.
U deshën shumë punë dhe përpjekje që nxënësi të vendoste për pak sekonda kontaktin me sy. U punua me koordinimin sy-dorë, qëndrimin në klasë për një kohë pak më të gjatë, bashkëpunuam me të gjithë nxënësit e klasës, por edhe të shkollës që ta pranonin e ta mbështesnin shokun e tyre. Edhe pse Mateo nuk ishte social dhe nuk ndërvepronte, gradualisht ai nisi t’i pranonte shokët e klasës e të miqësohej me ta, nuk po i ngacmonte më dhe qëndronte i qetë pranë tyre. Kjo ishte një shenjë që më tregoi se ka shpresë për përmirësime dhe arritje për këtë nxënës.
Me kalimin e kohës Mateo reduktoi ndjeshëm hiperaktivitetin, krijoi një marrëdhënie të ngushtë si me mësuesen ndihmëse edhe me mësuesin kujdestar. Gradualisht edukimi u shtri përtej sjelljes, edhe pse kishte shumë vështirësi në artikulim, me anë të lojërave të ndryshme e mjeteve konkrete ai arriti të njohë numrat e shkronjat. U punua me motorikën fine e globale.
Nxënësi, që deri atëherë nuk mbante kontaktet me sy dhe as lapsin në dorë, arriti të shkruajë pa ndihmë, me të kopjuar e diktuar. Ndërkohë ai minimizoi sjelljet agresive në një shkallë tepër të kënaqshme, mësoi disa vjersha të shkurtra dhe mori pjesë në disa aktivitete të organizuara në shkollë.
Vitet kaluan shpejt, me shumë punë, përkushtim, lodhje dhe kënaqësi njëkohësisht dhe ky nxënësi i vogël sybojëqielli tashmë ka arritur në klasën e IX. Ky nxënësi hiperaktiv, që nuk mbante as kontaktet me sy, tani kuptohet me mësuesen edhe vetëm me anë të disa shenjave, pa shpërqendruar shokët gjatë mësimit.
Mateo ka kaluar nga varësia në pavarësi, përshkon vetë rrugën nga shtëpia në shkollë, lexon fjalë të thjeshta dhe bën blerje të vogla në dyqan.
Ja pra, ky është nxënësi im, nxënësi që e cilësuan si të pandreqshëm në klasën e parë, tani me plot gojën e them se është dhe do të mbetet përgjithmonë nxënësi im, i cili më mësoi si të mos dorëzohem dhe të kërkoj dritë edhe aty ku duket errësirë, një punë e ngritur ndër vite dhe kurorëzuar me suksese. Por i gjithë ky sukses nuk do të arrihej kurrë pa mbështetjen dhe kontributin e dhënë nga familja. E ëma, një heroinë e vërtetë nuk largohej asnjë ditë pa pyetur:
“Çfarë bëri djali sot? Mësoi ndonjë gjë të re?”
Faleminderit nga zemra i them kësaj nëne, që më besoi edukimin e fëmijës së saj dhe u bë bashkudhëtarja jonë në këtë rrugëtim sa të vështirë dhe të bukur njëkohësisht.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë prindërit e fëmijëve me AN, pasi ata janë heronjtë e heshtur.
Albana Myzyri
Albana Myzyri ka ndjekur studimet në Shkollën e Mesme të Bashkuar Muhedin Sherifi. Më pas ka studiuar BIO-Kimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Elbasan. (2004-2008). Pas trajnimeve të shumta për fushën e re mësimore të fëmijëve me AN ka kryer Masterin Profesional “Pedagogji e Specializuar Sociale” në Fakultetin e Shkencave Sociale, Tiranë. (2020-2021). Ka marrë pjesë në shumë trajnime për zhvillimin e saj profesional e sidomos në lidhje me punën me fëmijët me aftësi ndryshe. Nga viti 2008 deri në vitin 2010 ka punuar si mësuese bio-kimie në shkollën 9-vjeçare “Polis-Gurshpatë”, ZAV Librazhd. Ndërkohë në vitin 2015 kaloi në një praktikë krejt ndryshe nga e para, duke u bërë vullnetare e disa qendrave dhe shoqatave me fokus integrimin e fëmijëve me AK dhe personave me paaftësi fizike, në Librazhd dhe në Gramsh. Nga viti 2016 deri më 2022, emërohet si mësuese definitive për nxënësit me aftësi të kufizuara, në shkollën 9-vjeçare Ramadan Idrizi, Dushk dhe ushtroi njëkohësisht rolin e drejtueses së Rrjetit Profesional për Mësuesit Ndihmë. Ndërsa nga shtatori i vitit të shkuar deri më tani është mësuese ndihmëse në ZVA Elbasan, Kuqan.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Sjellja zbukuron çdokënd” nga Drita Gjaci Topjana
“7 Marsi ynë” nga Behare Kasa
“Më duket sikur jam pa atdhe...” nga Blerina Behari