Intervistë me Gentian Koçin

Një histori shqiptare në Festivalin e Sarajevës

Gentian Koçi, regjisori i këtij prodhimi kinematografik vjen në një interviste. Me aktoret Ornela Kapedani dhe Suzana Prifti, bashkëprodhimi shqiptaro-grek, ndjek historinë e një nëne të vetme dhe djalit të saj njëvjeçar, në rrethana ...

Dita zë fill prodhimi më i ri kinematografik me skenar dhe regji nga Gentian Koçi, është përzgjedhur të mbajë premierën botërore në garën kryesore (Main Competition) në një nga festivalet më të rëndësishëm në Europë dhe më i rëndësishmi i rajonit, Sarajevo International Film Festival, i cili do të mbahet prej 11-18 gusht 2017. 


Dita zë fill është prodhuar nga ARTALB FILM (Shqipëri) në bashkëprodhim me GRAAL FILMS (Greqi). Ky prodhim shqiptaro-grek ka gjetur mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Qendrës Greke të Filmit, EURIMAGES, TVSH, Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës si dhe rrjetit të zhvillimit të kinemasë ballkanike SEE CINEMA NETWORK. 


Gentian Koçi, regjisori i këtij prodhimi kinematografik vjen  në një interviste. Me aktoret Ornela Kapedani dhe Suzana Prifti, bashkëprodhimi shqiptaro-grek, ndjek historinë e një nëne të vetme dhe djalit të saj njëvjeçar, në rrethana të skajshme ekonomike. Të dy, shpërngulen në shtëpinë e një gruaje të moshuar, të ngulur në shtrat nga sëmundja, për të cilën kujdeset Leta.


A mund të na thuash, në pak fjalë, për çfarë bën fjalë filmi juaj dhe cili është motivimi që qëndron pas tij? 

Dita zë fill (Daybreak) është një dramë intime, e cila ndodh në një apartament në Tiranë. Në fakt, është një histori që mund të ndodhë kudo. Marrëdhëniet njerëzore si dhe kompleksiteti i thellë i tyre më kanë terhequr gjithnjë. Historia mbështetet në dy personazhe femërore, Leta dhe Sofia. Leta është një nënë e re në një situatë tejet të vështirë financiare. Për shkak të kësaj situate, ajo nuk ka mundur të paguajë qiranë që prej disa muajsh. Kur Leta dhe djali i saj njëvjeçar nxirren jashtë prej apartamentit të tyre me qira, ata shpërngulen në shtepinë e Sofisë, një gruaje të moshuar e të ngulur në shtrat prej sëmundjes, vajza e të cilës ka punësuar Letën si kujdestaren e nënës së saj. Me qëllim që të ruajë vendin e punës dhe strehën e saj të re, Leta duhet ta mbajë Sofinë në jetë me çdo kusht.


Boshti i historisë është marrëdhënia e brishtë mes gruas së re dhe të moshuar, një marrëdhënie që luhatet mes empatisë reciproke dhe qëllimeve pragmatike. Një nga sfidat më të rëndësishme për mua, si skenarist dhe regjisor, ka qenë, ruajtja e një ekuilibri delikat mes këtyre dy aspekteve të kundërta të marrëdhënies së tyre: afeksionit dhe interesave të pastra pragmatike.


Dita zë fill trajton, gjithashtu, kompromiset morale ku secili prej nesh merr pjesë, në përpjekjet tona të vazhdueshme për siguri financiare apo për mbijetesë. Këtu, kriza morale pyetet prej perspektivës të një mikrokozmosi social. Ndërsa gruaja e moshuar është si një specie në zhdukje, një grua e kohërave të dikurshme, gruaja e re nuk mund t’i lejojë vetes të shohë nga qielli.


Si është financuar filmi?

Pasi u zhvillua në tre markete bashkëprodhimi (Cinelink, Connecting Cottbus dhe Euro-Mediterranean Co-Production Market) projekti u mbështet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Qendra Greke e Filmit, Eurimages, Ministria e Kulturës e Shqipërisë, nga Radio-Televizioni Shqiptar, Bashkia e Tiranës si dhe SEE Cinema Netëork. Projekti është një bashkëprodhim shqiptaro-grek, prodhuar nga shtëpia kinematografike shqiptare ARTALB FILM dhe bashkëprodhuar nga Graal Films me bazë në Athinë.


Si kineast i ri, sa e vështirë është të prodhosh një film me metrazh të gjatë në një vend të vogël si Shqipëria?

Shqipëria ka një buxhet relativisht të vogël për kinemanë. Në këto pak vitet e fundit, Qendra Kombëtare e Kinematografisë e ka rritur buxhetin e saj dhe ka ndjekur, gjithashtu, një politikë të re, me qëllim rritjen e numrit të prodhimeve filmike dhe për të ndihmuar kineastët e rinj të krijojnë një klimë të re estetike në kinemanë shqiptare. Rreth 30 projekte në vit financohen nga QKK, nga të cilët 10 janë fiksione me metrazh të gjatë dhe pjesa tjetër janë filma të shkurtër, fiksion, dokumentar dhe filma të animuar. Shpresoj që do të ketë shumë kineastë të paduruar për të bërë filma. Kineastët e rinj janë gjithnjë e më të prirur të “bëjnë montazhe financiare të buxheteve të tyre” duke kombinuar, kryesisht fondet publike me ato pak mundësi nga fondet private. Aktualisht, Shqipëria është anëtare e MEDIA Programme dhe Eurimages. Bashkëprodhimet ndërkombëtare janë ende jetësore për prodhimin e fimit në mënyrë që projekti të përmbyllet me sukses.


E megjithatë, është ende e vështirë për kinemanë shqiptare të garojë me filma të buxheteve të larta në tregjet europiane dhe ndërkombëtare. Edhe pse festivalet dhe marketet e filmit kanë lidhur një martesë të fortë, besoj ende se disa festivale shumë të mira i përzgjedhin filmat e tyre mbi bazën e cilësive të tyre estetike dhe jo mbi kriterin e buxhetit, sistemit të yjeve të kinemasë apo mbi qasjen që shtëpia e prodhimit apo agjenti i shtitjeve ka në market.

Filmi im ka karakteristikat e tij specifike. Është një dramë e fortë sociale, por njëkohësisht, tejet e nëndheshme, me ritmin e saj autentik të brendshëm, i cili burimin e gjen prej botës së brendshme të personazheve të mi. Jam i bindur se filmi do të mbërthejë vëmendjen e audiencës qetësisht, ndaj unë, vërtet shpresoj që përzgjedhësit e festivaleve do ta vënë re dhe do e vlerësojnë filmin.


Cila është analiza juaj mbi gjendjen aktuale të filmit autor europian?

Është tejet e vështirë për mua të kem një qasje gjithëpërfshirëse mbi filmin autor në Europë. Gjithë ç’mund të them në lidhje me këtë vjen prej perceptimin tim vetjak mbi situatën. Së pari, kam përshtypjen se po bëhet gjithnjë e më vështirë për të sapoardhurit në industrinë e kinemasë dhe për regjisorët debutues me film të gjatë, të cilët nuk kanë një kapital simbolik paraprak në këtë fushë, të gjejnë vendin e tyre në sistemin e festivaleve apo edhe në atë shpërndarës. Së dyti, presioni për të arritur suksesin e kërkuar me filmin debutues është vërtet i lartë. Programet e festivaleve jane tejet garuese dhe numri në rritje i filmave me permasa të mëdha ka lënë pak vend për filma që konsiderohen si “të një shkalle më të ulët”.

Gjithsesi, kur shkon në kinema indipendente apo në një festival të mirë, ka ende gjasa të hasësh, një një ditë çfarëdo, një kineast të ri në rritje apo një stil të ri kinematografik apo edhe të jesh dëshmitar i përurimit të një vale të re në kinema.


Çfarë mendon për ndryshimet në sektorin shpërndarës të filmit dhe për pasojat e tij në shfaqjen e filmave të vendeve të vogla?

Qartazi, nëse ke një histori të mirë, të realizuar mirë, një histori që tërheq vëmendjen e një audience të gjerë, mundësitë që të gjesh një kompani shpërndarëse janë dukshëm të larta. Jam mëse i bindur se, pavarësisht faktit se duhet të plotësosh kriteret e marketeve të filmit apo politikave të festivaleve, filmat e vendeve të vogla kanë vetëm një mundësi për të depërtuar: ata duhet të jenë shumë të mirë. Cilësia estetike është mënyra e vetme për të tërhequr një shpërndarës të mirë. Të paktën, kjo është çka unë personalisht mendoj. 


(Shqip)

2,200 Lexime
7 vjet më parë