Nexhip Alpan, dijetar, albanolog dhe atdhetar nga Turqia
Nexhip Alpan (1920-2003), i njohur në gjuhën turke edhe si Necip Alpan, ishte një figurë shumëdimensionale që dha kontribute të rëndësishme në fusha të ndryshme, duke përfshirë albanologjinë, pedagogjinë, veprimtarinë arsimore, publicistikën dhe shkencën. Shkruan: Gëzim Bullaku.
Shkruan: Gëzim Bullaku
Nexhip Alpan (1920-2003), i njohur në gjuhën turke edhe si Necip Alpan, ishte një figurë shumëdimensionale që dha kontribute të rëndësishme në fusha të ndryshme, duke përfshirë albanologjinë, pedagogjinë, veprimtarinë arsimore, publicistikën dhe shkencën.
Fëmijëria dhe shkollimi
Nexhip Alpan lindi në fshatin Zhulat të Gjirokastrës, në Shqipëri. Ai ishte i biri i Pehlivan Zhulatit me prejardhje nga familja Pula e Zhulatit. Nexhipi arsimin fillor e mori në vendlindje dhe në Gjirokastër. Në vitin 1930, pasi i vdiq nëna, shpërngulet me familjen në Turqi ku vazhdoi shkollimin e tij. Alpan përfundoi shkollën fillore në Soke dhe shkollën e mesme në Aydin më 1938. Më pas, ai ndoqi Shkollën Normale të Stambollit, ku diplomoi në vitin 1942, dhe më pas vazhdoi arsimin në Institutin e Lartë Pedagogjik Gjuhësor në Ankara. Në vitin shkollor 1957/58, vazhdoi studimet filologjike dhe psiko-pedagogjike në Universitetin e Sorbonës në Paris.
Kontributi në arsim dhe pedagogji
Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik të Ankarasë, Alpan punoi fillimisht si mësues në Soke (1945-1950), dhe më pas si profesor i psiko-pedagogjisë në Shkollën Normale të Kastamonuit (1952-1954). Ai gjithashtu ka shërbyer si profesor në Institutin Pedagogjik "Gazi" të Ankarasë, inspektor i arsimit në Izmir dhe këshilltar në Ministrinë e Arsimit të Turqisë.
Nexhip Alpan ka publikuar disa organe pedagogjike-kulturore, si “Imbat” dhe “Ogretmen”, dhe ka qenë redaktor i revistës zyrtare arsimore. Ka bërë edhe disa kërkime të thelluara në fushën e folkloristikës shqiptare.Ai ka shkruar dhe botuar qindra punime dhe artikuj në revista dhe gazeta në Turqi, SHBA, Tiranë dhe Prishtinë.
Alpan ishte anëtar i shumë organizatave dhe asociacioneve profesionale, shkencore dhe kulturore. Ai ishte gjithashtu një shqipfolës në radio "Zëri i Turqisë", ku shpërndante lajme dhe programe në gjuhën shqipe. Kontributi i tij shumëvjeçar në arsim dhe studimet në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë e bënë atë një personalitet të shquar në historinë e arsimit dhe mendimit pedagogjik turk dhe shqiptar, veçanërisht për shqiptarët e diasporës.
Për kontributin e tij të shumanshëm, Alpan është nderuar me një varg çmimesh dhe nderimesh. Ai është përfshirë në enciklopedinë "Günümüz Türkiye's inde Kim Kimdir?" si dhe në disa publikime të tjera në Turqi, Kosovë dhe Shqipëri.
Nexhip Alpan vdiq më 4 shkurt 2003 në Izmir. Me një karrierë të pasur dhe kontribut të madh në fushën e arsimit, kulturës dhe albanologjisë, ai mbetet një figurë e rëndësishme dhe frymëzuese për shqiptarët kudo në botë.
Dashuria për nënë Shqipërinë
Alpan ia kushtoi jetën e tij punës në arsim, vendlindjes dhe atdheut ku kishte lindur, Shqipërisë. Në krijimet e tij poetike, me një stil të ngjashëm me atë të Naim Frashërit, duke shprehur dashurinë dhe nostalgjinë për vendlindjen, mes tjerash vjershëronte:
"Shqipëri, o nëna ime,
Ku pashë të parën dritë,
Ku u rrita me thërrime,
Të kam ndërmend nat'e ditë.
Ti ke qenë e je për mua
Gjithë shpresa dhe gëzimi,
Të kujtoj e fort të dua,
Siç kujton nënën jetimi."
Disa nga publikimet e tij janë edhe këto:
- "Teknika e inspektimit objektiv" (1957)
- "Vetëkontrolli i mësuesve" (1957)
- "Pesëdhetë vjetori i 28 Nandorit Shqiptar” (1962)
- "Shqipëria e sotme në dritën e historisë" (1975)
- "Lidhja e Prizrenit dhe shqiptarët" (1978)
- "Si ka lindur alfabeti shqiptar" (1979)
- "Edukata popullore bazë e edukimit kombëtar" (1982)
- "Pavarësia e Shqipërisë dhe IsmailQemal Vlora" (1982)
- "Besa shqiptare" (1987)
- "Epopeja e Kosovës" (1989)
- "Shqiptarët në Perandorinë Osmane" (1997, bashkautor me Nesip Kaçi)
- "Jonuz Emre: Poet dhe edukator i madh popullor" (1999, bashkë me Musa Kraja)
- "Zhulati legjendar: Në kujtimet e mia" (2015)
Burimet:
- Alpan, Nexhip&Kraja, Musa. (1999) Jonuz Emre: poet dhe edukator i madh popullor.
- Dierauff, Evelin; Dierks, Dennis; Henning, Barbara; Leber, Taisiya; Sargsyan, Ani. (2021) Knowledgeon the Move in a Transottoman Perspective: Dynamics ofIntellectual Exchange from the Fifteenth to the Early Twentieth Century. V&R unipress.
- Koliqi, Hajrullah. (2022) Fjalor Enciklopedik i Edukimit.
- Kraja, Musa. (1992) Nexhip Alpan dhe mendimi i tij pedagogjik.
- Morris, H. T. (1993) Islam in the Balkans: Religionand Society Between Europe and the Arab World.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Urimet dhe mesazhet e gjuhëtarëve dhe të njohësve të gjuhës shqipe për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
Për herë të parë një Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe, Manastirliu: Bashkë për të mbrojtur dhe forcuar trashëgiminë tonë gjuhësore
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe