Në mitologjinë greke, cili ishte heroi më “njerëzor”?
Analizë e figurës së Hektorit, në shpjegimin e Iliadës, Letërsi 10-të, nga Ardi Stefa.
Akili si personazh më pëlqen jashtëzakonisht shumë, por heroi më njerëzor ishte princi trojan, Hektori. Ai nuk ishte gjysmëperëndi si Akili apo Enea. Nuk iu dhurua ndonjë lloj fuqie nga perënditë, dhe nuk mbante armaturë që dyfishonte forcën e tij. Ishte thjesht një burrë si shumë të tjerë. Ai debatoi me vëllanë e tij, Paridin, se në vend që të luftonte e të tregonte përgjegjshmëri, zgjodhi Helenën. Por ai ka fjalë ngushëllimi për kunatën e tij, pavarësisht se prania e saj në Trojë ka shkaktuar tashmë gati 10 vjet luftë dhe vdekjen e shumë luftëtarëve nga të dyja palët.
Megjithatë, Hektori është një njeri, një burrë, një bashkëshort e prind që e do vendin e tij, njerëzit e tij. Megjithëse i do shumë gruan dhe djalin, nuk mund të shmangë marrjen e armëve për të luftuar armikun, edhe pse e di që dyluftimi është i pabarabartë dhe fati i tij i pashmangshëm.
Edhe pse e ndien se pas vdekjes së tij Troja do të bjerë...
Hektori me Akilin janë personazhet që ndërtojnë kultin e heroizmit tek Iliada, por Hektorin me veprimet, sjelljen, nderin e tij e gjejmë edhe tek kulti i familjes dhe dashurisë, me dashurinë për Andromakën dhe djalin e tij, respektin për trojanet “hijerënda të veshura” dhe Trojën.Edhe në fund të poemës, Hektori nuk i shmanget rrezikut dhe refuzon të qëndrojë brenda mureve që do t'i shpëtonin jetën.
Por kur e sheh Akilin përpara tij me një armaturë në ngjyrë të artë dhe të zezë, Hektori, i cili ka vrarë Patroklin, mikun e kryeheroit grek, armaturën e të cilit mban ende të veshur, instinktivisht ai vrapon përreth mureve të Trojës, i ndjekur nga rivali i tij.
Një skenë e çuditshme, por edhe reale, si ajo e një maceje që ndiqet nga një qen.
Jo heroike, por shumë njerëzore. Sinqerisht, cili prej nesh, nuk do të bënte të njëjtën gjë?
Se si do të marrë fund dyluftimi e prisnin me padurim jo vetëm njerëzit, por edhe hyjnitë. Kur u nisën për të katërtën herë që të vraponin rreth e rrotull mureve, Zeusi, dërgoi peshoren e artë të fatit dhe vuri në të dy zare të vdekjes. Ana e Hektorit u rrëzua dhe së shpejti në pluhurin e vendlindjes së vet ra edhe vet Hektori.
Hyjnesha Atenë, e cila në luftën e Trojës ka qenë në anën e grekëve, mori pamjen e Defobit, vëllait të Hektorit dhe zbriti në fushëbetejë për ta nxitur në dyluftim me Akilin.
Sapo Hektori godet me shtizë Akilin, Atena zhduket.
Hektori kupton se e kanë braktisur hyjnitë. Atëherë thotë: "Vaj medet, vërtet, tani më ftuan hyjnitë në vdekje!/ ... Nuk ka më ikje .../ Vaj medet, pa luftë dhe pa famë nuk dua të vritem./ Veprën e madhe do ta përfundoj dhe për të do të dinë edhe nipat!".
Në fund dy heronjtë përballen dhe Hektori i bën një propozim të ndershëm armikut. Ai i premton Akilit se do t'ua japë akejve trupin për t'u varrosur me të gjitha nderimet në rast se fiton.
I kërkon Akilit të bëjë të njëjtën gjë, por kryeheroi grek refuzon prerë.
Pak para se të japë frymën e fundit, Hektori i parashikon Akilit vdekjen e tij të afërt, pothuajse pa ligësi.
Edhe pas vdekjes së tij, Hektori vazhdon t’i tronditë lexuesit e t’i bëjë të mendohen, të pushtuar nga neveria ndaj Akilit, i cili abuzon paturpësisht me kufomën e tij.
Çnjerëzorja e Akilit është ende në kontrast me njerëzoren e Hektorit, i cili tani është i vrarë.
As Virgjili nuk e humbi shansin për ta përfshirë Hektorin në eposin e tij: E imagjinon duke klithur nga plagët t’i shfaqet Eneas dhe t’i kërkojë të largohet nga qyteti që do të rrënohej së shpejti dhe të themelojë Trojën diku tjetër.
Ndoshta Hektori, pavarësisht se Akili është heroi kryesor i Iliadës, është personazhi më i mirë e i kompletuar i Homerit, që shënon tranzicionin ideal të heronjve.
Nga hyjni në njerëz...
Një NJERI i vërtetë...
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
Magjia e fundvitit vjen në Petrelë me "Christmas Market", më 22 dhjetor
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana