MATURANTËT E 64-ËS

Ne maturantët e ‘64-ës, Për ju të dashur shoqe dhe shokë pedagogjikas

Lejla Zylja me punën e saj si edukatore e shumë brezave ka dhënë shembullin më të mirë në vendin ku punoi e jeton, duke krijuar modelin si duhet të jetë mësuesja, arsimtarja dhe në përgjithësi intelektualja shqiptare.

LIBËR ME VLERA TË SHUMËANSHME

Lejla ZYLJA  “Ne maturantët e ‘64-ës, Për ju të dashur shoqe dhe shokë pedagogjikas” Tiranë, 2018.

Kohët e fundit doli në qarkullim libri i autores shkodrane, arsimtares, Lejla Zylja. Një libër me kujtime kushtuar maturës 64, të shkollës pedagogjike “Shejnaze Juka” në qytetin e Shkodrës.  


DY FJALË PËR AUTOREN

Lejla Zylja ka lindur më 20 gusht 1946, në Shkodër. Shkollën shtatëvjeçare e mbaroi në shkollën “Ali Laçej”, Perash. Në vitin 1960 filloi studimet në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”. Pas mbarimit të shkollës së mesme përfundoi studimet në Institutin e lartë trevjeçar të Shkodrës, dega matematikë. U emërua mësuese në Durrës ku punoi me përkushtim të madh për shumë vite. 

Lejla pa prirje në letërsi, por me vullnet e këmbëngulje botoi librin me tregime “Mbresa te pashlyeshme”, në të cilin pasqyrohet puna e apasionuar për edukimin dhe kultivimin e vullnetit në mesime te fëmijët e moshave të ndryshme.  

Pas këtij botimi Lejla sjell librin “Ne maturantët e ‘64-ës”. Dashuria për shokët, shoqet, mësuesit e shkollën pedagogjike u bë forcë e madhe që Lejla me shumë sforca të arrinte pas tre vjetësh botimin e këtij libri. 


Periudha e shkollës së mesme është faza më e bukur e jetës rinore, e cila te secili njeri mbetet në kujtesë për gjithë jetën. Matura është nostalgji dhe dashuri për shokët dhe shoqet, për mësuesit dhe shkollën. Në këtë libër paraqitet rrugëtimi i maturantëve të ‘64-ës i cili mbetet i paharruar. Flitet për vitet më të bukura të jetës së tyre. Lojëra, humor, të qeshura, përpjekje, studim e ndonjëherë edhe lot. Rrugët pas maturës u ndanë dhe vitet u kthyen në kujtime. Këto kujtime përshkruhen me nostalgji nga dora e Lejlës. 

Këtu paraqiten emocione të momenteve të ndryshme gjatë katër viteve shkollore dhe kryesisht marrëdhëniet e ngrohta me shokët, shoqet e mësuesit.


Maturantë të vitit 1964, të përfshirë në këtë libër janë figura të njohura të arsimit shqiptar, por edhe në fusha të tjera të shkencës si metodistët: Fatbardha Hoxha, Hasan Lekaj, Fatmira Sokoli etj. Drejtues të shkollave: Zef Fusha, Mirjam Shehu, Zef Marku, Fadil Bushaj, Ndue Deda, Liri Quku, Eljaz Bushaj, Zef Toma etj. Ndue Gjergji si inxhinier në peshkim e Paulin Pero në fushën e historisë. Si qytetar nderi: Skënder Berisha, Nezir Kraja, Myrvete Sokoli, Paulin Pero etj.  Pjesa më e madhe e tyre kanë punuar në zonat më të thella dhe të vështira të Shqipërisë duke dhënë ndihmesën e tyre në fusha të ndryshme të shkencës dhe të dijes shqiptare. 

Meritë për këto arritje kanë dhe mësuesit e tyre të nderuar, të cilët kujtohen me nderim, respekt e dashuri, sepse shumë herë kanë qenë për ta shembull referimi në profesionin e secilit.


Takimi i gjeneratës pas 51 vjetësh është një ndjenjë e veçantë. Takon pedagogun, shoqen, shokun. Periudha 51 vjeçare (nga mbarimi i maturës e deri sot) ka sjellë ndryshime të mëdha në jetën e secilit. Që nga vazhdimi i shkollës së lartë, puna me mësues, krijimi i familjes, e deri sot që janë gjyshër e gjyshe. Shumica prej tyre nuk janë parë që prej atyre viteve, prandaj dhe takimi është emocionues, entuziast dhe plot mallëngjim.

Libri “Ne maturantët e ’64” shoqërohet me shumë foto ilustruese nga jeta shkollore e asaj kohe, me maturantë e profesorë të nderuar. Ky botim i ri ka vlera të shumëanshme, si për masën e gjerë të lexuesve të interesuar, por sidomos për mësues e studentë të degëve të ndryshme, që përgatiten për mësuesinë. 

“Matura ‘64”, paraleli B me mësuese Pina Haxhi

“Matura ‘64”, paraleli C me mësues Bahri Jubani.

“Matura ‘64”, paraleli A me mësues Tomor Osmanin.

- Pedagogjikasit kanë sakrifikuar gjatë vazhdimit të shkollës në largësi nga familja. Ata studiuan për katër vite dhe morën bazat e formimit profesional dhe intelektual. Respekti dhe dashuria për mësuesit si dhe përkujdesja e mësuesve ndaj nxënësve buronin natyrshëm. 

- Ky libër ka vlera shkencore dhe historike. Në këtë libër përshkruhet kurrikula që zbatohej në shkollën pedagogjike dhe metodologjia e paraqitur nëpërmjet kujtimeve të ish-maturantëve të ‘64-ës. Pasuria me mjete dhe burime të kabineteve lëndore që kanë ndihmuar në formimin shkencor të nxënësve pedagogjikas. Mënyra e organizimit të mësimit dhe komunikimi mësues-nxënës paraqitet i vecantë (komunikim i ngrohtë dhe kërkues nga ana tjetër).   

- Shkolla kishte një strukturë të tillë komplekse. Nxënësit me vendbanim larg shkollës sistemoheshin në konviktin “Safet Spahiu”. Konvikti vetvepronte nëpërmjet organizimit të brendshëm. Kishte Këshillin e konviktit, mbështetej e bashkëpunonte me këtë organ. Kishte tre kujdestarë, një infermiere e një infermier. Në lavanteri kishte dy punonjëse për larjen e rrobave të nxënësve.

- Siguria ishte parësore dhe disiplina ishte e fortë.

- Varfëria që i shoqëronte e vështirësitë që kanë kaluar, nuk i ndaluan këta nxënës për të fituar dije dhe formim profesional. 

- Puna vetëmohuese dhe me shumë sakrifica e bërë nga mësuesit e atij brezi është një shembull i mirë për brezin e sótëm të arsimtarëve. 

                                                        ***


I urojmë jetë të gjatë autores. Lejla Zylja me punën e saj si edukatore e shumë brezave ka dhënë shembullin më të mirë në vendin ku punoi e jeton, duke krijuar modelin si duhet të jetë mësuesja, arsimtarja dhe në përgjithësi intelektualja shqiptare. 

2,744 Lexime
5 vjet më parë