Ndahen çmimet e Konkursit “Libri i Karantinës” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit
“Libri i Karantinës”, konkursi letrar i cili u kthye në një ngjarje gjatë muajve të karantinës mbylli sot siparin me një ceremoni ku ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ky konkurs ngjalli interesin e autorëve në gjithë gjeografinë shqipfolëse. “82 vepra u bënë pjesë e kësaj gare, e cila kishte për qëllim të motivonte nxitjen e shkrimit shqip”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së. Sipas saj, libri shqip dhe autori shqiptar do të jenë në fokus të punës së QKLL-së.
Rita Petro, kryetare e jurisë, u shpreh se ajo që i ka befasuar si juri ishte serioziteti i pjesëmarrësve, pasi secili prej tyre ishte munduar të paraqiste një material të punuar përgjithësisht mirë.
Fatmira Aliaj, anëtare e jurisë, veçoi nivelin artistik të autorëve pjesëmarrës, duke thënë se ky konkurs ishte një befasi për nga prurjet.
Fituesit
Juria e përbërë nga Rita Petro, Fatmira Aliaj, Ylli Demneri, Durim Abdullahu kanë vlerësuar tri vepra si më të mirat e këtij konkursi: “Iliri” me autor Lum Gashin, “Tregime të zgjedhura” nga Ervin Nezha dhe “Grupi ‘Bella Ciao’” nga Vera Bekteshi. Ervin Nezha, Lum Gashi dhe Vera Bekteshi shpallen autorët më të mirë.
Sipas tyre tre autorët e përzgjedhur përfaqësojnë nivele të ndryshme të letërsisë shqipe: nga Kosova tek letërsia e “periferive” dhe ajo e traditës.
Libri me tregime ‘Bella Ciao’ përbëhet nga pesë tregime me tema krejt të ndryshme nga njëra-tjetra, por që i bashkon një fill, personazhet kryesore janë përgjithësisht gra.
Tregimi i parë, ai që i jep dhe titullin librit, përshkruan periudhën e karantinës për shkak të pandemisë së virusit të Covid-19, që është dhe ngjarja, një ngjarje aq e madhe, saqë ka përfshirë gjithë planetin Tokë.
Në tregim flitet se si një virus i kohëve moderne, kërkon që dhe mjetet e komunikimit midis personazheve të jenë po të kësaj kohe, mbasi të pesta shoqet lidhen midis tyre përmes chat-it në WhatsUpp. Ato mësohen kaq shumë me këtë mënyrë virtuale komunikimi, saqë shpesh e kanë të vështirë të kujtohen se ka dhe mënyra më të shpejta siç është ajo e telefonit ku lidhesh përmes zërit, pa pasur nevojë të shkruash, por sjelljet e njerëzve, pa e kuptuar, kanë ndryshuar kaq shumë, saqë edhe zëri është i tepërt, sjell bezdi.
Si në formën e një ditari, ato lidhen me njëra-tjetrën ku ndajnë hallet e jetës së përditshme, por dhe mendimet lidhur me këtë gjëmë që po kërcënon mbarë botën, sepse janë të gjitha gra të shkolluara, që nuk tremben të japin mendim, edhe pse duke e kundërshtuar njëra-tjetrën, megjithëse ndodhen në një kuvend virtual.
Por është edhe pjesa e njerëzve të thjeshtë, që të prek me gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, pa përfillur rrezikun nga infektimi.
Tregimi lihet i hapur për të gjitha transformimet që pëson apo mund të pësojë ky virus kaq inteligjent, plotësisht i denjë për kohën e ndërlikuar që jetojmë.
Tregimi “Në Reading” flet për potencialin e madh biologjik që kanë gratë për të krijuar jetë dhe për ta mbrojtur atë me çdo mjet dhe sakrificë.
Gjimnazistet janë sërish një grup grash që shkojnë për pushime disaditore në plazhin e okupuar prej pushtetarëve të rinj dhe zhgënjimin që pësojnë nga niveli i tyre.
Tregimi “Mulliri i vjetër”, një tregim shumë i shkurtër, flet për një grup sigurimsash që ende ruajnë celulat e dikurshme, megjithëse në pension, bile duke pasur ‘të drejtën’ të përflasin viktimat e tyre të dikurshme, sepse nuk kanë pësuar asgjë.
“Portokajtë e kuq të Sicilisë” është një tregim, për brengat dhe pasiguritë e dashurisë.
“ILIRI” nga Lum Gashi
Një roman me temën e ditës, si personazh kryesor është i riu që mbijeton përmes punëve të rëndomta, ku fati i tij është në dorë të pronarit të kompanisë dhe zgjidhja mbetet vetëm ikja në perëndim; rrëfimi është i natyrshëm dhe pa sforcime. Dialogu me të folmen e gjuhës së përditshme të gegnishtes së Kosovës i jep mjaft natyrshmëri rrëfimit, që është konciz, pa stërhollime sentimentale apo romantike edhe kur flitet për marrëdhëniet.
“Tregime të zgjedhura” nga Ervin Nezha
Tregimet e Ervin Nezhës dallojnë për stilin befasues dhe mjeshtërinë e ndërtimit të karaktereve. Tregimet e tij shërbejnë si një vazhdimësi e një tradite në gjininë e tregimit shqip.
Burimi: BalkanWeb
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur