Platoni

Mos hyni, nëse nuk dini gjeometri!

Mendimi i Platonit pati një ndikim edhe më të madh në mendimin shkencor pas themelimit të Akademisë në vitin 387 p.e.s., kohë kur ai u rikthye në Athinë. Disa studiues thonë se kjo akademi ka qenë universiteti i parë europian.

Platoni

Rreth viteve 427 – 347 p.e.s.


Kronologji 

Në vitin 427 p.e.s. Platoni lindi në Athinë ose në rrethinat e saj.

• Në vitin 399 p.e.s. pas ekzekutimit të Sokratit, Platoni i hidhëruar braktis Athinën.

• Në vitin 389 p.e.s. viziton për herë të parë Sicilinë.

• Në vitin 387 p.e.s. pasi kthehet në Athinë, Platoni themelon Akademinë e vet, një kështjellë e përsosur intelektuale, e cila veproi deri në mbylljen e saj me urdhër të mbretit Justinian, në vitin 529.


Që të kuptojmë se si Platoni ka arritur në përfundimet që kanë lënë gjurmë të thella në qytetërimin perëndimor, është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë ka ndikuar tek ai vetë. Te Platoni, i lindur në Athinë apo afër saj, në kohën kur ai qytet i pavarur ishte në kulmin e lulëzimit dhe konsiderohej si vendi më i rëndësishëm i dijes dhe i kulturës në botë, lanë një përshtypje të thellë mësimet e bashkëqytetarit dhe bashkëkohësit të tij, Sokratit.


Sokrati synonte pa reshtur drejt përkufizimeve të qarta të fjalëve që njerëzit ta kishin më të lehtë për ta kuptuar atë, në mënyrë që të arrinin tek “e vërteta”, e cila shpesh fshihet pas përdorimit irracional dhe qëllimkeq të vetë atyre fjalëve.


Kjo e ka bindur Platonin se shqisat njerëzore e shtrembërojnë realitetin, gjë që më vonë u bë struktura e tij e qasjes ndaj dijes, në veçanti e metafizikës.


NDIKIMI I SOKRATIT

Sokrati u vra në vitin 399 p.e.s. me akuzën se shkatërroi rininë e Athinës me idetë e tij “rebele”. I indinjuar nga kjo, Platoni iku nga Athina dhe udhëtoi nëpër shumë vende për më se dhjetë vjet. Në rrugëtimet e tij njohu pitagorasit, të cilët ndikuan shumë tek ai. Që prej themelimit nga Pitagora, shkolla e Krotonit vazhdonte të promovonte tezën se gjithçka është numër.


Mos hyni, nëse nuk dini gjeometri!

MBISHKRIMI NË HYRJE TË AKADEMISË SË PLATONIT


TEORIA E FORMËS

Kombinimi i këtyre dy ndikimeve, bashkë me punën e tij, e çuan Platonin te teoria e formës, një nga trashëgimitë më të rëndësishme të mendimit e të dijes. Parimi kryesor i kësaj teorie ishte se natyra, siç e shohin sytë tanë, është vetëm një pasqyrim i mangët i së vërtetës apo i formës reale. Në mënyrë metaforike, ai e quan njeriun “njeriu i shpellës”, i cili e shkon gjithë jetën me fytyrë nga shpella dhe me shpinë nga dalja e saj. E vetmja gjë që ai sheh, janë hijet që krijon dielli, por nga vështrimi i drejtpërdrejtë i hijeve mund të mësohen shumë pak gjëra. Për Platonin ka ekzistuar gjithmonë një rend i përhershëm I gjithëpranishëm i formave matematikore, të cilat njeriu i sheh si një skicë të pakryer, shpesh edhe të deformuar nga parashikimi dhe paragjykimi irracional vetjak për atë se si duhet “të jenë” gjërat. Prandaj, për Platonin, si dhe për pitagorasit e tjerë, e vetmja qasje e vlefshme ndaj dijes është ajo që bazohet tek arsyeja dhe matematika, të cilat synojnë të zbulojnë të gjitha të vërtetat, pa marrë parasysh gjendjen njerëzore. Kjo ngritje e metodave numerike ndikoi fuqishëm në shkencën moderne. Nxënësit që e ndiqnin, arritën që, me anë të metodave matematikore, të bënin edhe “zbulime” të parashikuara më parë. Përmendim rastin e Dimitri Mendeljevit, i cili, duke u bazuar në llogaritë matematikore dhe vetitë që rridhnin prej tyre, parashikoi ekzistencën e elementeve të reja kimike dhe la për to vende të lira në tabelën periodike. Më vonë kërkimet shkencore vërtetuan se matematika kishte pasur të drejtë, duke bërë që kjo metodë të përdoret gjerësisht edhe sot nga shkencëtarët në mbarë botën.


AKADEMIA

Mendimi i Platonit pati një ndikim edhe më të madh në mendimin shkencor pas themelimit të Akademisë në vitin 387 p.e.s., kohë kur ai u rikthye në Athinë. Disa studiues thonë se kjo akademi ka qenë universiteti i parë europian, duke e argumentuar mendimin e tyre me parimet mbi të cilat ka vepruar ajo. Ndikimi i Platonit ka qenë i pamohueshëm. Thuhet se mbi derën e shkollës qëndronte tabela ku shkruhej: “Mos hyni, nëse nuk dini gjeometri”. 


Gjatë shekujve në vazhdim, Akademia e Athinës, ndër të tjera, ka qenë autoriteti udhëheqës për matematikën, astronominë, shkencat natyrore dhe filozofinë. Kjo akademi qëndroi e hapur gati një mijë vjet, derisa perandori romak Justiniani e mbylli në vitin 529, vit i cili shënon përafërsisht fillimin e periudhës së errët mesjetare.


TRASHËGIMIA e Platonit

Platoni sot konsiderohet si ndër filozofët më të mëdhenj të qytetërimit europian. Kësisoj, nuk është e nevojshme të sqarohet se pse është radhitur përkrah mendimtarëve të shquar të këtij libri. Ai ka ndikuar jo vetëm në zhvillimin e shkencave të natyrës, por ka ndikuar po aq edhe në fushat e tjera akademike, si: pedagogji, letërsi, teori politike, epistemologji dhe estetikë. Edhe pse trashëgimia shkencore dhe filozofike e Platonit ka pësuar transformime të dukshme duke marrë shpjegime të reja, qasja e tij logjike ndaj shkencës nuk e ka humbur forcën e vet dhe është një dëshmi e qëndrueshme e ideve të tij largpamëse.


(Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai)

3,500 Lexime
6 vjet më parë