Johan Gutenbergu

Gutenbergu krijoi kallëpe për shkronjat e para metalike

Shpikja e Gutenbergut u bazua te ideja që shkronja metalike të radhiteshin në korniza të përkohshme, të cilat, pasi teksti të ishte shtypur, të çmontoheshin dhe të përdoreshin për të shtypur faqe të tjera.

Johan Gutenbergu

1400 – 1468


Kronologji 

• Në vitin 1420 Gutenbergu shpërngulet nga Mainzi i Gjermanisë në Strasburg të Francës.

• Në vitin 1450 kthehet sërish në Mainz dhe ndërton makinerinë e shtypit me shkronja lëvizëse.

• Në vitet 1450 – 1456 shtypi një numër të konsiderueshëm librash, një kalendar dhe një letër lamtumire të Papës.

• Në vitin 1456 shtypi Biblën e famshme me 42 rreshta në çdo faqe.

• Në vitin 1465 u bë pjesë e oborrit të kryepeshkopit të Manzit. 


Johan Gutenbergu lindi dhe kaloi shumicën e jetës në qytetin gjerman të Mainzit. Familja e tij merrej me prodhimin e parave dhe përpunimin e metaleve, ku ai mori bazat ideale si gdhendës dhe argjendar. Falë këtyre aftësive, ai krijoi kallëpe për shkronjat e para metalike, të cilat përbëjnë thelbin e zbulimit të shtypshkronjës. Shtypi manual me ndihmën e blloqeve të gdhendura prej druri, ka qenë i njohur disa dekada para shpikësit gjerman. Por ky ishte një proces i mundimshëm dhe i ngadaltë. Në fillim gdhendeshin me dorë në pllaka druri faqe të tëra tekstesh të gatshme, dhe pastaj me ndihmën e ngjyrës bëhej shtypja në letër.


Shkronjat lëvizëse

Shpikja e Gutenbergut u bazua te ideja që shkronja metalike të radhiteshin në korniza të përkohshme, të cilat, pasi teksti të ishte shtypur, të çmontoheshin dhe të përdoreshin për të shtypur faqe të tjera.

Në krahasim me gdhendjen e ngadaltë dhe përdorimin vetëm një herë të pllakave prej druri, me shkronjat metalike dhe kornizat mund të shtypeshin faqe pa fund. Përveç kësaj, ishte edhe shpejtësia me të cilën mund të shtypeshin faqet, gjë që solli një kthesë në shtypshkrim dhe një përhapje të gjerë të fjalës së shkruar. Mendohet se Gutenbergu filloi të eksperimentonte prodhimin e shkronjave metalike diku nga fundi i viteve 1430, kur jetonte në Strasburg. Besohet se ndërmjet viteve 1444 dhe 1448 ai zhvilloi më tej shtypshkrimin me shkronja lëvizëse. Dihet me siguri se pas kthimit në Mainz, ka marrë para hua nga një i afërt, me siguri për të hapur shtypshkronjën e vet. Pajisja fillestare, në të vërtetë, ka qenë një presë për shtrydhjen e rrushit, në fund të së cilës vendosej korniza me shkronjat metalike, në pllakën e poshtme vendosej letra mbi të ilën shtypej. Duke qenë se nuk ishte e lehtë të gjendej ngjyrë e përshtatshme për shtyp, mendohet se Gutenbergu përdorte një përzierje bloze me vaj lini. Ky zbulim, për nga rëndësia, krahasohet me futjen e sistemit numerik.


Për nga rëndësia në historinë e shkencës, ky zbulim krahasohet me futjen e sistemit numerik.


Bibla me 42 rreshta

Nuk ka asnjë vepër të ruajtur që të mbajë emrin e Gutenbergut, por shtypshkrimi më i vjetër, i cili i atribuohet atij, është një kalendar i vitin 1448. Vepra shumë më e njohur, e shtypur me shkronja lëvizëse, është Bibla, prej së cilës janë ruajtur dyzet e tetë nga gjithsej dyqind kopje, e njohur si Bibla me 42 reshta, sepse aq rreshta kishte të shtypur në secilën faqe. Besohet se Gutenbergu dhe ndihmësit e tij i kanë shtypur këto kopje ndërmjet viteve 1450 dhe 1456. Në vitet e fundit të jetës Gutenbergu ka jetuar me pagën që i jepte kryepeshkopi i Mainzit si mirënjohje për shpikjen e tij. Jo të gjithë e kanë pranuar shtypshkrimin me shkronja të lëvizshme si shpikje të Gutenbergut, pasi disa pretendonin se i pari ka qenë Laurens Xhaunsen Kosterit nga Holanda (1370–1440).


Për këtë holandez dihet shumë pak, sepse, ashtu si në rastin e Gutenbergut, as prej tij nuk ka mbetur ndonjë vepër me emrin e tij. Thuhet se ai gdhendte shkronja në dru për të zbavitur nipat e tij. Pastaj, me ndihmën e ngjyrës dhe shkronjave të gdhendura, shtypte në letër fjalë dhe fjali, nga ku i lindi ideja se kjo mund të përdorej për shtypje. Mendohet se ai përdorte kryesisht blloqe me shkronja të gdhendura, dhe me siguri ka filluar të kombinojë blloqet dhe shkronjat lëvizëse që të shpejtonte procesin. Por faktet për këtë nuk janë mjaftueshme. Gjithsesi, edhe sikur kjo të ishte e saktë, presa dhe shkronjat metalike të Gutenbergut kanë qenë të cilësisë së lartë, dhe kjo ka pasur po aq rëndësi sa edhe vetë ideja e shkronjave lëvizëse. Disa studime ia njohin meritat e kësaj shpikjeje kinezëve, të cilët, sipas tyre, e kishin zhvilluar shtypin me shkronja lëvizëse prej druri që në shekullin e katërmbëdhjetë. Pavarësisht të gjithave, mund të themi me siguri se Gutenbergu nuk ka pasur dijeni për një shpikje që mund të ketë bërë dikush tjetër, disa shekuj para tij, në anën tjetër të botës, dhe se idetë i ka zhvilluar në mënyrë të pavarur.


Trashëgimia e Gutenbergut

Shpikja e presës shtypëse me shkronja lëvizëse, për nga rëndësia në historinë e shkencës, mund të krahasohet vetëm me zbulimin e sistemit numerik indoarabik. Edhe pse nuk është një shpikje e mirëfilltë shkencore, ajo e ka ndihmuar revolucionin shkencor në Europë, ndërsa botës akademike i ka krijuar mundësinë që ta përhapë dijen e vet gjithandej. Deri në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë ekzistonin me mijëra libra dhe fletëpalosje të shtypura, duke hapur tanimë epokën e shpërthimit të ideve shkencore.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

2,417 Lexime
6 vjet më parë