Konkursi i esesë

Modeli i mësuesit që më inspiron

Eseja është shkruar nga Refxhei Tola, nxënës i shkollës “A.Z.Cajupi”. Ky krijim është përzgjedhur ndër pesë esetë më të mira të realizuara nga nxënësit pjesëmarrës në konkursin “Mësuesi im”.

Ajo më frymëzon. Ajo është forcë, është forca e fjalës, është forca e femrës, është forcë dinjiteti. Ajo më zgjon emocionet çdo ditë me një poezi. Ajo më godet me poezi, ajo më flet me poezi, por ajo… ajo më përqafon me poezi. Ajo është Lida. Lida ime, e Kadaresë, e çdo kujt që dashuron artin magjik të fjalës, letërsinë!


Lida është modeli i mësuesit që më inspiron. Këtë e kam kuptuar shumë shpejt, që kur e dëgjoja herët e para tek shpjegonte me pasion letërsinë, kur mes emocionesh ajo fliste për disa të vërteta që gjendeshin si dilema brenda meje, dilema të strukura, të fshehura dhe të pamotivuara. E ato ishin të vërteta të forta e të rënda, të dhimbshme e të papranueshme, të vërteta që unë nuk gjeja guximin shpirtëror të përballesha deri ato momente, tani e di që pa kaluar mes tyre unë kurrë s’do t’ia dilja të njihja veten, e aq më pak jetën! Lida më tha të vërtetën, pa më imponuar bindjet e saj sikurse rëndom jemi mësuar të dëgjojmë akademikë të mëdhenj që përpiqen të transmetojnë të vërtetat e tyre absolute. Sepse Lida nuk është egoiste!


Lida më mësoi të ëndërroj. Më mësoi t’i ndjek ëndrrat e mia dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të jetuar. Duke dëgjuar kërcitjen e takave të zeza në qetësinë e klasës, kuptova se dua me shpirt të ndjek ëndrrat e mia, se vetë jeta ime kushtëzohet nga forma e mendimit në kokën time, kuptova se të qenit e lirë është domosdoshmërisht fillesa e realizimit të ëndrrës time më të madhe, të jetuarit jetën time! Lida më bëri të besoj në ëndrrat e mia, të sfidoj plot krenari pengesat para tyre dhe të udhëheq me dinjitet luftën time!


Lida më tha të rrezikoj! Më tha të hidhem mes flakëve të një zjarri që vetëm unë mund ta mbaja të ndezur brenda meje! Lida rrezaton vetëbesim, vetësiguri e vetëvlerësim. Lida rrezaton dinjitet. Pa kaluar shumë kohë pranë saj zbulova një tjetër dilemë që realiteti shoqëror na i shfaq të paqartë. Të jesh apo të kesh është çështja… Kuptova se të jesh është virtyti më i lartë njerëzor. Pranë Lidës, kuptova që të vetmet gjëra që zgjasin përgjithmonë janë ato që posedojmë në shpirtin tonë!


Lida theu shumë tabu në mendjen time. Më bëri të besoj se të qenurit zonjushë nuk është e lehtë. Lida më bëri të besoj se nuk ka asgjë më tërheqëse në këtë planet se një femër e mençur. Lida më bëri të besoj se njerëzit do të më duan më shumë nëse jam e veçantë, dhe të veçantë mund të më bëjë vetëm këndvështrimi për jetën. Lida më tha të jem një vajzë e emancipuar pa pasur frikë nga paragjykimet dhe pa u stepur nga vështrimet e askujt. Lida më mësoi të jem perëndimore dhe të mendoj si e tillë. Lida foli në klasë për drejtësinë, foli për ndershmërinë, foli për sinqeritetin, guximin, foli për demokracinë dhe forcën e mendimit të lirë. Lida hyri si shpresë në klasën time!


Lida më mësoi të dua. Të dua veten pa pritur gjykimin e të tjerëve, të dua jetën. Më mësoi të dua dijen dhe librin. Lida më mësoi të dua njerëzit. Më mësoi se bota është më e bukur me ngjyrat e dashurisë, dhe se dashuria është triumfi më i lartë i kësaj bote. Lida më mësoi se nuk ka pikë rëndësie nëse ti ndihesh e thyer, e copëtuar dhe e përulur. Ti ke mjaftueshëm forcë në gjunjët e tua për të ecur me dinjitet.


Shumë herë Lida më bërtet. Edhe kur të gjithë duartrokasin për “arritjet” e mia Lida më qorton. Por Lida më mbështet mua! Më mbështet fort kur e ndjej nevojën e saj. Lida për mua nuk është thjesht mësuese. Është mike. 


“Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet ku përfundon influenca e tij.” Lida është modeli i mësuesit që më inspiron.


(Refxhei Tola, shkolla: “A. Z. Cajupi”, klasa: 11/6)


2,233 Lexime
7 vjet më parë