Mjetet e komunikimit masiv si katalizator socializimi
Një shkrim sociologjik mbi mjetet e komunikimit masiv dhe rolin e tyre socializues, i cili u shpërben veçanërisht studentëve për kërkimet e tyre. Shkruar nga sociologu Ledjo Zeneli.
Shumë studiues në lëmet e shkencave sociale, veçanërisht në fusha siç është sociologjia që merren me studimet e tipologjive sociale dhe karakteret e shoqërive, kanë bërë analiza dhe vlerësime të ndryshme në lidhje me kushtet dhe natyrën e mjediseve shoqërore ku jetojmë. Bazuar në këto konstatime shoqëritë e zhvilluara industriale po përjetojnë “rituale” tepër të ndryshme të sjelljeve kolektive në krahasim me shoqëritë e mëparshme njerëzore. Në këtë kontekst mund të thuhet se zhvillimet teknologjike janë ndër më të rëndësishmet që kanë sjellë së bashku me veten rituale të tilla. Lidhur me këtë duhet theksuar se duke qenë se njeriu është një qënie sociale dhe biologjike veprimtaria e tij brenda shoqërisë nuk mund të kuptohet e ndarë nga ndikimi i trashëgimisë biologjike dhe kulturore. Trashëgimia kulturore në ndryshim nga ajo biologjike fitohet nëpërmjet socializimit. Pra njeriu bëhet qënie kulturore ose sociale në kuptimin që jeton nën kufizimin apo determinimin e disa parimeve morale dhe normative të kulturës ku lind apo me të cilën mund të familjarizohet më vonë si rezultat i kontaktit me kultura të tjera.
Në të shkuarën mjedisi kryesor ku njeriu socializohej ishte familja sepse shoqëritë nuk ishin shumë të specializuara dhe institucionet si edukimi nuk kanë qenë të mirë organizuara mbi rregulla racionale të ndara plotësisht nga jeta familjare dhe të menaxhuara nga shteti. Në ndryshim me këtë sot vihet re një dobësim i theksuar i funksionit apo ndikimit që ka familja mbi procesin e socializimit të antarëve të rinjë të shoqërisë. Si rezultat i individualizmit ekstrem i cili shfaqet në formën e paraqitjes së unit duke sulmuar egërsisht mekanizmat e kontrollit social, në të njëjtën mënyrë vihet re edhe një mungesë fuqie e komunitetit në procesin e socializimit. Ky fenomen është mjaft i përhapur në shoqërinë shqiptare e cila karakterizohet nga një keqkuptim i pozitës së individit dhe shfaqjes së unit brenda shoqërisë, i cili jo në pak raste shoqërohet me prishje të ekuilibrave mes lirisë individuale dhe përgjegjësisë sociale. Paralelisht me këtë shikojmë që një nga katalizatorët më të fuqishëm të socializimit janë mjetet e komunikimit masiv si televizori, celularët dhe përmbajtjet e tyre si filmat, serialet, faqet e lajmeve, këngët, rrjetet sociale e kështu me radhë. Në fakt njerëzit sot, por veçanërisht të rinjtë kalojnë një kohë mjaft të gjatë përballë këtyre mjeteve.
Edhe pse ka diskutime të ndryshme në shkencat sociale në lidhje me mënyrën sesi mjetet e komunikimit masiv arrijnë të ndikojnë, dhe rrjedhimisht socializojnë individët, ( për shembull nëse individi është pasiv apo aktiv kur ndodhet përballë tyre) mund të thuhet se ndikimi vjen në formën e përcaktimit të asaj se mbi çfarë individët do të mendojnë dhe zhvillojnë procesin e tyre të interpretimit apo vlerësimit. E thënë më qartë mjetet e komunikimit masiv arrijnë të përcaktojnë materialin që do përdoret për interpretim dhe vlerësim por jo domosdoshmërisht dhe absolutisht mënyrën e vlerësimit të këtij matariali nga ana e individëve. Pavarësisht faktit që individi nuk mund të trajtohet si një entitet tërësisht pasiv që thjesht merr dhe pranon informacionin që përcillet përmes këtyre mjetëve, fuqia e imponuese e tyre nuk është për t’u nënvlerësuar. Veçanërisht kur ky fenomen analizohet në kuadrin e fakteve të tjera sociale siç mund të jetë niveli i edukimit, mjedisi social, gjinia, origjina etnike e të tjera. Pra faktorë të kësaj natyre janë tepër përcaktues në raportin që individët kanë me marrjen e informacionit dhe vlerësimin që i bëjnë atij.
Fakti që shumë njerëz kalojnë një pjesë mjaft të madhe të kohës së tyre nën shoqërimin e këtyre mjetëve ka ngritur shqetësimin për pasoja të ndryshme të cilat variojnë që nga ato me natyrë fiziologjike deri tek ato me natyrë psikologjike dhe socio – kulturore. Në këtë kontekst, siç edhe është vënë në dukje, një nga funksionet e këtyre mjetëve është socializimi i individëve. Me këtë nënkuptohet familjarizimi me vlerat dhe kodet kulturore që këta mjete përmbajnë dhe transmetojnë tek masat. Niveli i socializimit është aq i madh saqë teori të ndryshme janë shprehur se mjetet e komunikimit masiv mund të luajnë një rol mjaft të madh në rikonstrukturimin e shoqërive, siç mund të jetë për shembull modernizimi i tyre. Pra në kushtet kur modelet e sjelljeve dhe vlerat e përmbajtjeve të këtyre mjetëve janë në përpuethshmëri me parimet e modernizmit dhe kur këta modele dhe vlera u bëhen të ditura masave përmes shfaqjeve të formave të ndryshme, mund të ndikojnë kulturën e shoqërive duke mbjell kështu modele dhe vlera të reja. Natyrisht mendohet se modelet dhe vlerat në fjalë janë veçori të faktorëve që mbajnë pushtetin mbi këto mjete. Për shembull sot është bërë tepër e zakonshme që përmbajtja e një filmi apo një kënge të karakterizohet nga vlera që kanë të bëjnë me individualizmin, barazinë gjinore, sistemet demokratike, lirinë, kombin, pabarazitë ekonomike, ndryshimet klimatike, vlerën dhe sundimin e ligjit mbi mënyrat tradicionale të vënies së drejtësisë si dënimi me vdekje apo gjakmarrja sipas zakoneve vendore e kështu me radhë. Megjithatë si rezultat i dëshirës për përfitim ekonomik, funksioni socializues në fjalë mund të kalojë në ekstreme të padëshiruara duke theksuar dhunën, drogën, individualizmin ekstrem, antipatinë dhe duke dobësuar në këtë mënyrë sensin e përgjegjësisë sociale dhe solidaritetin. Veçori të kësaj natyre vihen re shpesh në këngë të ndryshme që theksojnë pikërisht këto lloj vlerash.
Prandaj dhe funksioni socializues i këtyre mjetëve shpesh herë krijon shqetësime dhe reagime masive veçanërisht në rrjetet sociale si rezultat i transmetimit të vlerave të papranueshme nga shoqëria. E shprehur në terma sociologjik ngacmon koshiencën kolektive të shoqërisë duke e vënë në lëvizje atë në formën e protestave të ndryshme kundër sjelljeve deviante. Një fenomen i tillë është mjaft i përhapur në shoqërinë shqiptare i cili vjen si pasojë e disa programeve televizive të cilat me anë të sjelljeve dhe vlerave që përcjellin shqetësojnë si publikun e gjerë edhe protagonistë të shquar të sferës publike në Shqipëri. Në këtë rast mjetet e komunikimit masiv ( për rastin në fjalë programet televizive) po luajnë një rol imponues dhe luftarak me vlerat morale të shoqërisë shqiptare. Kjo na tregon se mjetet e komunikimit masiv jo gjithnjë funksionojnë dhe veprojnë duke u bazuar në vlerat e përgjithshme të shoqërive në të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre socializuese. Përkundrazi, për shkak të shtrirjes së gjerë të ndikimit mbi shtresa të ndryshme shoqërore mund të bëjnë që sjellje të caktuara deviante të kthehen në normë sociale. Ky fenomen bëhet mjaft i lehtë kur zhvillohet përmes këtyre mjetëve sepse këto mjete nuk janë nën kontrollin e njerëzve të thjeshtë dhe raporti që këta njerëz kanë me to është mjaft pasiv dhe tepër i vazhdueshëm në kohë dhe hapësirë. Ndryshe ngase mund të ndodhte me një ose disa persona deviantë brenda komunitetit duke i larguar ose dënuar konkretisht ato, dënimi dhe largimi i këtyre mjetëve në kushtet e botës së sotme duket tepër i vështirë.
Pasojat socializuese të rrjeteve sociale në grupmoshat e reja
Bazuar në vlerësimet e mësipërme tani do të trajtohet një nivel më mikro i socializimit që ka të bëjë me ndikimin e individëve të rinjë të shoqërisë nga rrjetet sociale. Mund të thuhet pa frikë se grupmoshat e reja janë kategoria më e prekshme dhe objektivi kryesor i mjeteve të komunikimit masiv. Kjo jo pa ndonjë shkak por sepse kjo kategori është socializuar në një sistem vlerash më elastik dhe jo dhe aq të qëndrueshëm sa ç’është ai i brezave më të vjetër. Veçoria fluide e këtij sistemi vlerash bën që individët e rinjë të jenë më të adaptueshëm dhe ta pranojnë më lehtë ndërhyrjen e këtyre mjetëve në jetën e tyre. Po t’i hedhim një sy rrjeteve sociale del në dukje dominimi i kësaj kategorie dhe veprimtaritë e ndryshme të tyre në to.
Së pari rrjetet sociale ndikojnë në jetën e të rinjëve duke krijuar një gjendje tepër pasive të ecurisë së tyre ditore. Pra ata shpenzojnë një pjesë të mirë të kohës nën praninë e këtyre mjetëve. Mirëpo gjatë këtij procesi të rinjtë fillojnë të ekspozojnë unin e tyre në kuadrin e ndërtimit të identiteteve të caktuara të cilat shpesh herë përcaktohen nga rrjedha e dominuese e rrjeteve sociale. Për shembull kur del një efekt i ri në instagram, facebook, whatsApp etj., apo ndonjë mënyrë e re e paraqitjes së vetes në to, shumë prej përdoruesve vërsulen ta rindërtojnë veten e tyre në bazë të kushteve që rrjetet sociale krijojnë. Kjo në fakt tregon për ndikimin e madh që rrjetet sociale kanë në mënyrën tonë të të jetuarit.
Për të provuar vlerësimin e mësipërm mund ti hedhim një sy një studimi të realizuar me studentët universitar. Në këtë studim empirik është konstatuar se instagrami si përfaqësues i rrjeteve sociale kryen rolin e ndërtimit të identiteteve të reja dhe krijimit të përshtypjeve sepse krijon kushtet e përshtatshme ku individët të realizojnë prezantimin e vetes. Mundësia që rrjetet sociale ofrojnë për prezantimin e vetes ideale dhe ndjenjave të shtypura duket se është një nga shkaqet kryesore të përdorimit të tyre. Madje parashikohet se identitetet virtuale që krijohen në rrjetet sociale do të marrin vendin e identiteteve të jetës së përditshme dhe do mund të përdoren në mënyrë indiviuale dhe të projektuara në mënyrë të veçantë për çdo individ. Është konstatuar gjithashtu se individët të cilët nuk ekspozojnë dot identitetet që dëshirojnë në jetën e përditshme arrijnë që të prezantojnë lirisht veten e tyre ideale në rrjetet sociale.[1]Individi që deri dje përpiqej ta ndërtonte konceptin mbi veten duke përdorur markën e veshjeve, sot e përforcon atë duke marrë pjesë aktivisht në rrjetet sociale. Pra me anë të postimeve, pëlqimeve apo komentëve që bën në këto hapësira virtuale. Prandaj dhe së bashku me këtë vazhdon po ashtu të konsumojë. Madje nevoja që ndien për të ndërtuar identitetin në rrjetet sociale e shtyn atë që të konusmojë akoma më shumë edhe në jetën reale. Sepse individi ka zhvilluar një ide të tillë se ekzistenca e tij (e bazuar në dukje) mund të jetë për aq kohë sa konsumon në rrjetet sociale. Dhe ky konsum, ndryshe nga konsumi i të mirave materiale që njohim është i fokusuar më shumë mbi ekzistencën identitare dhe shpirtërore. Kështu, duke prodhuar vazhdimisht brendësinë e rrjeteve sociale konsumon gjithashtu dhe unin e tij. [2]
Në fakt është e vërtetë që rrjetet sociale ofrojnë një mundësi të mirë që individët të ndihen të lirë dhe të pushtetshëm në kuptimin e kontrollit të ngjarjeve që zhvillohen në botën virtuale. Sepse është gati e pamundur që të njëjtin kontroll dhe pushtet të arrijnë ta ushtrojnë në botën reale. Megjithatë kjo kohë e shpenzuar në jetën virtuale nuk është se largohet pa lënë pasoja negative në jetën e të rinjëve. Një nga pasojat më të rrezikshme mund të jetë shkëputja nga realiteti objektiv. Shpenzimi i një kohe mjaft të gjatë në rrjetet sociale mund të shkaktojë ftohje të individit nga proceset reale të botës së vërtetë. Për shembull të studiuarit, puna, shoqërizimi konkret, shëtitjet dhe shijimi i shëtitjeve pa presionin e dëshirave për ti instrumentalizuar ato në rrjetet sociale e kështu me radhë. Në fakt për arsye që lidhen me sistemin e vlerave që të rinjtë përfaqësojnë, grupmoshat e reja bëhen kategoria më e rrezikuar në aspektin e shëputjeve të lidhjeve me botën dhe kërkesat e saj reale.
Në këtë kontekst mund të përmendet teoria e Baudrillard-it, i cili shprehet se çelësi kryesor i shoqërisë moderne industriale ishte prodhimi, ndërsa sot në post modernizëm ato që ai i quan simulakrat ( pamje që kërkojnë të perceptohen si realitet), kërkojnë të dominojnë rendin social duke zhdukur në këtë mënyrë kufijtë që ndajnë realitetin objektiv nga jo realiteti. Madje sipas tij mjetet e komunikimit masiv, për shembull televizioni, mund ti kthejë ngjarjet e nxehta mediatike në ngjarje të ftohta. Kështu, këto ngjarje fillojnë të perceptohen si të zakonshme duke u kthyer në këtë mënyrë në mjete zbavitëse. [3] Në këtë mënyrë për shkak të funksionit që rrjetet sociale kanë në ofrimin e vazhdueshëm të përmbajtjeve zbavitëse, madje jo rrallë herë duke i prezantuar situatat e dhunshme si të tilla, mund të ndikojnë në uljen e përgjegjësisë sociale dhe vlerave të tjera të cilat janë të nevojshme për rendin social. Pavarësisht faktit se në disa raste ka reagime kolektive të masave për ngjarje të papranueshme nga shoqëria, nuk mund të thuhet me siguri se sa ndikojnë këto reagime në hapësirat virtuale në shuarjen e këtyre ngjarjeve apo qëndrueshmërinë dhe veprimtarinë aktive të opinionit publik në këtë drejtim.
Varësia ndaj rrjeteve sociale mund të shkaktojë gjithashtu mungesë socializimi dhe kjo mungesë duke penguar zhvillimin e kushteve të përshtatshme ku njerëzit të afrohen dhe njihen konkretisht me njëri-tjetrin, dëmton po ashtu krijimin e ndjenjave morale dhe solidare. Situatë kjo e cila rrezikon të përkthehet në dobësimin e piketave morale në botën e vërtetë. Madje në këtë kontekst nuk duhet lënë pa përmendur fakti se dhe vetë proceset në botën e vërtetë, për shembull bisedat me miqtë, dominohen nga informacionet e transmetuara nga rrjetet e komunikimit masiv.
Si përfundim mund të thuhet se mjetet e komunikimit masiv ndikojnë fuqishëm në procesin e socializimit të njerëzve por veçanërisht të të rinjve, dhe ky ndikim është i pranishëm si në strukturën e përgjithshme të shoqërisë edhe në marrëdhëniet në nivel më të ngushtë mes individëve të kësaj shoqërie.
Referencat:
1. Kavut, S. (2018). Goffman’ın benlik sunumu kuramı bağlamında sosyal medyada kimlik inşası: Instagram üzerine bir araştırma. Nosyon: Uluslararası Toplum ve Kültür Çalışmaları Dergisi, (1), 1-12.
[Ndërtimi i identitetit në rrjetet sociale në kontekstin e teorisë së prezantimit të vetes të Goffman-it]
2. ÇALIŞIR, G. (2014). SOSYAL MEDYADA BENLİK İNŞASI SUNUMU VE TÜKETİMİ.
[Konsumi dhe prezantimi i ndërtimit të unit në rrjetet sociale]
3. Metin, O., & Karakaya, Ş. (2017). Jean Baudrillard perspektifinden sosyal medya analizi denemesi. Afyon Kocatepe Üniversitesi Sosyal Bilimler Dergisi, 19(2), 109-121.
[Një ese analizuese e rrjeteve sociale nga perspektiva e Jean Baudrillard]
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Për herë të parë një Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe, Manastirliu: Bashkë për të mbrojtur dhe forcuar trashëgiminë tonë gjuhësore
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...