Mjekja e viteve të gjata, që të shëron me fjalë, në pritje të të rinjve…
Shkrimi i Evans Drishtit thekson rëndësinë e zhvillimit të rinisë për të pasuar shembujt e profesionistëve. Autori apelon për mbështetje emocionale dhe profesionale për të rinjtë, që të orientohen drejt profesioneve kyçe dhe të kontribuojnë në shoqëri, duke zëvendësuar mjekët e pensionuar.
Nga Evans Drishti
Para pak ditësh u gjend para një situate të vështirë shëndetësore. Një puçërr e vogël i ishte shfaqur në bulëzën e veshit, e cila shumë shpejt kish kaluar në një infeksion të një grade jo shumë të lehtë. U mundua ta kalonte në kushte dhe mjete rrethanore, me idenë dhe shpresën se do kalonte shpejt.
Por nuk ndodhi siç e mendoi.
Ishin pushimet e festave, për të cilat kish menduar dhe kish bërë ca plane të vogla, por ja që ajo fjala e urtë e thënë shpeshtazi ”Shëndeti në radhë të parë” evidentohet në çdo kohë dhe rrethanë.
U ngrit në mëngjes si i shastisur, pas një nate aspak të qetë. I tmerruar vuri re se infeksioni në anën e parme të veshit kish marrë udhë. U shqetësua pa masë dhe si i zënë ngushtë, mori menjëherë të konsultohej me një mikun e tij. Nga biseda e shpejtë, doli në pah emri i një mjekeje tepër të njohur që merrej pikërisht me këto shqetësime. Kishte menduar në fakt se ajo nuk angazhohej më, sidomos që nga koha e pandemisë, por ja që fati e deshti ta gjente dhe të bënte një konsultë të domosdoshme në lidhje me situatën.
Me një vrap të ethshëm dhe stresues nxitoi për në klinikën e saj.
Ishte si përherë aty, ku kishte punuar përherë. I bëri përshtypje pikësëpari një radhë e gjatë pacientësh që prisnin me padurim vizitën me mjeken specialiste. Të ardhur nga shumë zona të ndryshme, secili në shqetësimin e vet, por diçka i karakterizonte, bindja dhe shpresa se kishin ardhur në dorë të sigurtë, në mendjen e sigurtë, se padiskutim do gjenin një zgjidhje të shpejtë të shqetësimit që kishin.
Megjithëse e dalë në pension prej kohësh, dukej mjaft energjike dhe shumë dinamike. Fliste si përherë qartë, saktë, bukur, pastër. E psikologjiste menjëherë pacientin duke i krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe familjarizuese. Çdokujt, si përherë, i drejtohej me shumë çiltërsi, me shumë dashamirësi, me shumë ngrohtësi si të të ledhatonte mendjen dhe shpirtin.
Pas një ekzaminimi të detajuar dhe një kontrolli profesional iu ul përballë duke e parë në sy dhe duke i dhënë shpjegime të qarta argumentuese bindëse për situatën në të cilën ndodhej.
Për disa ditë me radhë, gjatë tërë kohës së vizitave që pati, vuri re të njëjtin temperament të mjekes specialiste:
- E çiltër në komunikim
- E buzëqeshur dhe fisnike
- E kuptueshme dhe sqaruese
- Me një dorë të lehtë dhe mendje të kthjelluar
- E guximshme dhe reflektuese sipas natyrës së pacientit
- E gatshme për ofrimin e një shërbimi tejet cilësor dhe korrekt
- Eksperte për të ofruar kurën e sakte dhe të duhur
- Emancipuese dhe bashkëkohore
Pas ditëve të një kurimi të rregullt, sikur s’ishte më ai i mëparshmi në atë gjendje të rënduar psikologjike dhe shëndetësore. Çdo gjë kaloi në mënyrën më të mirë të mundshme.
Mendoi për tërë këto ditë me vete:
Ç’e bënte këtë mjekje profesioniste kaq të kërkuar?
Përgjigjen në fakt e kishte gjetur menjëherë:
- E rritur dhe e edukuar me një kulturë dhe diapazon gjithëpërfshirës
- E njohur dhe e ushqyer që në vegjëli me normat themelore të komunikimit dhe qytetarisë
- E dashuruar pas vlerave njerëzore dhe profesionale
- E kishte zhvilluar veten gjithnjë me dinjitet dhe përgjegjshmëri
- E palodhur në misionin njerëzor dhe profesional
- E gatshme të jepte orientimet e sakta dhe të duhura për zgjidhje të shpejta.
S’duhet harruar se këta mjekë specialistë:
- dolën nga duart e profesorëve specialistë,
- u rritën dhe u edukuan në këto vatra familjare,
- u ushqyen në këto terrene sociale,
- u shkolluan dhe u aftësuan nga mendje shqiptare,
- u integruan në shoqërinë shqiptare…
E ndërkohë vinte pyetja më përvëluese:
Kush do e zëvendësojë një të tillë mjeke apo të tillë mjekë profesionistë?
Si për koincidencë, gjatë ditëve të vizitave mjekësore, një mesazh kish mbërritur në rrjetet sociale, nga një ish nxënëse e tij, sot e diplomuar në Itali një mjeke e specializuar, e mirëplotësuar në të gjitha dimensionet, e kualifikuar, e emancipuar, një aktiviste mjaft e zonja, jo vetëm si mjeke, por edhe në kauzat e shoqërisë civile.
Por ajo tashmë vijonte rrugëtimin e saj profesional në një tjetër shtet të zhvilluar dhe europian, pasi Italia dhe vende të tjera europiane i kishin hapur dyert kësaj specialisteje duke përfshirë në gjirin e tyre një tjetër mendje të ndritur shqiptare.
Ndjehej sa i emocionuar aq edhe me një lloj keqardhjeje, pasi ajo duhej të ishte këtu, në vendin e saj, duke ofruar profesionalizmin e saj për atdhetarët e vet, për të zëvendësuar pikërisht këta mjekë specialistë, që natyrshëm një ditë do mbyllnin ciklin e tyre profesional.
Ndaj sot ka shumë rëndësi:
- Të rriten dhe të zhvillohen sa më shumë të rinj të rezultateve të larta;
- Të mbështeten në përvoja dhe praktika influencuese;
- Të orientohen në mënyrë të qartë, bindëse dhe inspiruese në degë specifike dhe të domosdoshme për realitetin e kohës;
- Të prezantohen në konsulta dhe takime të frytshme të cilit “Këshillim karriere” me profesionistë të tillë.
Të tilla suksese nisin që në hapat e parë të një vegjëlie, me mbështetje emocionale, shpirtërore, ideore dhe orientime të duhura si nga prindërit ashtu edhe nga institucionet arsimore, për t’iu ofruar një rini të shëndetshme me plot vrull e gjallëri.
Respekt për Dr. Zana Agolli (Uruçi) Specialiste O. R. L. Shkodër.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Shkolla e mesme profesionale "Kolin Gjoka" në Lezhë prezanton projekte inovative dhe artistike
Magjia e fundvitit vjen në Petrelë me "Christmas Market", më 22 dhjetor
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana